AnalizaMAIN

Pse gazsjellësi “Nord Stream 2” është “Thembra e Akilit” për Gjermaninë dhe Evropën

Nga Judy Dempsey

“Carnegie Europe”

Kur flitet për marrëdhëniet me Gjermaninë, gazsjellësi “Nord Stream 2” i jep Rusisë pothuajse gjithçka që ka dëshiruar prej kohësh. Ai i jep mundësi Kremlinit të dërgojë direkt gazin nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik.

Po ashtu, ky gazsjellës i jep mundësi Moskës të forcojë akoma më shumë lidhjet e saj ekonomike dhe politike me biznesin dhe politikanët gjermanë, në mënyra të tilla që do të ndikojnë mbi vendimet brenda BE-së sa i përket çështjeve energjitike.

Gerhard Schröder, ish-kancelari socialdemokrat i Gjermanisë, është aktualisht kryetar i komitetit të aksionerëve të projektit “Nord Stream AG”. Ai i ofron Rusisë një trofe që ajo e ka kërkuar prej kohësh:aftësinë për të përdorur gazsjellësin si një armë për të dalë nga varësia që ka aktualisht nga Kievi dhe për ta shantazhuar Ukrainën, si një nga vendet kryesore tranzit të gazit rus që transportohet në Evropë.

Mbi të gjitha, ajo i heq Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së mekanizmat që mund të ishin përdorur për të ushtruar presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për shumë çështje.

Kështu Gjermania mund të kishte ndaluar përfundimin e ndërtimit të këtij gazsjellësi, si një mjet presioni dhe mbështetje ndaj figurës kryesore të opozitës ruse, Alexei Navalny, që aktualisht ndodhet në burg.

Gjithashtu, Berlini mund ta kishte përdorur atë për të mbrojtur organizatat joqeveritare ruse që janë nxjerrë jashtë ligjit nga regjimi. Kohët e fundit e ka zgjeruar goditjen e saj edhe ndaj organizatave gjermane të shoqërisë civile që punojnë me homologët e tyre rusë.

Kremlini këmbënguli që ato të përjashtohen nga Dialogu vjetor Gjermano-Rus i Petersburgut, që supozohet të lehtësojë kontaktet midis grupeve të shoqërisë civile, think-tankeve dhe  vendimmarrësve nga të dyja vendet. Në shenjë proteste qeveria gjermane e ka pezulluar tani për tani këtë dialog, pavarësisht presionit në prapaskenë nga politikanët gjermanë që kanë lidhje të ngushta me Kremlinin.

Ndërkohë “Nord Stream” mund të ishte përdorur si një levë për të mbështetur mijëra qytetarë bjellorusë që protestuan paqësisht kundër zgjedhjeve presidenciale të manipuluara të gushtit të vitit të kaluar, ku Alexander Lukashenko u zgjodh për një mandat të katërt në këtë detyrë.

Që nga ajo kohë, shumë prej tyre janë arrestuar. Ndërkohë, Lukashenko mbetet në pushtet me mbështetjen politike, ekonomike dhe të shërbimit sekret rus. Në vend se të ndodhte kjo, “karta” e “Nord Stream” është lënë jashtë tryezës. Dhe kjo falë Angela Merkelit.

Që kur u bë kancelare në fund të vitit 2005, ajo ka mbështetur vazhdimisht një projekt që minon vlerat dhe interesat e Gjermanisë. Kjo mbështetje ka ndikuar dhe po ndikon tek marrëdhëniet e Berlinit me disa qeveri, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara, e cila nën presidentin Joe Biden po e kundërshton hapur“Nord Stream”, por nuk do ta ndali dot atë.

Kur bëhet fjalë për këto ndarje brenda BE-së dhe midis Berlinit dhe Uashingtonit, Rusia nuk mund të kërkojë më shumë sesa kaq. Pra, nëse BE-ja do të krijojë një marrëdhënie strategjike me Rusinë dhe se kur mund të ndodhë kjo, do të jetë Gjermania ajo që do të përcaktojë kushtet.

“Nord Stream”, do të jetë në gjendje që t’ia lidhë duart në mënyra që minojnë interesat dhe vlerat e Gjermanisë dhe Evropës. Ajo që po ndodh me “Nord Stream 2” dhe brenda BE-së ka pasoja më të madha për demokracinë evropiane. Partia Ligj dhe Drejtësi në Poloni, po distancohet sistematikisht nga pavarësia e gjyqësorit dhe gjykatave në vend.

Edhe nëse gjyqësori kishte nevojë për disa reforma, kjo nuk do të kërkonte kurrsesi heqjen e imunitetit të gjyqtarëve dhe emërimin e besnikëve të partive në pozicionet drejtuese në hierarkinë gjyqësore. Në Hungari, është i mirë-njohur abuzimi me fondet e BE-së për të financuar projekte që do të blejnë edhe më shumë mbështetje për partinë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban është i njohur mirë.

Në kushtet e paaftësisë së BE-së për të projektuar një qëndrim koherent të politikës së jashtme ndaj Kinës dhe çështjes së Hong Kongut, Hungaria e ka përdorur veton e saj për të ndalur kritikat ndaj shtypjes që po i bën Kina të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias në Hong Kong.

As Hungaria dhe Polonia nuk bëjnë përjashtim. Ishte Departamenti amerikan i Thesarit, dhe jo BE që evidentoi me emër disa politikanë dhe biznesmenë bullgarë për korrupsion dhe lidhje të dyshimta me Rusinë.

Kjo ka ndodhur me gjithë thirrjet e përsëritura nga gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe aktivistët e shoqërisë civile bullgare, që kanë bërë fushatë për një gjyqësor transparent dhe të pavarur, por të cilat janë shpërfillur nga Bashkimi Evropian. Kështu, Brukseli hodhi poshtë vlerat dhe interesat kryesore të tij.

Ajo çka u tha më lart tregon sesi po sfidohen nga brenda themelet demokratike të BE-së. Është e lehtë ta fajësosh Rusinë dhe Kinën për minimin e unitetit të Evropës, vlerat demokratike dhe institucionet e saj. Kreu i agjencisë së brendshme të inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, paralajmëroi kohët e fundit se shërbimi sekret rus e ka “rritur ndjeshëm aktivitetin e tij” në Gjermani.

“Ai është po aq aktiv sa gjatë Luftës së Ftohtë. Rusia po përdor agjentë për të vendosur kontakte me vendimmarrësit politikë. . . Metodat e saj po bëhen më të ashpra dhe mjetet më brutale”- theksoi ai. Bruno Kahl, president i agjencisë së inteligjencës së jashtme gjermane, deklaroi se Rusia dhe Kina po përpiqeshin të “nxisnin përçarje midis shteteve në Perëndim”.

Pra nuk mund të ketë asgjë më të qartë sesa këto deklarata. Evropa po shndërrohet në një “shesh lojërash” të spiunazhit për interesat ruse dhe kineze, pasi disa shtete anëtare po i lejojnë ato që t`i vendosin kundra njëra-tjetrës qeveritë e BE-së.

Ndër të tjera Gjermania, ka ende në dorë të fitojë epërsinë, duke e mbyllur këtë “shesh lojërash”. Po të ndodhte kjo – gjithmonë nëse nuk është tepër vonë – BE do të ishte në një pozicion shumë më të fortë politik dhe ekonomik për t’u angazhuar në skenën globale.

Back to top button
Close
Close