Analiza

Përgjigja e dështuar globale e Joe Biden, ndaj pandemisë së Covid-19

Nga Reshma Ramachandran & Asia Russell

“CNN”

A mos u mashtruam vallë? Vetëm disa muaj më parë, organizatat tona, Koalicioni Universitar për Barnat e Domosdoshme dhe Projekti për Qasjen Shëndetësore Globale, vlerësuan mbështetjen e presidentit Joe Biden për të hequr përkohësisht dorë nga pronësia intelektuale për vaksinat kundër Covid-19.

Për një moment, ne shpresuam se ky angazhim ndaj solidaritetit global, do të ishte fillimi i fundit të kësaj pandemie për të gjithë dhe kudo në botë. Tani, në kushtet kur ka pak përpjekje të ndërmarra për të krijuar mbështetje për këtë proces, refuzimi për t’u angazhuar ndaj apelit të Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për një moratorium mbi vaksinimet përforcuese, të paktën derisa të jetë vaksinuar 10 për qind e popullatës në çdo vend, dhe e një plani global reagimi që ka kryesisht supozime, del se deklaratat e mbështetjes së zotit Biden kanë qenë fjalë boshe.

Në fakt presidenti amerikan nuk ka ndërmarrë asnjë akt domethënës për të ndaluar përhapjen dhe dëmet e vazhdueshme të Covid-19, teksa e lavdëroi veten për kapërcimin e standardit modest të dhurimit të afërsisht 110 milion dozave për vendet e tjera në fillim të muajit  gushtit, që janë vetëm një pjesë shumë e vogël e miliarda dozave të nevojshme.

Nga politikat e tij që vazhdojnë të vendosin Amerikën në plan të parë, ka përfituar kryesisht industria farmaceutike që është në zgjerim të vazhdueshëm, dhe si e tillë, përgjigjja globale e presidentit Biden ndaj Covid-19 ka qenë deri më tani e dështuar.

Biden ka bërë me dije se do të organizojë një samit global mbi Covid-19 me udhëheqësit e vendeve dhe aktorët e tjerë të fokusuar në dhënien fund të pandemisë, në kuadër të punimeve vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të ardhshme të Kombeve të Bashkuara muajin e ardhshëm në Nju Jork.

Ky samit mund të jetë mundësia që Biden të tregojë udhëheqje, dhe të japë një shembull për udhëheqësit e tjerë botërorë përmes veprimeve konkrete. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse ai zgjedh që ta bëjë diçka të tillë.

Pa një ndryshim të fortë në qasjen e tij ndaj pandemisë, Biden thjesht do të vazhdojë të bëjë të njëjtat gabime që kanë çuar në krijimin e dy botëve shumë të ndryshme:një bote ku dëmet nga kjo sëmundje janë tashmë të parandalueshme, dhe një bote tjetër ku kërdia është bërë e pashmangshme.

Po për çfarë duhet të angazhohet saktësisht Biden në këtë samit? Së pari, ai duhet të ndalojë së trajtuari interesat e gabuara të industrisë farmaceutike, në kurriz të jetës së njerëzve. Kohët e fundit, Shtëpia e Bardhë devijoi 1.5 miliardë dollarë nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) e destinuar për ndihmën urgjente, e cila është e nevojshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë pajisjet mbrojtëse personale, trajtimet kundër Covid-19 dhe ndihmën në shpërndarjen e vaksinave, edhe pse këto të fundit po përballen me një rritje rekord rasteve të reja për shkak të varianteve, në vend se të paguajnë Pfizer për blerjen e të paktën 500 milionë dozave të vaksinës së saj.

Këto doza, të përmendura shpeshherë nga presidenti Biden dhe nga kreu i Pfizer, Albert Bourla në një konferencë të përbashkët shtypi për mediat synohet t’u jepen vendeve më në nevojë. Por ato nuk do të shpërndahen plotësisht deri në mesin e vitit 2022.

