EkonomiMAIN

Problemi global i mungesave në ekonomi

“The Economist”

Për një dekadë pas shpërthimit të krizës financiare, problemi i ekonomisë botërore ishte mungesa e shpenzimeve. Familjet e shqetësuara u fokusuan tek shlyerja e borxheve të tyre, qeveritë vendosën masa shtrënguese, dhe kompanitë e kujdesshme i frenuan investimet e tyre, veçanërisht në kapacitetet fizik, ndërsa punësonin pak njerëz nga një grup në dukje i pafundmë punëtorësh.

Tani shpenzimet janë rikthyer, pasi qeveritë e kanë stimuluar ekonominë, dhe konsumatorët janë më të shpenguar në shpenzime. Rritja e kërkesës është aq e fuqishme sa që oferta e ka të vështirë të ruajë ritmin e saj.

Shoferët e kamionëve po marrin paga shtesë, një armatë anijesh me kontejnerë është ankoruar jashtë Kalifornisë, duke pritur që portet të boshatisen për t’u ankoruar, ndërsa çmimet e energjisë po rriten gjithnjë e më shumë. Ndërsa rritja e inflacionit i tremb investitorët, mbiprodhimi i viteve 2010, i kanë lënë vendin një ekonomie plot mungesa.

Shkaku i menjëhershëm është pandemia e Covid-19. Rreth 10.4 trilionë dollarë në formën e paketave të ndihmës në nivel global, kanë nxitur një rikthim të furishëm por të çuditshëm të kërkesës, në të cilin konsumatorët po shpenzojnë më shumë për mallra sesa normalisht, duke vendosur shumë nën presion zinxhirët globalë të furnizimit, që kanë nevojë emergjente për investime.

Kërkesa për produkte elektronike lulëzoi gjatë pandemisë. Por mungesa e mikroçipave, e ka goditur prodhimin industrial në disa ekonomi eksportuese, siç është ajo e Tajvanit. Ndërkohë, përhapja e variantit Delta i ka mbyllur fabrikat e veshjeve në pjesë të Azisë.

Në botën e pasur, migracioni është në rënie, stimuli financiar i ka mbushur llogaritë bankare të qytetarëve, dhe ka pak punëtorë të gatshëm të kalojnë nga punë jo shumë të favorshme si shitja e sanduiçeve në rrugë, tek ato ku ka me shumë kërkesa, siç është magazinimi i mallrave.

Nga Bruklin të Nju Jorkut deri në Brisbejn të Australisë, punëdhënësit janë në një garë të paparë midis tyre për disa krahë pune shtesë. Por mungesat në ekonomi, janë gjithashtu produkt i dy forcave më të mëdha.

Së pari, i procesit të de-karbonizimi të ekonomive. Kalimi nga qymyri tek energjia e rinovueshme, e ka lënë Evropën dhe veçanërisht Britaninë, të pambrojtur ndaj një paniku mbi furnizimin me gaz natyror, që javën e shkuar i rriti me mbi 60 për qind çmimet lokale.

Një rritje e taksës së emetimit të karbonit nga Bashkimi Evropian, e ka bërë të vështirë kalimin në forma të tjera të pista të energjisë. Aktualisht disa të zona të Kinës, janë duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, pasi disa nga provincat e saj po përpiqen që të përmbushin objektivat strikte mjedisore.

Çmimet e larta për transportin dhe komponentët e teknologjisë, po shkaktojnë rritjen e shpenzimeve kapitale për të zgjeruar kapacitetet. Por ndërsa bota po përpiqet të heqë dorë nga format ndotëse të energjisë, nxitja për të bërë investime afatgjata në industrinë e karburanteve fosile është e dobët.

Arsyeja e dytë është proteksionizmi. Siç shpjegon raporti ynë special, politikat tregtare nuk bazohen më tek efikasiteti ekonomik, por në ndjekjen e një sërë synimesh, nga imponimi i standardeve të punës dhe mjedisit jashtë vendit, deri në ndëshkimin e kundërshtarëve gjeopolitikë.

Javës që kaloi administrata e Xho Bajdenit, konfirmoi se do të ruante tarifat e vendosura nga Donald Trump ndaj Kinës, mesatarisht në nivelin 19 për qind, duke premtuar se vetëm kompanitë mund të aplikonin për përjashtime (nëse kanë fat në përballje me burokracinë federale).

Në mbarë botën, nacionalizmi ekonomik po kontribuon shumë në mungesat që po shihen në ekonomi. Mungesa e shoferëve të kamionëve në Britani, është përkeqësuar nga Brexit. India vuan nga mungesa e qymyrit, pjesërisht për shkak të një përpjekjeje të gabuar për të reduktuar importet e karburantit.

