AnalizaEkonomiMAIN

Pse është e pamundur të hiqet dorë nga kapitalizmi (por jo korrigjimi i tij)

Nga Fred L. Block

Sigurisht që është jorealiste të mendojmë të heqim dorë nga përdorimi i termit “kapitalizëm”, pavarësisht se sa të bazuara mund të jenë argumentet kundër një sistemi të tillë. Sidoqoftë, synimi im është t’i nxis njerëzit, që kur e dëgjojnë apo e lexojnë këtë term, të reflektojnë mbi iluzionet e shumta që lidhen me të.

Në veçanti, tre prej tyre janë shumë të rëndësishme. I pari nga këto argumente të përsëritura por të rreme, është se ne nuk mund t’i zgjidhim problemet mjedisore, të zvogëlojmë pabarazitë më ekstreme që karakterizojnë shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, apo të eliminojmë varfërinë pa e minuar prosperitetin që ka krijuar ekonomia e tregut…

Ky pohim bazohet në supozimin e rremë, sipas të cilit ekonomitë e tregut janë entitete autonome, si dhe mbi paaftësinë për të kuptuar faktin se që të funksionojnë sistemet e tregut nevojiten kufij në ndjekjen e interesave vetjake ose grupeve individuale.

Ata që e mbështesin këtë argument, i referohen shpesh tezës së perversitetit, pra masave të motivuara nga qëllimet e mira, si paga minimale, programet sociale për ndihmën e më të varfërve apo një grupimi masash, përmes të cilave shteti ndërhyn për të rregulluar ekonominë, dhe të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkaktojnë pasoja perverse, për shkak se ato ndërhyjnë në aftësinë e mekanizmit të çmimeve për të optimizuar përdorimin e burimeve ekonomike në dispozicion të një ekonomie.

Por nëse ne heqim qafe idenë se tregu është një njësi autonome, e pajisur me lëvizjen e vet të pavarur, mund të kuptojmë se si pasojat e lartpërmendura nuk përbëjnë rezultate të pashmangshme. Në fakt, ne mund të identifikojmë një mekanizëm pervers që qëndron në themel të vetë funksionimit të ekonomive të tregut.

Përpjekjet e bëra nga e djathta për të eleminuar grupimin e rregullave që mbrojnë punëtorët dhe konsumatorët, vetëm sa e inkurajojnë botën e biznesit që të rrisë fitimet e veta, duke i shkarkuar kostot mbi punëtorët, konsumatorët dhe të tjerët.

Vendimet e Gjykatës së Lartë të SHBA-së të përmendura më lart, të cilat synojnë tejkalimin e kufijve të financimit privat të fushatave zgjedhore, ndihmojnë në krijimin e një lloj oligarkie, pasi ato e zgjerojnë fuqinë dhe ndikimin mbi sistemin politik të elitave ekonomike në pushtet.

Dhe kjo oligarki minon seriozisht dinamizmin ekonomik, për shkak se kompanitë që janë të mbrojtura nga konkurrenca, nuk kanë thuajse asnjë nxitje për të investuar apo përdorur inovacione.

Iluzioni i dytë themelor, është se të gjitha përpjekjet që synojnë transformimin e mekanizmave funksionues të ekonomisë së tregut janë të dënuara të dështojnë, pasi ato janë të papajtueshme me ADN-në e kapitalizmit.

Ky ka qenë argumenti i preferuar i përdorur nga e djathta për të denigruar çdo hipotezë të reformimit të tregut, që synon mbrojtjen e mjedisit apo zvogëlimin e pabarazive. Ky iluzion mund të rrëzohet lehtësisht nëse kemi parasysh të gjitha transformimet që kanë ndodhur gjatë 2 shekujve të fundit në shoqëritë e bazuara në ndjekjen e fitimit ekonomik privat.

