MAIN

Perëndimi duhet t’i kushtojë vëmendje diplomacisë së vaksin.ave të Rusisë dhe Kinës

Nga Anne-Sylvaine Chassany

Që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, Kina dhe Rusia i kanë përdorur furnizimet me pajisjet e tyre mjekësore ndaj vendeve të tjera, për të korrur përfitime në politikën e jashtme. Që të dyja vendet u dërguan maska ​​dhe pajisje mbrojtëse vendeve më të goditura nga pandemia pranverën e vitit të kaluar.

Tani ato po u premtojnë t’u japin vaksinat e tyre, dhe kanë arritur një farë suksesi. Ndërkohë që vendet e pasura kanë blerë pjesën më të madhe të vaksinave të autorizuara të kompanive perëndimore, vendet me të ardhura më të ulëta deri mesatare si Brazili, Nigeria,Algjeria dhe Egjipti po kërkojnë doza vaksinash në Moskë dhe Pekin.

Vaksinat kineze po gjejnë blerës në Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme. Vaksinat e kompanisë shtetërore kineze Sinopharm, po shpërndahen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Ballkan.

Kompania tjetër, Sinovac, mori porosi nga Turqia dhe Brazili, ndërsa vaksina e CanSino me një dozë të vetme po kalon provat e Fazës III në vende të ndryshme përfshirë Pakistanin dhe Meksikën. Pas këtij procesi, është angazhuar i gjithë aparati shtetëror i Kinës.

Pekini, që ka nënshkruar kontrata me dhjetëra vende, u hodh në veprim përmes kanaleve të bashkëpunimit të Nismës së Brezit dhe Rrugës. “Shëndeti ishte një nga nën-temat e shumta të BRI. Me pandeminë ai është bërë tani fokusi kryesor”-thotë Moritz Rudolf i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Ndërkohë, Rusia pretendon se ka marrë porosi për 1.2 miliardë doza të vaksinës së saj Sputnik V me dy 2 doza, të cilat një rishikim i ekspertëve në revistën e njohur shkencore “The Lancet” i shpalli të sigurta dhe efektive.

Moska ka siguruar miratimin e përdorimit emergjent në vende të ndryshme përfshirë Argjentinën, Meksikën dhe Bjellorusinë. Të martën, Irani filloi vaksinimin masiv duke i dhënë një dozë të vaksinës Sputnik V djalit të Ministrit iranian të Shëndetësisë.

Qëllimet e politikës së jashtme, kanë një rreze mjaft të gjerë. Pekini po përpiqet të hedhë poshtë akuzat se e fshehu përhapjen e hershme të sëmundjes. Gjithashtu, ai po e lidh shpërndarjen e vaksinave të tij me perspektivën e investimeve në të ardhmen – për shembull në energji ose teknologji – dhe të qenit një huadhënës për vendet e varfra, me anulimin e borxhit sovran.

Kina mund të përdorë një vullnet të mirë të shtuar kur asaj i duhen aleatë për çështje të tilla si mosmarrëveshjet territoriale, thotë Yanzhong Huang, anëtar i vjetër i Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme. Për Moskën, diplomacia e vaksinave sjell përfitimin anësor të shkaktimit të telasheve në BE, që po përballet me vonesa në shpërndarjen e vaksinave dhe me një proces të ngadaltë të vaksinimit.

Javën e kaluar Rusia i dha vaksinën e saj Hungarisë, edhe pse Sputnik V nuk ka marrë ende autorizimin e BE-së. Ndërsa marrëdhëniet e Rusisë me BE-në dhe SHBA-në u përkeqësuan pas dënimit me burg të aktivistit të opozitës Alekesi Navalni, miratimi i vaksinës së saj nga “The Lancet”e ka forcuar pozitën globale të Moskës, vëren Theresa Fallon, drejtoreshë e Qendrës për Studimet Aziatike në Rusi.

“Vaksina është një kartë që Vladimir Putin mund ta përdorë për t’u zhvendosur nga narrativa e rrëfyer nga disa në bashkësinë ndërkombëtare, se Rusia është një shtet i dorës së dytë pas aneksimit të Krimesë, në një narrativë më pozitive atë të një ofruesi vaksinash dhe të “çliruesit” nga pandemia”-thotë ajo.

Programet e vaksinimit të Kinës dhe Rusisë, janë dukshëm në kontrast me përpjekjet më të ngadalta shumëpalëshe. Nisma e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Covax, për blerjen kolektive të vaksinave për shtetet e varfra, nuk ka shpërndarë deri tani asnjë sasi vaksinash.

Kjo situatë është “pak poshtëruese”, deklaroi javën e shkuar presidenti francez Emmanuel Macron. Por një siklet afatshkurtër, shtoi ai, ia vlen për t’u siguruar që vaksinat të kenë standardet më të larta. Por nëse Sputnik V ka fituar një njohje shkencore ndërkombëtare, ka pak transparencë mbi efikasitetin e vaksinave kineze.

“Ajo që ne dimë me një lloj sigurie relative, është se ato nuk vrasin njeri”-thotë Fransua  Heisburg i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike. Edhe sasia e prodhimit do të jetë gjithashtu një element thelbësor për garën tregtare që ka nisur, veçanërisht pasi Rusia dhe Kina do të duhet gjithashtu të vaksinojnë popullatat e tyre.

Por diplomacia e vaksinave po përballet edhe me kundërshti. Tajvani ndaloi importet kineze, ndërsa Ukraina po e refuzon Sputnik V. India, një qendër e madhe e prodhimeve farmaceutike, ka synuar të kundërshtojë përpjekjet e Kinës duke u dhënë fqinjëve vaksina falas të AstraZeneca /Oxford.

Perëndimi mezi po e vë re luftën e vaksinave që po zhvillohet nën hundën e tij. Strategjia e Kinës është “më e suksesshme sesa njihet në Evropë” thotë Rudolf. Pavarësisht nga disa pajisje mbrojtëse personale të dërguara nga Kina, që u panë të ishin jo cilësore në fazën e parë të pandemisë, Pekini ka bërë një përshtypje të qëndrueshme, duke qenë ofruesi i parë i ndihmës për shumë vende jashtë BE-së, në veçanti në disa nga vendet më të varfra të Afrikës. Ndërkohë, SHBA-ja duhet t’i kushtojë vëmendje përpjekjeve kineze dhe ruse në Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme. Kjo është një arsye tjetër përse – përtej arsyeve humanitare, ekonomike dhe shkencore – Perëndimi duhet të mbajë premtimin e dërgesave të shpejta të vaksinave të lira apo falas anti-Covid përmes nismës COVAX. / “Financial Times”

Back to top button