Analiza

Revolucioni, makthi më i keq për rusët

Nga Maxim Goryunov*

“Moscows Times”

Screen Shot 2015-03-17 at 13.03.39

Autoritetet filluan të flasin edhe më shpesh këtë vit, në lidhje me kërcënimin e një të ashtuquajturi “revolucioni me ngjyrë”, pavarësisht nga fakti se, deri në vendosjen e sanksioneve të fundit, rusët ishin më mirë se kurrë më parë në historinë e tyre – dhe ata e dinin atë.

Një dukuri e tillë duket e çuditshme për një vëzhgues të huaj: Pse qytetarët do të organizonin një revolucion, pikërisht në momentin që ata kanë mundësinë e tyre të artë për të blerë një makinë të dytë për familjen dhe një apartament të madh, ose për të kryer udhëtimin aq gjatë të ëndërruar jashtë vendit? A është zhvillimi ekonomik, kundërhelmi më i mirë ndaj revolucionit?

Ngjashëm, propaganda e qeverisë në mënyrë efektive vë në zbatim teknikën e ngritjes së spektrit të revolucionit, në mënyrë që të bllokojë një popullsi që thuajse edhe kështu aktualisht është e palëvizshme. Autoritetet duhet vetëm të shpallin fjalën “revolucion” dhe thuajse të 143 milionë rusët “ngrijnë” në gjurmët e tyre, sikur të ishin magjepsur. Po çfarë e shkakton këtë dukuri të çuditshme?

Frika nga revolucioni është ndoshta një nga frikërat më të këqija të popullit rus, së bashku me kërcënimin e shpërbërjes së vendit, apo edhe më tej pushtimin nga Kina të Lindjes së Largme dhe Siberisë. Kjo frikë, krahasohet për intensitet, me atë që do të ndjenin banorët e ndonjë fshati të largët të Rusisë, nëse qyteti i tyre paprimtas do të përmbytej me emigrantë nga Azia Qendrore, apo me atë që shumica e rusëve do të ndienin, nëse dikush si për shembull lideri çeçen Ramzan Kadirov, do të merrte befas pushtetin në Kremlin.

Këto janë emocione të forta, të rrënjosura thellë në faktorë kulturorë, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me parashikimet politike apo ekonomike. Frika nga revolucioni arrin shpesh përmasa mistike dhe apokaliptike. Dhe me të vërtetë, për shumë nga rusët e zakonshëm, një revolucion fjalë për fjalë, do të sinjalizonte fundin e botës, me qiellin e mbushur me shtatë engjëj që u bien borive, sikurse profetizoi Shën Gjoni Pagëzori.

Dhe kjo frikë është përhapur, siç shihet, nga rritja e një lëvizjeje të tërë politike, prej nacionalizmit rus. Edhe para ngjarjeve në Ukrainë, retorika e nacionalistëve – gjithmonë tejet emocionale dhe plot teprime – paralajmëroi fatkeqësinë e afërt: revolucionin, pushtimin dhe kolonizimin e territorit rus, nga ana e fuqive të huaja.

Përveç kësaj, Kisha Orthodhokse e Rusisë dhe grupet pranë saj shtypin shpesh botime që përmbajnë koleksione profecish të tmerrshme, rreth ditëve të fundit të Rusisë, të cilat janë provuar se janë shumë popullore nëpër provinca. Këto trakte thonë se revolucioni dhe grushti i shtetit janë shenjat e pagabueshme të Ardhjes së Dytë.

Shumica e rusëve, do të reagonin shumë negativisht ndaj çfarëdolloj revolucioni – komunist, liberal, nacionalist, apo nën flamurin e zi të fundamentalizmit ortodoks. Ky mentalitet nuk është formuar në një zbrazëti, por si rezultat i disa fushatave të gjera mediatike që autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë gjatë 25 viteve të fundit.

Fushata e parë e tillë filloi në 1991, me publikimin e mijëra dokumenteve, të cilat denonconin bolshevikët dhe Vladimir Leninin për bashkëpunim me shërbimin sekret gjerman, akte dhune të pajustifikueshme, si dhe për ndjekjen e planeve utopike për ristrukturimin e shoqërisë ruse, në bazë të dogmave marksiste. Dokumentet fajësonin revolucionarët për të gjitha të këqijat e shumta që Rusia vuajti më pas gjatë pjesës dërrmuese të shekullit XX-të, nga dështimi për të mposhtur Gjermaninë në Luftën e Parë Botërore, tek kriza e rëndë ekonomike që Bashkimi Sovjetik pësoi në prag të kolapsit të tij.

Sipas kësaj logjike, po të mos ishte për revolucionarët, Rusia tani do të ishte një vend i zhvilluar dhe i begatë, ndërsa qytetarët e saj do të ushqeheshin dhe visheshin mirë, sikurse ata në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Ata argumentojnë gjithashtu, se nëse nuk do të ishin revolucionarët dhe ata që përkrahën idetë e tyre, Rusia nuk do të ishte në gjendjen që është sot.

