Magazine

Sa do të rritet popullsia globale?

Nga David Adam

Vitet 1980 ishin një periudhë e çuditshme për prindërit e ardhshëm në Singapor. Qeveria fillimisht u tha atyre “Ndaloni deri në 2 fëmijë!”, dhe e mbështeti këtë politikë përmes një serie masash për t’i penguar çiftet të kishin 3 apo më shumë fëmijë. Ajo rriti tarifat spitalore për lindjen e foshnjave të treta dhe hoqi pagesën e lindjes.

Në mars të vitit 1987, zyrtarët ndryshuan qasje nën parullën “Mund të keni 3 ose më shumë fëmije (nëse mund ta përballoni këtë)”.Papritur peshorja anoi drejt atyre që kishin familje më të mëdha, të cilët do të kishin më shumë përparësi për shkollat ​​dhe strehimin.

Singapori është një shembull dramatik, por jo unik. Për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme financiare, qeveritë në të gjithë botën, bëjnë çmos që ta mbajnë numrin e popullsisë kombëtare në një të mesme të artë:as shumë, dhe as shumë pak.

Shumica e këtyre politikave, bazohen në simulimet kompjuterike se si do të rritet dhe ulet numri i popullsisë në të ardhmen. Për dekada me radhë, parashikimet kryesore u prodhuan nga një grupim i vogël i modeluesve të popullsisë në Kombet e Bashkuara.

Por gjatë viteve të fundit, grupimet rivale kanë zhvilluar teknikat e tyre dhe kanë prodhuar rezultatet e tyre, të cilat ndryshojnë shumë nga ato të OKB-së, ndaj kanë shkaktuar debate të ashpra. OKB thotë se popullsia e botës do të arrijë pikun në 10.9 miliardë banorë në fund të këtij shekulli.

Ndërkohë grupet e tjera të ekspertëve parashikojnë kulme më të hershme dhe më të vogla. Sipas tyre popullsia globale do të arrijë kulmin në 9.7 miliardë në vitin 2070, dhe më pas do të nisë të zvogëlohet. Kjo diferencë përbën një enigmë për qeveritë, kompanitë dhe të tjerët që mbi këtë projeksion, përpiqen të planifikojnë gjithçka, nga investimet në infrastrukturë dhe detyrimet tatimore që do të vijnë në të ardhmen, deri në përcaktimin e objektivave për zhvillimin ndërkombëtar dhe reduktimet e gazrave serë.

“Çdo qeveri është e interesuar se çfarë do të ndodhë me popullsinë e saj në 2 dekadat e ardhshme. Kjo për arsye ekonomike, pragmatike dhe nevoja të planifikimit”-thotë Tomash Sobotka, studiues i popullsisë në Institutin e Demografisë në Vjenë. Të gjitha vlerësimet e popullsisë fillojnë me të njëjtën pyetje:Sa njerëz janë gjallë aktualisht?

Përpjekjet për t’iu përgjigjur kësaj pyetje kthehen pas në kohë në vitin 4000 Para Erës Sonë, kur babilonasit kryen për herë të parë regjistrimin e popullsisë për të përcaktuar se sa ushqim duhej për t’i ushqyer ata. Më vonë shoqëritë e lashta egjiptiane, romake dhe kineze, kryenin numërime periodike të popullsisë.

Në fillim të këtij viti, si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara raportuan rezultatet e regjistrimeve të kryera vitin e kaluar. Ato raportuan se po përjetojnë nivele rekord shumë të ulëta të rritjes së popullsisë. Këto rezultate u bënë tituj, por ato janë në përputhje me atë që prisnin demografët.

Ashtu si të gjitha simulimet e ngjarjeve të ardhshme – nga ndryshimet klimatike tek epidemitë – parashikimet mbi popullsinë bëhen më pak të besueshme, pasi ato kryhen për periudha më të gjata kohore. Por edhe parashikime afatshkurtra dhe afatmesme, mbeten të prekshme nga ngjarjet e papritura.

Për shembull, demografët po përpiqen të kuptojnë ndikimin e pandemisë së Covid-19. Në disa nga vendet e goditura më rëndë, numri i madh i vdekjeve në një periudhë relativisht të shkurtër, ka pasur tashmë një efekt në uljen e jetëgjatësisë.

Me pezullimin e migrimit midis shumicës së vendeve, faktori tjetër kryesor në llogaritjet e popullsisë pas pandemisë është ndikimi që ka lindshmëria. Për të ruajtur në nivele të qëndrueshme numrin e popullsisë, shkalla e lindshmërisë së grave në një vend, duhet të jetë në “nivelin e zëvendësimit” ose mesatarisht 2.1 lindje për çdo grua.

Në vendet me të ardhura të larta, ndryshimet e sjelljes në raport me këtë çështje diktohen zakonisht nga faktorë ekonomikë. Në vendet më pak të pasura, dominojnë faktorë të tjerë. Ndërsa më shumë vajza janë të arsimuara, ato kanë tendencën të kenë më pak fëmijë dhe në një moshë më madhore.

Demografët presin që pandemia aktuale të shkaktojë një rënie afatshkurtër të pjellorisë, të paktën në vendet më të pasura, për shkak të pasigurisë ekonomike që ka sjellë ajo. Ndërsa, vendet më të varfra mund të përjetojnë një rritje të lindjeve, për shkak të ndërprerjes së furnizimeve me kontraceptivë.

Ndërkohë është e vështirë të parashikohet se si do të ndryshojnë normat e lindshmërisë dhe numrat e popullsisë në një afat më të gjatë kohor, përgjatë dekadave apo më shumë. Dhe këtu nisin edhe debatet e forta. Në vitin 2014, një grup në Institutin Ndërkombëtar mbi Analizën e Sistemeve të Aplikuara (IIASA) në Vjenë bëri parashikimin e tij.

Ata deklaruan se popullsia botërore ka shumë të ngjarë të arrijë kulmin në 9.4 miliardë rreth vitit 2070, dhe do të bjerë në 9 miliardë deri në fund të këtij shekulli. Ndërkohë, vitin e kaluar, një studim nga ekip i Institutit për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit në Siatëll, parashikoi se popullsia globale do të arrijë kulmin në rreth 9.7 miliardë në vitin 2064, dhe pastaj do të bjerë në rreth 8.8 miliardë deri në vitin 2100. Studimi thekson se rreth 23 vende mund të përjetojnë përgjysmimin e popullsisë së tyre deri në fund të shekullit, përfshirë Japoninë, Tajlandën, Italinë dhe Spanjën.

Marrë me shkurtime nga “Nature” – Bota.al

Back to top button
Close
Close