Në fakt, shoqëritë më të përparuara kanë kaluar nga një regjim i bazuar në qeverisjen e elitave të vogla, tek demokracia e masave. Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në madhësinë dhe peshën e politikave shtetërore dhe publike, dhe niveli i arsimimit të popullatave është përmirësuar shumë.

Aktualisht, ne as që mund ta imagjinojmë se çfarë transformimesh do të ndodhin gjatë shekullit të ardhshëm, nëse shoqëria riorganizohet rreth modelit të ekonomisë së strehimit.

Dy shekujt e kaluar në Shtetet e Bashkuara, janë karakterizuar nga një strukturë në thelb e pandërprerë e institucioneve, ku prishja e strukturave të vjetra të pushtetit, alternohej me lindjen e institucioneve dhe balancave të reja.

Dy kalimet historike që shënuan shkëputjen më të madhe ishin Lufta Civile dhe New Deal, por edhe epoka progresiste (1890-1920) dhe vitet 1960 përfaqësuan gjithashtu momente të rëndësishme të reformës.

Në vend se ta mendoni historinë e Amerikës si një letër lakmusi të një rendi kapitalist të pandryshueshëm, është e rëndësishme të kuptoni se si të gjitha këto epoka të ndryshme reformash, kanë luajtur rol jetik në mbështetjen dhe ruajtjen e dinamizmit të ekonomisë amerikane.

Në fakt, Shtetet e Bashkuara po presin prej kohësh një epokë tjetër të reformave. Ndër 50 vjet, që prej sezonit të fundit i reformave dhe deri më sot, SHBA ka marrë gjithnjë e më shumë tiparet e një shoqërie oligarkike, me nivele ekstreme çekuilibri në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë kombëtare, dhe me një përqendrim të pamatshëm të pushtetit në duart e një sistemi sipërmarrjesh, që është i izoluar nga konkurrenca e brendshme dhe ndërkombëtare. Realiteti është pikërisht i kundërt me atë që predikon e djathta:në rast se duam që të vazhdojmë të kemi një sistem ekonomik efikas dhe konkurrues, ne duhet të përdorim mjetet që na ofron politika për të riformuar mënyrën e funksionimit të tregut.

Iluzioni i tretë i rëndësishëm, është supozimi se nuk mund të ketë alternativa ndaj gjendjes aktuale të punëve, sepse sipas përkufizimit klasik, kapitalizmi sjell me vete një lloj tregu autonom dhe vetë-rregullues.

Akoma më i vërtetë është fakti se nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk do të ketë një treg të pavarur, pasi veprimi i shtetit është thelbësor për të bërë funksionalë sistemet e tregut. Për më tepër, e njëjta kompani kontribuon në rimodelimin e vazhdueshëm të ekonomisë së tregut.

Prandaj, ekziston gjithmonë mundësia e riorganizimit të tregut në mënyrë alternative, siç është përshtatja e tij me demokracinë, barazinë dhe qëndrueshmërinë mjedisore.

Gjithsesi, për të ndjekur mënyra alternative të zhvillimit kapitalist, është e nevojshme të ndryshohen rregullat dhe që të jenë institucionet ato që e qeverisin ekonominë globale. Këto struktura mund dhe duhet të vendosin kufij në kompleksin e shtigjeve të zhvillimit të mundshme ndaj një kompanie të caktuar. Por vetë rregullat e qeverisjes së ekonomisë botërore nuk janë statike, dhe as fikse të pandryshueshme.

Përkundrazi, ato i nënshtrohen një ri-negocimi dhe ri-përcaktimi të vazhdueshëm. Prandaj, ekziston një mundësi reale për t’i ndërlidhur duke bërë që të bashkëveprojnë në reciprocitet, duke sjellë politika të reja për kryerjen e reformave në nivel kombëtar dhe atë global.

Shënim: Pjesë nga libri “Kapitalizmi: E ardhmja e një iluzioni” nga Fred L.Block. / “Linkiesta” – Bota.al

Back to top button
Close
Close