Këto ide në mënyrë aktive e ushqyen letërsinë anti-revolucionare në emigracion, e cila u vu në dispozicion të çdo qytetari rus, pas rënies së ideologjisë komuniste. Sipas burimeve të ndryshme, deri në 2 milion njerëz u larguan nga Rusia gjatë luftës civile. Shumica e tyre ishin të arsimuar, njerëz krijues dhe të pasur. Madje kishte edhe një “anije filozofësh” – rreth 200 shkrimtarë, filozofë dhe analistë të çështjeve sociale, të cilët qeveria e atëhershme i cilësoi të padëshirueshëm dhe në mënyrë figurative i dërgoi jashtë vendit me një anije të vetme.

Nuk është çudi, që gjatë 70 viteve që “Perdja e Hekurt” i ndau nga vendi i tyre, ata shkruan dhe shfrytëzuan të gjitha aftësitë dhe talentet e tyre, për të nxjerrë në pah të këqijat e revolucionit në përgjithësi, dhe revolucioni rus në veçanti. Fituesi i çmimit Nobel, Ivan Bunin, që kishte emigruar në Francë, shkroi vepra të shumta anti-revolucionare, duke përfshirë edhe romanin “Ditët e mallkuara”, të cilin regjisori rus Nikita Mikalkov, e shndërroi në një film të madh artistik vitin e kaluar.

Si romani, ashtu edhe përshtatja në film, përmbajnë kritika të ashpra ndaj revolucionarëve, që përbëjnë edhe thelbin e veprës së Buninit, për lexuesit dhe shikuesit rusë. Këtu meriton një vëmendje të veçantë roli i Patriarkanës së Moskës. Kisha Ortodokse e Rusisë e kundërshtoi revolucionin, për shkak se mijëra njerëz u martirizuan nga policia sovjetike sekrete, NKVD, gjatë pushkatimeve masive në poligonin e Butovos në periferi të Moskës.

Çdo kishë ortodokse në Rusi mban në mur një ikonë, përmes së cilës nderohen të gjithë ata që dhanë jetën për besimin e tyre. Sipas Kishës, më i madhi ndër këta martirë të krishterë, ishte Cari Nikolla II, i cili u vra së bashku me familjen e tij dhe u shenjtërua kohët e fundit. Çdo ditë, gjatë predikimeve në kishat anembanë Rusisë, njerëzve u thuhet se revolucionarët vranë fëmijët e perandorit, dhe se ata nuk ishin njerëz normalë.

Trashëgimtarët modernë të Partisë Komuniste drejtuan nga ana e tyre fushatën më të rëndësishme anti-revolucionare. Duke mos gjetur një vend në Rusinë post-sovjetike, ata fajësuan shumë nga të këqijat e shoqërive – kolapsin ekonomik dhe rritjen e mprehtë të krimit, rënien e “perandorisë së kuqe” dhe konfliktet lokale në ish-republikat sovjetike – deri tek grushti i shtetit i vitit 1991, një revolucion që ata pretendojnë se ishte orkestruar nga armiqtë kapitalistë të popullit sovjetik.

Ndërsa regjimi në pushtet shfrytëzoi mediat e fuqishme shtetërore të kontrolluara prej tij për të kryer fushatën anti-revolucionare, komunistët aktualë të margjinalizuar, përhapën të njëjtin mesazh gojë më gojë ose përmes rrjeteve jozyrtare sociale. Për pasojë, pupulli rus iu nënshtrua së paku dy vërshimeve të ngjashme emocionesh negative, me sundimtarët, komunistët si dhe Kishën Ortodokse, të gjithë duke fajësuar të këqijat e shumta të revolucionit.

Gjatë dhjetëvjeçarit të shkuar, autoritetet ndërtuan mbi këtë themel disa imazhe edhe më negative, këtë herë të lidhura në mënyrë specifike me revolucionet me ngjyra. Ata zhvilluan një fushatë të fuqishme për të diskredituar Revolucionin Portokalli në Ukrainë në vitin 2004, duke pretenduar se ishin shërbimet sekrete amerikane, ato që ndihmuan ukrainasit të përmbysnin ish-presidentin Leonid Kuçma, por edhe dhe masat e qytetarëve të paguar për të protestuar në rrugë dhe sheshe.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Gjeorgjinë, ku Moska i etiketoi vazhdimisht revolucionarët si agjentë të armikut, që punojnë kundër vendit të tyre. Me shpërthimin e protestave masive në rrugë në Moskë, në dimrin e vitit 2011, makineria e propagandës në Kremlin shkoi në ekstrem, duke i paraqitur dhjetëra mijëra qytetarët, të cilët kërkonin ndryshimin e rregjimit, si vegla të kapitalit që korruptohen nga paraja e kollajtë, si homoseksualë dhe hebrej, që shkaktonin trazira në funksion të një dëshire vicioze, për të promovuar jetesën dhe vlerat e tyre. Për pasojë, tashmë fjala “revolucion” bart një domethënie tejet negative në Rusi. Edhe ish-revolucionari argjentinas Che Guevara është përmendur shpesh si një kryekomandant i metodave të pista kriminale me kundërshtarët apo edhe njerëzit e pafajshëm, i ngjashëm me separatistët çeçenë – një tjetër dordolec, ndaj të cilit rusët kanë qenë të kushtëzuar të kenë frikë, si ndaj sëmundjes së murtajës.

Shënim: Maksim Goriunov është një filozof rus me banim në Moskë

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button