AnalizaMAIN

Pse Italia mbetet e paqeverisëshme?

Nga Tim Parks

Mund t’i privoni nga Krishtlindjet, nga nata e Vitit të Ri, por nuk mund t’u mohoni italianëve të drejtën e tyre për një krizë qeveritare. Duke dalë nga një bllokim i vështirë që nisi në fillim të janarit të këtij viti, ky vend i dhuroi vetes me një psikodramë politike, që tejkaloi gjithçka tjetër që unë kam parë gjatë 40 viteve të mia në Itali.

Si fillim pak histori. Imagjinoni dy dhoma të parlamentit – Senatin, Dhomën e Deputetëve – që të dyja me kompetenca absolutisht të barabarta, por të zgjedhura në mënyra të ndryshme, dhe të ndërtuara në një mënyrë që ka shumë të ngjarë që njëra të anulojë tjetrën.

Ndërkohë imagjinoni një sistem elektoral shumë të ndërlikuar, pjesërisht proporcional, që garanton një distancim maksimal midis anëtarëve të zgjedhur dhe elektoratit. Kjo së bashku me një traditë të fragmentimit politik, që nuk lejon asnjë parti të vetme të ketë ndonjëherë shumicën në të dyja dhomat.

Dhe tani shtojini kësaj “recete” të mos-qeverisjes, joshjen e pagave shumë të larta për senatorët dhe deputetët (rreth 2-fishi i deputetëve britanikë), dhe tërheqjen nga një pension i mirë nëse parlamenti do të shërbejë gjatë mandatit të tij të plotë.

Zgjedhjet e marsit të vitit 2018, rikthyen një parlament shumë të ndërvarur. Lëvizja anti-establishment Pesë Yjet (M5S), fitoi një shumicë relative në të dyja dhomat. Por ajo ishte betuar se nuk do të qeveriste kurrë me ndonjë nga partitë tradicionale.

Vetëm pas 3 muajsh sherresh u krijua një koalicion i çuditshëm midis M5S dhe LEGA-s populiste, e cila braktisi partnerët e saj në të djathtë, një rezultat që askush nuk do ta dëshironte kur po hidhte votën. Në kushtet kur si Pesë Yjet ashtu dhe LEGA nuk ishin të gatshme t’ia linin postin e kryeministrit njëra-tjetrës, u thirr nga jashtë një njeri i pashëm dhe i pazgjedhur:avokati dhe profesori Giuseppe Conte, një njeri me shumë sharm dhe vanitet, dhe me një aftësi të pafundme për të luajtur në prapaskenë.

Ai qeverisi deri në verën e vitit 2019, kur kreu i LEGA, Matteo Salvini, popullariteti i të cilit ishte rritur falë qëndrimit të tij të ashpër kundër emigracionit, kërkoi një votë mosbesimi në parlament ndaj qeverisë Conte, si dhe zgjedhje të parakohshme. Lëvizja e tij rezultoi në një gafë të madhe.

Salvini i kishte bërë llogaritë gabim. Dy armiqtë e betuar ndaj njëri-tjetrit, por që ishin keq në sondazhe, demokratët e qendrës së majtë (PD) dhe M5S, zgjodhën të bashkoheshin, për të shmangur një katastrofë elektorale në rastin e zgjedhjeve të reja.

Conte ishte i kënaqur që vazhdoi punën si kryeministër. Gjithsesi, po të mos kishte qenë Covid-19, vështirë se ajo “brigadë” e rrëmujshme, mund të mbijetonte për shumë kohë.

Që nga marsi i vitit 2020, të gjithë kishin një mision të qartë:të na mbyllnin që të gjithëve nëpër shtëpi, që të mos sëmureshim.

Pasi shpallën një gjendje të jashtëzakonshme pak a shumë të përhershme, ata mund të qeverisnin me dekrete, duke e injoruar në përgjithësi parlamentin. Conte shpërndante për italianët njoftime dramatike natën vonë përmes llogarisë së tij në Facebook.

Në këtë mënyrë, ai u bë njeriu më popullor në vend. Dhe ajo u konfirmua me suksesin e tij më të madh:Fondin e Rimëkëmbjes të akorduar nga Bashkimi Evropian. Conte kishte këmbëngulur që Brukseli të ndihmonte në shpëtimin e Italisë.

Në fund, Italia mori 81 miliardë euro në grante, dhe 127 miliardë euro në kredi të lira, me kushtin – dhe këtu lindën fërkimet – që të hartonte një plan të besueshëm për shpenzimin e parave. Përmes disa pretendimesh, Conte e zvarriti këtë çështje, duke synuar ta mbante projektin larg parlamentit.

Matteo Renzi është njeriu më i urryer në Itali. Kur u bë kryeministër si drejtues i Partisë Demokratike në vitin 2014, në moshën vetëm 39 vjeçare, ai ishte më i dashuri nga italianët. Ai është karizmatik, i sigurt në vetvete, shumë inteligjent. Këto janë karakteristika të mira kur jeni në ngjitje, por jo në pushtet.