Duke e rishpërndarë diku tjetër këtë fond kritik që USAID-it i duhen tani për të paguar Pfizer për dozat që do të shpërndahen ngadalë gjatë vitit të ardhshëm, Shtëpia e Bardhë ka krijuar një kompromis të panevojshëm që mund t’u kushtojë  jetën shumë njerëzve në vendet e varfra.

Biden duhet ta korrigjojë këtë gabim, gjë që e ka detyruar USAID t’i kërkojë Kongresit fonde shtesë për të mbuluar këtë mangësi të papritur. Ndërkohë, Biden duhet të dëgjojë menjëherë këshillat e zyrtarëve të departamenteve lokale të shëndetësisë,duke dërguar sa më shumë doza të papërdorura të vaksinave tek vendet në nevojë, dhe ta përdorë pushtetin e tij për të siguruar një rishpërndarje të barabartë globale të dozave të blera tashmë në kuadër të nacionalizmit të vaksinave.

Për më tepër, Biden duhet të ndalë grumbullimin e dozave të vaksinave nga vendet e pasura në kushtet kur ka një furnizim global të kufizuar. Edhe pse vetëm afro 1.4 për qind e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta janë vaksinuar, Pfizer dhe BioNTech njoftuan se administrata e Biden ka blerë edhe 200 milionë doza të tjera vaksine për amerikanët.

Dhe kjo ndodh në një kohë kur SHBA-ja ka blerë më shumë se të gjithë doza të kompanive Pfizer dhe Moderna që nga shkurti i këtij viti 2021 për të vaksinuar plotësisht të gjitha popullatat e saj të rrezikuara. Mbi gjysma e këtyre dozave të blera rishtazi, do të dorëzohen deri në fund të këtij viti, dhe pjesa tjetër e porosisë do të kryhet deri në prill 2022.

Ndërkohë, prodhimi i 100 milionë dozave për Unionin Afrikan përmes marrëveshjes së fundit të Pfizer me Institutin Biovac në Afrikën e Jugut, do të fillojë vetëm “nga gjysma e dytë e vitit 2022”, pasi porosia nga SHBA-ja ka zënë plotësisht kapacitetet prodhuese.

Me gjithë premtimin e tij për të mbështetur heqjen përkohësisht dorë nga pronësia intelektuale për vaksinat kundër Covid-19, Biden ka bërë në dukje pak për të inkurajuar homologët e tij në vendet e tjera të pasura, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe, që të bëjnë të njëjtën gjë.

Përkundrazi, këto kombe kanë vazhduar ta pengojnë këtë procedurë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Duke shkuar përtej një deklarate mbështetëse, presidenti Biden duhet ta përkrahë këtë propozim, dhe të shfrytëzojë lidhjet e tij të forta personale me aleatët, për të siguruar miratimin e tij të shpejtë në OBT.

Paralelisht Biden duhet të përdorë autoritetin që i është dhënë sipas Aktit të Prodhimit të Mbrojtjes, për të kërkuar që prodhuesit e vaksinave kundër Covid-19 të transferojnë teknologjinë e tyre dhe të ndajnë njohuritë e tyre të prodhimit me kompanitë e tjera jashtë vendit, për të rritur shpejt prodhimin global të vaksinave, në këmbim të një pagese të arsyeshme.

Joe Biden ka në dorë ta ndryshojë gjendjen e punëve, duke u angazhuar si udhëheqës në këtë luftë globale kundër Covid-19. Duke kaluar më në fund nga fjalët tek veprimet reale, presidenti amerikan mund të na nxjerrë nga kjo epokë e “aparteidit të vaksinave” drejt një të ardhmeje të barazisë globale të vaksinave, ku pandemia mund të përfundojë vërtet për të gjithë, kudo që ata ndodhen.

Shënim: Reshma Ramachandran, mjeke dhe anëtare e Programit Kombëtar të Klinicistëve në Universitetin  e Jeilit. Asia Russell, anëtare e Aleancës Popullore të Vaksinave, dhe e organizatës partnere “Free The Vaccine”.

Back to top button