Pas viteve të tensioneve tregtare, fluksi i investimeve ndërkufitare nga kompanitë ka rënë me më shumë se gjysmën, në krahasim me PBB-në globale që nga viti 2015. E gjitha kjo mund të duket e tmerrshme dhe e ngjashme me situatën e viteve 1970, kur shumë vende u përballën me radhë të gjata para pikave të karburantit, me një rritje dyshifrore të çmimeve, dhe me një rritje të ngadaltë ekonomike.

Por krahasimi na çon shumë larg. Gjysmë shekulli më parë politikanët gabuan rëndë me politikat ekonomike, duke e luftuar inflacionin me masa të kota si kontrolli i çmimeve dhe me fushatën e presidentit amerikan Xherald Ford “për të fshikulluar me kamxhik inflacionin”,  duke iu bërë thirrje njerëzve të kultivonin vetë perimet që konsumonin.

Sot Rezerva Federale po debaton se si të parashikohet inflacioni. Por ka një konsensus, se bankat qendrore kanë fuqinë dhe detyrën ta mbajnë atë nën kontroll. Për momentin, dalja e inflacionit jashtë kontrollit duket si diçka e pamundur. Çmimet e energjisë do të ulen me gjasë pas këtij dimri.

Gjatë vitit të ardhshëm, një shpërhapje më e gjerë e vaksinave dhe trajtimet e reja ndaj Covid-19, do të reduktojë problemet me ndërprerjet në zinxhirin e furnizimeve. Konsumatorët mund të shpenzojnë më shumë për shërbimet. Programet e stimulit fiskal do të përfundojë në vitin 2022.

Xho Bajden e ka shumë të vështirë të sigurojë miratimin e paketës së re të shpenzimeve të mëdha në Kongres, ndërsa Britania po planifikon që të rrisë taksat. Rreziku i një krizë të pasurive të paluajtshme në Kinë, do të thotë se kërkesa edhe mund të bjerë, duke u rikthyer në normat e ngadalta të viteve 2010.

Dhe një nxitje e investimeve në disa industri, do të përkthehet në fund në më shumë kapacitete dhe në një produktivitet më të lartë. Por mos u nxitoni:forcat më të mëdha që qëndrojnë pas mungesave aktuale në ekonomi, nuk do të zhduken, dhe politikanët mund të përfundojnë duke ndërmarrë politika të rrezikshme dhe të orientuara gabim.

Një ditë, teknologji të tilla si hidrogjeni duhet të ndihmojnë që energjia e gjelbër të jetë më e besueshme. Por kjo nuk do të zgjidhë tani për tani problemin e mungesave të produkteve në tregje. Ndërsa kostot e karburantit dhe energjisë elektrike po rriten, mund të ketë një reagim të ashpër.

Në rast se qeveritë nuk do të sigurojnë se ka alternativa të përshtatshme të gjelbra ndaj lëndëve djegëse fosile, ato mund të detyrohen të përballen me mungesa të mëdha, duke ulur objektivat për reduktimin e emetimeve, dhe duke iu rikthyer burime energjetike më ndotëse.

Prandaj qeveritë do të duhet të planifikojnë më me kujdes, për të përballuar kostot më të larta të energjisë, dhe rritjen më të ngadaltë ekonomike, që do të sjellë eliminimi i emetimeve në atmosferë.

Pretendimi se de-karbonizimi do të sjellë një lulëzim ekonomik të hatashëm, do të çojë drejt një zhgënjimi. Mungesat në ekonomi, mund të përforcojnë edhe joshjen ndaj proteksionizmit dhe ndërhyrjen e shtetit. Shumë votues i fajësojnë qeverinë për raftet boshe nëpër dyqane dhe për krizat energjetike.

Politikanët mund t’u shpëtojnë përgjegjësive, duke shfajësuar të huajt dhe zinxhirët e brishtë të furnizimit, si dhe duke folur për premtimin e rremë të rritjes së mbështetjes tek vetja. Qeveria britanike ka shpëtuar tashmë nga falimentimi një fabrikë të plehrave kimike, për të ruajtur furnizimin me dioksid karboni, një lëndë e parë për industrinë ushqimore. Qeveria po përpiqet të pretendojë se mungesa e fuqisë punëtore është diçka e mirë, pasi kjo do të rrisë pagat dhe produktivitetin në mbarë ekonominë. Në realitet, vendosja e barrierave për migracionin dhe tregtinë, do të sjellë rënien e të dyjave.

Leksionet e gabuara në kohën e gabuar

Problemet i nxisin shpesh njerëzit të vënë në dyshim ortodoksitë ekonomike. Trauma e viteve 1970, çoi në një refuzim të mirëpritur të qeverisë së madhe dhe Kejnesianizmit klasik. Tani rreziku është që tendosjet në ekonomi, të çojnë në një mohim të procesit të de-karbonizimit dhe globalizimit, gjë që do të ketë pasoja shkatërruese afatgjata. Ky është kërcënimi i vërtetë që vjen nga mungesat aktuale në ekonomi. / bota.al

Back to top button
Close
Close