Bota

Raporti: Rusia mbështeti 58 për qind të sulmeve kibernetike kundër qeverive të huaja

58 për qind e sulmeve kibernetike nga hakerët kundër qeverive, njësive dhe kompanive të huaja të mbështetura nga shteti vijnë nga Rusia. Ky fakt denoncohet nga kompania “Microsoft” në raportin e saj të dytë vjetor mbi mbrojtjen dixhitale, që mbulon periudhën korrik 2020-qershor 2021.

Ndër objektivat kryesorë të këtyre sulmeve, kanë qenë agjencitë qeveritare dhe qendrat e studimit në Shtetet e Bashkuara, Ukrainë, Britani, dhe vendet e tjera evropiane anëtare të NATO -s. Dokumenti thekson gjithashtu se sulmet kibernetike janë në rritje.

Krahasimi me vitin e kaluar zbulon se shkalla e suksesit të hakerëve të sponsorizuar nga shteti rus, është rritur nga 21 në 32 për qind. Kjo falë kompanisë amerikane “Solar Ëinds”. Sulmi synonte të vidhte të dhëna nga institucionet qeveritare amerikane, por goditi një numër vendesh të tjera, përfshirë Britaninë, Spanjën, Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kanadanë, Meksikën.

Ai u zbulua vetëm në 13 dhjetor 2020, por në fakt kishte filluar që të paktën në tetorin e vitit 2019, dhe kishte nisur vjedhjen e të dhënave të qeverisë federale amerikane të paktën që nga marsi i vitit të kaluar. Gjithsesi, efektiviteti i Rusisë është ende inferior ndaj atij të Kinës, ku edhe pse vetëm me 8 për qind të sulmeve të mbështetura nga shteti dhe të zbuluara nga “Microsoft”, të suksesshme ishin 44 për qind e tyre.

Që nga fundi i viteve 1990, Ushtria Çlirimtare Popullore  e Kinës, vendosi të investonte në luftërat kibernetike kundër “sistemeve armike”. Ndërkohë në Rusi, shërbimet sekrete i kane thelluar shumë njohuritë në këtë fushë për shkak të hakerëve vendas.

Sidoqoftë, edhe Kina ka rënë në klasifikim, krahasuar me 8 për qind në 12 muajt e mëparshëm. Në vendin e dytë është Koreja e Veriut, që është rritur nga 11 në 23 për qind. Specialiteti i Koresë së Veriut është spear-phishing, që synon individët zakonisht përmes postës elektronike.

Fakti që shkalla relative e dështimit është 94 për qind, tregon se në këtë rast sasia është rritur në dëm të cilësisë. Në përgjithësi, sulmet kibernetike të mbështetura nga shteti kanë një normë suksesi prej 10-20 për qind.

Në fakt, “Microsoft” zbuloi se vetëm 4 për qind e të gjithë hakerëve të sponsorizuar nga shteti, synojnë të godasin infrastrukturën më jetike të një vendi. Dhe rusët janë shumë më pak të prirur në këtë aspekt sesa kinezët ose iranianët. Ndonëse “Microsoft” punon në kontakt të ngushtë me organet qeveritare amerikane, në raportin e kompanisë nuk përmendet se çfarë po bëjnë vetë hakerët amerikanë.

SHBA është objektivi kryesor i hakerave të huaj. Ajo është goditur 3 herë më shumë sesa numri 2 në këtë listë që është Kina. Në vendin e tretë renditet Japonia. Më pas vijnë Gjermania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Natyrisht, shpërblimi kërkohet nga ata që kanë para.

Megjithatë, shumica e këtyre operacioneve, nuk synojnë një shpërblimin financiar apo sabotimin, por thjesht mbledhjen e informacionit. Në këtë kuptim, ato ndoshta shfrytëzohen për të dërguar mesazhe apo për të mashtruar kundërshtarin.

Kjo është arsyeja pse presidenti amerikan Xho Bajden ishte në siklet kur u publikua në media historia e sulmeve ndaj “Solar Winds”, dhe disa kongresmenë të zemëruar bënë thirrje për hakmarrje kundër Kremlinit.

Më pas Bajden artikuloi disa kritika të mekura ndaj Putin, por e pati të vështirë të tërheqë një vijë të kuqe midis asaj që mund dhe nuk mund të pranohet. Sipas “Microsoft” në praktikë nuk do të merret asnjë masë. Për më tepër, edhe nëse po zvogëlohet, aktiviteti i hakerave që përdor Kina në shërbim të interesave të saj gjeopolitike, vazhdon të jetë më i rrezikshëm. Sidomos spiunazhi kibernetik kundër ministrive të jashtme të vendeve të Amerikës Latine, ku Kina po investon në kuadër Nismës së Brezit dhe Rrugës; apo ndaj universiteteve të Tajvanit dhe Hong Kongut, të konsideruara si armiqësore ndaj regjimit të Pekinit.

Rezultatet e hulumtimit, do të hedhin poshtë klishenë se kinezët janë të interesuar vetëm për vjedhjen e pronësisë intelektuale. Pas sulmeve ndaj “Solar Winds” të zbuluara në dhjetor 2020, rusët u përqendruan kryesisht tek agjencitë qeveritare të përfshira në politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, të pasuara nga grupet e ekspertëve dhe pastaj kujdesi shëndetësor, ku ata u fokusuan tek organizatat për zhvillimin dhe testimin e vaksinave ndaj Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Izrael, Indi dhe Japoni.

Me sa duket deri tani nuk kanë pasur shumë rezultate, duke pasur parasysh faktin se Rusia po thyen rekorde të reja të të vdekurve nga pandemia çdo ditë.

Por raporti parashikon që efektiviteti i shtuar kohët e fundit i hakerëve shtetërorë rusë “mund të paralajmërojë angazhime të tjera me ndikim më të madh vitin e ardhshëm”. Mbi 92 për qind e aktivitetit të zbuluar të rusëve, ka të bëjë me ekipin elitar të hakerimit të agjencisë ruse të inteligjencës së huaj SVR, i njohur ndryshe si “Cozy Bear”.

Back to top button