Horizonti.alMAIN

“Perseverance” në Mars, fillimi i epokës së re të eksplorimeve

Sonda “Perseverance” e NASA-s u ul me sukses në kraterin Jezero në planetin Mars më 18 Shkurt, duke shënuar fillimin e një epokë të re të eksplorimit në planetin e kuq, nga ku do të mblidhen dhe sillen në Tokë shkëmbinj të ndryshëm.

E mbështjellë me një mbrojtëse ndaj nxehtësisë, “Perseverance” lëvizi nëpër atmosferën e hollë të Marsit, dhe më pas hapi parashutën për të ngadalësuar shpejtësinë.

Në manovrën përfundimtare të uljes, një “vinç hapësinor” që mbante sondën, ndezi reaktorët e tij për të ulur sa më butë sondën me 6 rrota dhe me madhësinë e një makine normale.

Sonda preku sipërfaqen e Marsit në orën 15:55 të pasdites me kohën lindore të SHBA-së, pas një udhëtimi gati 7-mujor nga Toka. Pamjet e para nga sipërfaqja, të marra përmes kamerave të instaluara nga brenda mjetit për të shmangur rreziqet, treguan një peizazh të pluhurosur të mbushur me shkëmbinj.

“Perseverance” u ul pikërisht në dyshemenë e lëmuar dhe të errët të Kraterit Jezero, rreth 2 kilometra në juglindje të asaj që dikur ka qenë delta e një lumi,kur krateri ishte i mbushur me ujë. Shkëmbinjtë e lartë -ashtu si edhe skajet e asaj delte të lashtë – mezi mund të shiheshin nga imazhet fillestare të marra nga sonda.

Ulja u krye normalisht ashtu siç kishin shpresuar inxhinierët. “Unë ndjehem sikur jemi në një ëndërr”- thotë Xhenifer Trozper, zëvendësmenaxhere e projektit të misionit Jet Propulsion Laborator (JPL) në Pasadena të Kalifornisë. Gjatë ditëve të ardhshme, sonda do të fotografojë më shumë nga peizazhi që ka përreth dhe do të fillojë të kryejë teste përmes instrumenteve shkencore që mbart nga brenda.

Synimi i misionit është që të sillet rreth Kraterit Jezero dhe të mbledhë mostra shkëmbore nga delta e lumit dhe nga një liqen i lashtë, ku mund të gjenden prova të jetës që ka ekzistuar dikur në planetin e kuq. Në fund, sonda do t’i lërë mostrat në pika të caktuara, që të merren nga anijet e ardhshme kozmike.

Misioni i “Perseverance” ishte edhe më i rrezikshëm, pasi sonda u ul në një vend shumë sfidues nga pikëpamja gjeologjike. Jezero është plot shkëmbinj të thepisur, gurë të mëdhenj dhe duna rëre të pabesa, ku anija kozmike mund të zhdukej.

Për të siguruar një ulje të sigurt inxhinierët në JPL që ndërtuan edhe sondën, përdorën teknikat e shmangies së rreziqeve. Më e rëndësishmja, ndërsa sonda zbriste drejt Jezeros, ajo përdori një aparat fotografik me drejtim nga poshtë për të fotografuar shpejt peizazhin, dhe për të krahasuar terrenin me një sërë hartash që kishte të ruajtura në bord.

“Perseverance” përmban 2 mikrofona për të dëgjuar tingujt si era dhe kërcitja e rrotave të sondës. Në vitin 2018, NASA ccoi në Mars një sondë tjetër “InSight”, rreth 3.500 kilometra larg. Ajo është e pajisur me një sizmometër që regjistron lëkundjet.

Por shkencëtarët e “InSight”, mendojnë se kishte pak shanse që sonda të “dëgjonte”uljen në Mars të “Perseverance” .

Gjatë 30 ditëve të para marsiane në sipërfaqe të planetit, sonda do të merret me kontrollimin e instrumenteve të saj, përfshirë ngritjen e një direku të ngarkuar me kamera me definicion të lartë, dhe me fotografimin e zonës përreth vendit të uljes. Një instrument do të tërheqë disa mostra nga atmosfera marsiane, dhe do të përpiqet t’i përdorë gazrat që mbledh për të prodhuar disa gram oksigjen, si një burim për eksploruesit e ardhshëm njerëzorë.

Në javët e ardhshme, “Perseverance” do të largohet nga vendi ku është ulur, duke u ulur në sipërfaqe një helikopter të vogël me peshë 1.8 kilogramë. Helikopteri i quajtur “Ingenuity”, do të provojë fluturimin e parë në një botë tjetër.

“Do të jetë si momenti historik i Vëllezërve Rajt, por në një planet tjetër”- thotë Mimi Aung, inxhinierja kryesore e helikopterit në JPL. Gjatë 3 muajve të parë të sondës në Mars, shkencëtarët dhe inxhinierët e ekipit do të punojnë sipas kohës së Marsit, ku 1 ditë është gati 40 minuta më e gjatë se sa një ditë në Tokë.

Kjo do të thotë se ata do të punojnë më shpesh gjatë gjithë natës. Por duke punuar sipas kohës së Marsit, ekipi ka mundësi të jetë më efikas në planifikimin e operacioneve ditore. “Perseverance” synon që të udhëtojë shpejt dhe me efikasitet, duke udhëtuar të paktën 15 kilometra nëpër kraterin Jezero në një vit Marsian (që është gati 2 vjet në Tokë).

Sonda mbart 43 tuba për mbledhjen e shkëmbinjve dhe pluhurit në Mars. Sonda që lëviz përmes energjisë së garantuar nga plutoniumi, mund të lëvizë në një fushë fqinje për të eksploruar mjedise të tjera që kanë qenë të përshtatshme për jetën antike, dhe të vazhdojë mbledhjen e gurëve dhe dheut.

Mostrat më të hershme mund të rikthehen në Tokë nga viti 2031. Sonda “Perseverance” që u nis drejt Marsit në korrik 2020, ka kushtuar 2.4 miliardë dollarë,ndërsa do të kushtojë edhe 300 milion dollarë gjatë procesit të zbarkimit dhe operimit gjatë vitit të saj të parë në Mars.

Ky është misioni i tretë për të arritur në planetin e kuq këtë muaj, pas anijeve kozmike nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina, të cilat janë aktualisht në orbitën e Marsit. Misioni kinez, Tianwen-1, do të përpiqet më maj që ta ulë sondën e tij në sipërfaqe. / Nature – Bota.al

Back to top button