Ide

Psikologji / Katër temperamentet e personalitetit tonë (nga lashtësia)

Filozofi dhe mjeku romak Claudius Galen formuloi një koncept të llojeve të personalitetit bazuar në teorinë e lashtë greke të humorizmit, e cila përpoqej të shpjegonte funksionimin e trupit të njeriut.

Rrënjët e humorizmit shkojnë tek Empedokli (rreth viteve 495-435 pes), një filozof grek që sugjeronte se cilësitë e ndryshme të katër elementëve bazë – toka (e ftohtë dhe e thatë), ajri (i ngrohtë dhe i lagësht), zjarri (i ngrohtë dhe i thatë), dhe uji (i ftohtë dhe i lagësht) – mund të shpjegojnë ekzistencën e të gjitha substancave të njohura. Hipokrati (vitet460–370 pes), “Babai i Mjekësisë”, zhvilloi një model mjekësor të bazuar në këto elemente, duke ia atribuar cilësitë e tyre, katër lëngjeve brenda trupit. Këto lëngje quheshin “humor” (nga latinishtja umor, që do të thotë lëng trupor).

Dyqind vjet më vonë, Galeni e zgjeroi teorinë e humorizmit në atë të personalitetit; ai shihte një lidhje të drejtpërdrejtë midis niveleve të humorit në trup dhe prirjeve emocionale dhe të sjelljes – ose “temperamenteve”.

Katër temperamentet e Galenit – sanguin, flegmatik, kolerik dhe melankolik – bazohen në ekuilibrin e humorit në trup.

Nëse njëri prej humoreve zhvillohet me tepri, tipi përkatës i personalitetit fillon të dominojë. Një person sanguin ka shumë gjak (sanguis në latinisht) dhe është i ngrohtë, i gëzuar, optimist dhe i sigurt, por mund të jetë egoist. Një person flegmatik, që vuan nga flegma e tepërt (phlegmatikós në greqisht), është i qetë, i sjellshëm, i ftohtë, racional dhe i qëndrueshëm, por mund të jetë i ngadaltë dhe i turpshëm. Personaliteti kolerik (nga greqishtja kholé, që do të thotë biliar) është i zjarrtë, që vuan nga teprica e lëngut të verdhë të tëmthit. Dhe në fund, melankoliku (nga greqishtja melas kholé), i cili vuan nga teprica e tëmthit të zi, njihet për prirjet poetike dhe artistike, të cilat shpesh shoqërohen edhe me trishtim dhe frikë.

Çekuilibër në humor

Sipas Galenit, disa njerëz lindin të predispozuar ndaj disa temperamenteve. Megjithatë, duke qenë se problemet e temperamentit shkaktohen nga çekuilibri i humorit, ai pohonte se ato mund të kurohen me dietë dhe stërvitje. Në raste më ekstreme, kurat mund të përfshijnë pastrimin dhe nxjerrjen e gjakut. Për shembull, një person që vepron me egoizëm është tepër sanguin dhe ka shumë gjak; kjo korrigjohet me prerje të vogla në vena, për të nxjerrë gjak.

Doktrinat e Galenit dominuan mjekësinë deri në Rilindjen, kur ato filluan të bien në dritën e kërkimeve më të mira.

Në vitin 1543, mjeku Andreas Vesalius (1514-1564), që praktikonte në Itali, gjeti më shumë se 200 gabime në përshkrimet e anatomisë së Galenit, por megjithëse idetë mjekësore të Galenit u diskredituan, ai më vonë pati ndikim tek psikologët e shekullit të 20-të. Në vitin 1947, Hans Eysenck arriti në përfundimin se temperamenti është i bazuar biologjikisht dhe vuri në dukje se dy tiparet e personalitetit që ai identifikoi – neurotizmi dhe ekstraversioni – u bënin jehonë temperamenteve të lashta.

Megjithëse humorizmi nuk është më pjesë e psikologjisë, ideja e Galenit se shumë sëmundje fizike dhe mendore janë të lidhura, përbën bazën e disa terapive moderne. /

KUSH ISHTE GALENI?

Claudius Galenus, i njohur më mirë si “Galeni i Pergamonit” (tani Bergama në Turqi) ishte një mjek, kirurg dhe filozof romak. Babai i tij, Aelius Nicon, ishte një arkitekt i pasur grek që i dha atij një arsim të mirë dhe mundësi për të udhëtuar. Galeni u vendos në Romë dhe u shërbeu perandorëve, përfshirë Marcus Aurelius, si mjeku kryesor. Ai mësoi për kujdesin ndaj traumës gjatë trajtimit të gladiatorëve profesionistë dhe shkroi më shumë se 500 libra në mjekësi. Ai besonte se mënyra më e mirë për të mësuar ishte përmes disektimit të kafshëve dhe studimit të anatomisë. Megjithatë, edhe pse Galeni zbuloi funksionet e shumë organeve të brendshme, ai bëri gabime sepse supozoi se trupat e kafshëve (të tilla si majmunët dhe derrat) ishin tamam si ato të njerëzve.

bota.al

Back to top button