Në pushtet duhet të konsultohesh me të gjithë dhe jesh i përulur. Ky nuk ishte stili i Renzit. Në momentin që shtypi nisin ta etiketonte si “arrogant”, edhe popullariteti i tij nisi të bjerë.

Qeveria e dytë e Contes sapo ishte formuar, kur Renzi u shkëput nga PD, duke marrë me vete 26 deputetë dhe 14 senatorë për të formuar partinë Italia Viva.

Me këtë parti ai do ta mbante qeverinë gjithmonë në tension. Ç’është më e rëndësishmja, në Senat ai kishte në dorë ekuilibrat. Conte, tha ai, duhet t’i prezantojë planet e tij të shpenzimeve në parlament. Conte rezistoi, i sigurt në popullaritetin e tij mbresëlënës.

Më 13 janar 2021 Renzi e tërhoqi partinë e tij nga qeveria, duke e lënë atë pa shumicë. Në të gjithë vendin, në çdo gazetë dhe në emisione radiotelevizive, ekspertët shprehën tmerrin e tyre. Një krizë politike në mesin e një pandemie! Nëse do të thirreshin zgjedhjet e reja,

Renzi do të ishte përgjegjës për mijëra vdekje.

Ai ishte një demon, Conte një shenjtor. Në Senat, nisi kërkimi për 20 e ca “të përgjegjshëm” që do të tradhtonin partitë e tyre, dhe do ta mbanin Conten në pushtet dhe në ekranet tona televizive. Situata i ngjante një tregu të gjësë së gjallë.

Në mesin e ftesave për dezertim dhe një orteku fyerjesh në mediat sociale, Renzi u përpoq të mbante kompakt grupimin e tij. Në votimin vendimtar të 19 janarit, u gjetën disa “të përgjegjshëm”, dhe me abstenimin e zgjuar të Italia Viva, Conte mbijetoi.

Çfarë gëzim mbarëkombëtar! Sidoqoftë, Renzi ruante ende ekuilibrin e fuqisë, në rast se vendoste ta përdorte atë. I vetëdijshëm se kjo do ta bënte qeverinë të pasigurt në një përmasë të rrezikshme, presidenti Sergio Mattarella i kërkoi Contes të gjente një shumicë më të qëndrueshme.

Ai nuk mundi, ndaj dha dorëheqjen më 26 janar. Pas një jave negociatash të ethshme, Mattarella ftoi më 3 shkurt Mario Draghi të formonte një qeveri për 2 vitet e mbetura të kësaj legjislature. Conte u eklipsua. Po, ai ishte një shenjtor, por sot Draghi është një zot.

Si president i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Draghi e shpëtoi euron. Ai është italiani më i njohur në skenën ndërkombëtare. Dhe një mik i Merkelit! Ish-drejtor i bankës amerikane “Goldman Sachs”, dhe shumë i sulmuar dikur nga M5S.

Shpëtimtari i euros, duhet të ishte i neveritshëm edhe për LEGA-n euroskeptike. Por jo. Çuditërisht, të gjitha partitë donin të shërbenin në qeverinë e Draghi. PD, Italia Viva, LEGA, M5S dhe madje edhe Forza Italia e Silvio Berlusconi. Befas, armiqtë ishin të kënaqur që punonin bashkë.

I gjithë kombi ishte në eufori. Vetëm partia e krahut të djathtë Fratelli d’Italia mbeti në opozitë. A do të ketë sukses Draghi? Sigurisht, ai do të punojë që Fondi i Rimëkëmbjes të shpenzohet siç duhet. Por ideja që koalicioni i çuditshëm që e mbështet, mund të miratojë reformat rrënjësore që ai ka shpallur (në sistemin e drejtësisë, sistemin e taksave, sistemin shëndetësor dhe administratën publike), është një ëndërr akoma më e çmendur.

Sapo u betua në detyrë, mbërriti “varianti anglez” i koronavirusit. Dhe gjëja e parë që ishte i detyruar të bënte Draghi, ishte të na rikthente sërish në bllokim, duke përdorur menjëherë mjetin e preferuar legjislativ të Contes, dekretin e kryeministrit.

Në Milano, ushtarët me mitralozë patrullojnë Piazza Duomo-n e boshatisur. Pronari i pubit ku shkoja zakonisht, më thotë se është i rrënuar nga financat. Vaksinat janë në mungesë. Midis kaq shumë gjërave të zymta, ne duhet të jemi mirënjohës për një ndryshim të madh ka ndodhur.

Bankieri Draghi, nuk shfaqet në emisionet politike, nuk bën postime në mediat sociale, dhe nuk ka ndonjë oreks për t’iu drejtuar vazhdimisht kombit. Media, që e adhuronte qasjen e Contes, është e habitur nga një shprehje e tillë e pjekurisë, por ajo vazhdon ta urrejë Renzi-n, që nuk do t’i falet kurrë pse pati të drejtë. Conte, që nuk ishte asnjëherë anëtar i M5S, e pranoi menjëherë ftesën për t’u bërë udhëheqësi i saj, ndërsa kreu i PD dha dikur dorëheqjen i sulmuar nga të gjitha anët. / “New Statesman”

Back to top button