Analiza

Problemet e Putinit janë të vërteta, dhe nuk është vetëm Navalni 

Nga Dominique Moisi

“Këtë herë është ndryshe”, ishte titulli i një libri kushtuar krizës financiare dhe ekonomike të viteve 2007-2008. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për situatën aktuale në Rusi? Varet se kë pyet.

Në njërin nga ekstremet, gjenden ata që thonë se demostratat anti-Putin dhe që kërkojnë e lirimin e Navalnit janë “shumë zhurmë për asgjë’, dhe se “provat e filmuara” të kohëve të fundit mbi korrupsionin e regjimit nuk janë as një befasi dhe as tronditëse për popullsinë gjithnjë e më cinike ruse, e cila e pranon se të qenit në pushtet do të thotë të pasurohesh, dhe sa më absolute është fuqia, aq më i madh është edhe pasurimi.

Sipas këtij interpretimi, njerëzit e shohin Putinin si garant të stabilitetit, dhe e etiketojnë Navalnin thjesht një “agjent të të huajve”. Nëse Llukashenko ishte në gjendje që të qëndronte në pushtet në Bjellorusi, është e qartë se Putini do të bëjë të njëjtën gjë në Rusi.

Në skajin tjetër të spektrit, janë ata që e shohin valën aktuale të protestave – në më shumë se 110 qytete, nga Moska në Vladivostok – si shenjën e parë të krisjeve që po pëson regjimi. Ata besojnë se këto protesta të veçanta janë fillimi i fundit për Putinin. Kjo e fundit mund të jetë e tepruar të mendohet, të paktën tani për tani.

Por fakt është që në Rusi po merr formë një realitet i ri politik, dhe kjo për shkak të kombinimit të tre faktorëve:personaliteti i Navalnit, zgjedhja presidentit e Xho Bajden në Shtetet e Bashkuara, dhe Covid-19.

Për herë të parë, kundërshtimi ndaj Putinit mishërohet tek një njeri që e ka dëshmuar guximin e tij, dhe të cilin regjimi – atentati ndaj është provë- e merr seriozisht. Navalni është më i gjatë, më i ri, më simpatik dhe më karizmatik se sa Putin.

Duke e mbajtur atë në burg, regjimi rrezikon t`a bëjë Navalnin një version bashkëkohor të Andrei Sakharov, fizikantit bërthamor, aktivist i të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1975. Unë isha i pranishëm në Moskë në varrimin e Sakharov në dhjetorin e vitit 1989, gjatë një periudhe që do të dëshmohej si muzgu i regjimit.

Pra shfaqja në skenë e Navalnit nuk është një lajm i mirë për Moskën. Dhe as zgjedhja e presidentit Xho Bajden në SHBA, që ndryshe nga paraardhësi i tij, i merr seriozisht të drejtat e njeriut dhe demokracinë, duke e vendosur në pozita mbrojtëse Rusinë e Putinit (dhe Kinën e Xi Jinping).

Ndërsa Navalni e bën Putinin të duket “më i moshuar”, Bajden e bën atë të duket më qesharak, por dhe një lider “të dalë mode” në menaxhimin që i bën pushtetit. Uashingtoni në epokën Bajden është padyshim një partner më i besueshëm dhe më i përgjegjshëm për nënshkrimin e traktateve të kontrollit të armëve.

Por ai është gjithashtu një kundërshtar më i frikshëm, pasi është më profesional dhe më i respektueshëm se Trump. Ndërkohë, faktori i tretë është koronavirusi. Periudhat e pandemive nxjerrin në pah pabarazitë, dhe i bëjnë padrejtësitë më pak të durueshme nga popullata.

Në një kohë kur më të prekurit janë më të varfrit, spektakli i pasurisë i propaganduar me gjithë teprimin e tj, ushqen një zemërim të tillë që mund të çojë në revoltë. Videoja rreth “Pallatit të Putinit” buzë Detit të Zi u bë virale në internet, me më shumë se 100 milion shikime.

Është e qartë se në aspektin juridik, prona nuk i përket Putinit. Gjithashtu ka pak dyshime se ajo është ndërtuar për t’u përdorur vetëm nga ai. Një kryevepër arkitekturore, “Pallati i Putinit” e bën resorin e Trump në Mar-a-Lago të Floridas, të duket si një kasolle modeste e ndonjë peshkatari!

Është e vërtetë, Rusia e Putinit e vitit 2021, nuk është Franca e korrikut 1789, apo korrikut 1830. Dhe as Rumania e Nikolae Çausheskut e vitit 1989. E megjithatë, për herë të parë në pak më shumë se 20 vjet,regjimi rus po përballet tani me një kërcënim real. Erozioni i pushtetit vlen si për regjimet tiranike ashtu edhe për sistemet demokratike.

Përballë një situate komplekse dhe të luhatshme, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të përcaktojnë një qasje të përbashkët përkundrejt Moskës. Duke vepruar në këtë mënyrë, ato duhet të jenë të kujdesshme që të mos e përforcojnë perceptimin që ekziston në Rusi se Navalni është thjesht një agjent i të huajve.

Regjimi në pushtet, është bërë mjeshtër në përdorimin e kartës nacionaliste për të fshehur vazhdimisht gabimet dhe abuzimet e tij. Por një gabim edhe më i madh do të ishte injorimi i situatës, pretendimi se nuk po ndodh asgjë, apo shpërfillja e saj si një çështje e brendshme ruse që më mirë të lihet e paprekur.

Me spektaklin e vullnetit të tij diplomatik mbi thuajse të gjitha çështjet, Putini synon tashmë t’i bëjë përshtypje presidentit të ri amerikan dhe udhëheqësve evropianë. Dhe kjo pasi i shtoi provokimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Përpjekjet e Putinit, janë një paralajmërim i nënkuptuar:

Do të ishte për të ardhur keq që t`a humbisni një mundësi të tillë për afrim dhe marrëveshje, për shkak të brengosjes mbi fatin e Navalnit dhe demokracisë në Rusi. Bazuar në praktikën e dikurshme sovjetike, Putini mendon se mund të bëjë gjithçka për të ndërhyrë në proceset tona zgjedhore.

Por ndërkohë, çdo ndërhyrje e jashtme në vendin e tij është e papranueshme. Por realiteti, është se korrupsioni që ushqen regjimin e tij nuk është vetëm një problem për Rusinë, por për botën në tërësi, sidomos për të gjithë ata që në një mënyrë a tjetrën, nuk veprojnë thjesht për interesin personal por në përputhje me vlerat.

“Një erë revolucioni lindi këtë mëngjes. Ajo gjëmon, gjëmon kundër Mazarin”-shkroi poeti francez i shekullit XVII Pol Skaron rreth trazirave civile kundër Kardinal Mazarin, ministri i parë i shtetit i Luigjit XIV. Edhe në Rusi është “shfaqur një erë revolucioni”. Në momentin aktual, protestat nuk janë një revolucion. Por ato mund të çojnë në një të tillë, sidomos kur ndjenjat e padrejtësisë dhe zemërimit të dominojnë përfundimisht mbi frikën. / “Les Echos” – Bota.al

Back to top button