
Nga Oliver Burkeman
Psikologët janë ndoshta studiuesit e vetëm, që sipas përcaktimit, nuk mund të shohin objektin e studimit të tyre. Nëse pasioni juaj është anatomia, mund të hapni një trup; në rast se dëshironi të kuptoni ritualet fetare polineziane, mund të merrni avionin dhe të shkoni atje, por ju s’mund të hyni dot në mendjen e një personi tjetër.
Nuk është se askush nuk ka bërë përpjekje për ta bërë këtë:në një studim të kohëve të fundit, studiuesja nga Universiteti i Nju Jorkut, Ruvani Vilhauer, hetoi mbi dukurinë e “zërave të brendshëm” që shumë njerëz pretendojnë se dëgjojnë kur janë duke lexuar, dhe zbuloi se rreth 80 përqind prej nesh është i bindur se i dëgjon ato.
Për shumë prej tyre, ai është zëri i tyre; për të tjerët janë zërat e personazheve në libër; disa thonë se e ndjejnë ardhjen e një sms me zërin e atyre që i ka dërguar. Ndoshta një ditë do të jetë e mundur për të implantuar në tru zëra të personalizuar, ashtu siç është e mundur që të kesh atë të Snoop Dogg në GPS tënd. Por unë shpresoj që kjo e fundit të mos ndodhë.
Fjalët që mungojnë
Përveç përvojave të leximit, këta zëra të brendshëm janë fokusi kryesor i shumë librave mbi vetëndihmesën dhe spiritualitetin. Arsyeja kryesore pse ne jemi të palumtur, thekson teoria, është se vazhdimisht dëgjojmë një zë brenda nesh që na tregon se nuk vlejmë asgjë, ose se të tjerët duhet të na trajtojnë ndryshe.
Ne kthehemi të jemi të lumtur vetëm kur arrijmë të ndryshojmë atë që thotë ai zë, ose kur mësojmë për ta heshtur apo injoruar atë, zakonisht me ndihmën e terapisë njohëse ose meditimit (disa ekspertë spekullojnë se llojet e tjerë të zërave të brendshëm, ata për të cilët flasin skizofrenët, janë saktësisht e njëjta gjë, por interpretohen në mënyrë të gabuar si të ardhur nga jashtë).
Megjithatë, unë mund ta kuptoj nëse ju mendoni se kjo ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Për shembull, çfarë nënkuptojmë me “zërin e brendshëm”? Jo vetëm që përvoja mund të jetë e ndryshme nga personi në person, por ndoshta nuk kemi as fjalët e duhura për ta shpjeguar atë.
Ju nuk e dini kurrë se si njerëzit më të afërt e perceptojnë botën
Kini parasysh shembullin e vetëm që jam në gjendje të sjell, që është vetja ime. Shpesh kam dyshuar se bota ime e brendshme është më pak verbale, sesa ajo e shumicës së njerëzve. “Në rast se nuk e keni vënë re, në kokën tuaj ka një dialog i vazhdueshëm mendor që nuk ndërpritet asnjëherë”- shkruan Majkëll A. Singer në librin e tij bestseller “Këngët e shpirtit tw çliruar”.
Ky është një refren që tingëllon i njohur për mua, por s’duket se më vlen.
A është kjo për shkak se mendimet e mia janë më vizuale? Ka mundësi, por duke folur me të tjerët kam filluar të dyshoj se “syri i mendjes” nuk funksionon shumë mirë:imazhet që gjeneron janë të errëta dhe pa ngjyrë, ndërsa të tyret janë të gjalla dhe të ndritshme.
Asnjë nga këto metafora shqisore – e folura, e para – nuk përputhet me atë sesi unë besoj se mendoj. Ndoshta jam i çuditshëm. Apo ndoshta jam normal, por nuk kam fjalët e duhura për ta shpjeguar atë. Nëse kaloni pak kohë për të reflektuar mbi këto gjëra, do të jetë habiteni nga e vërteta tronditëse, se hendeku midis mendjes tuaj dhe asaj të gjithëve të tjerëve është i pakalueshëm.
Ju nuk do dini kurrë se si e perceptojnë botën njerëzit që keni më pranë. Marrim për shembull intensitetin emocional:po nëse ideja e tyre se janë “tepër të lumtur”, përputhet me idenë tuaj të të qënit “relativisht të kënaqur”? Ose anasjelltas? Kush mund ta thotë?
Të ndërveprosh me të tjerët, është njëlloj si të bërtasësh nga maja e maleve, përmes shiut që bie rrëke, në disa gjuhë të ndryshme, dhe me një kapuç në kokë. Mundohuni të vizatoni këtë skenë me syrin e mendjes tuaj. Nëse e keni patur ndonjëherë.
“The Guardian” – Në shqip nga www.bota.al