Analiza

Sa e fuqishme do të ishte një ushtri e përbashkët evropiane?

Nga Paolo Mauri

“Il Giornale”

Epilogu dramatik i luftës në Afganistan rihapi një çarje të vjetër brenda NATO-s, e cila dukej se ishte mbyllur me hyrjen e Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë. Në fakt presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, kishte vendosur të braktiste unilateralizmin Trumpian për të rifilluar dialogun me aleatët evropianë, kjo falë një qasjeje multilaterale të ripërtërirë.

Në realitet, në provën e tij të parë reale, ajo qasje u la mënjanë. Evakuimi i Kabulit i befasoi vendet e tjera të NATO-s, të cilat mësuan mbi vendimin e SHBA-së, kur “helikopterët amerikanë po fluturonin tashmë mbi kokat e tyre”.

Edhe operacioni i evakuimit të bashkëpunëtorëve, si dhe transporti ajror nga kryeqyteti afgan, u hartua dhe zbatua vetëm nga Shtetet e Bashkuara sipas marrëveshjeve të Dohas të nënshkruara me talebanët në shkurtin e vitit 2020.

Menaxhimi shumë i centralizuar i këtij evakuimit, ka shkaktuar përplasje serioze ditët e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe atyre aleatëve që kishin ende në Afganistan trupat e tyre. Për këtë arsye, në Evropë apo më saktë në vendet e BE-së, politika është kthyer të mendojë më me vendosmëri mbi mundësinë e miratimit të një “ushtrie mbrojtëse” evropiane.

Kohët e fundit edhe në Itali, një nga vend aleate më besnike ndaj SHBA-së, figurat politike më të larta kanë shprehur nevojën që BE-ja të hartojë dhe miratojë një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Diçka që nëse do të zbatohej vërtet, duke lënë mënjanë kërkesat e secilit anëtar të unionit, do të ishte pararoja e lindjes së një ushtrie evropiane.

Nga pikëpamja politike dhe teknike, ka shumë pengesa që mund t’i parandalojnë të dyja këto mundësi. Por para se t’i shqyrtojmë ato, le të shohim se cila do të ishte fuqia e një ushtrie hipotetike të BE-së. 27 vendet që i përkasin Bashkimit Evropian, do të jenë në gjendje të grumbullojnë një ushtri me rreth 1.2 milionë trupa.

Sa për të bërë një krahasim, ushtria e Shtetet e Bashkuara ka 1 milionë e 400 mijë trupa, ajo kineze 2 milionë e 185 mijë, ndërsa ushtria ruse 1 milionë e 14 mijë trupa. Ndërkohë, sa i përket forcave ajrore, BE-ja do të kishte 2012 avionë luftarakë-bombardues (për mbrojtje sulm), së bashku me rreth 609 avionë transporti të të gjitha madhësive.

SHBA ka përkatësisht 2717 dhe 845 avionë të tillë, Rusia 1531 dhe 429, Kina 1571 dhe 264. Ndërkohë ushtritë e 27 vendeve anëtare të unionit kanë5081 tanke të të gjitha madhësive, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë 6100, Kina 3205 dhe Rusia 13 mijë tanke. Numri i përgjithshëm i njësive kryesore detare që zotëron aktualisht BE-ja në total ndahet si më poshtë: 4 aeroplanmbajtëse, 91 fregata, 15 destrojerë, 25 nëndetëse (të llojeve të ndryshme).

Ndërkohë, marina amerikane ka 11 aeroplanmbajtëse klasike (plus 10 transportues avionësh sulmues amfibë), 21 kryqëzorë, 71 destrojerë dhe 69 nëndetëse (përfshirë ato që janë në ndërtim e sipër dhe ato që janë porositur të ndërtohen).

Flota ruse Voenno-Morskoj, ka në regjistrat e saj 1 aeroplanmbajtëse, 5 kryqëzorë, 13 destrojerë, 11 fregata dhe 64 nëndetëse, ndërsa Marina e Republikës Popullore të Kinës ka 2 aeroplanmbajtëse, 50 destrojerë, 46 fregata dhe 79 nëndetëse.

Nga pikëpamja e shpenzimeve ushtarake, Bashkimi Evropian  harxhon në total rreth 185 miliardë dollarë në vit, në krahasim me 740 dollarë që shpenzon SHBA-ja, 178 miliardë dollarë Kina dhe 42 Rusia.

Kur flitet për fondet në fushën e mbrojtjes, është gjithnjë mirë të mbahet parasysh fakti që secila monedhë ka një fuqi blerëse të ndryshme, e cila varet nga kostoja e punës, norma e zhvlerësimit, disponueshmëria e lëndëve të para, etj. Kështu duhen shumë më pak dollarë për të blerë një raketë balistike interkontinentale në Kinë, sesa në Shtetet e Bashkuara apo Rusi.

Arsenali më i rëndë ushtarak i Evropës përfaqësohet nga arsenali atomik, që në BE zotërohet vetëm nga Franca (pasi Britania e Madhe ka dalë nga BE). Parisi ka një numër bombash bërthamore të montuara, raketat balistike që gjenden në bordin e nëndetëseve“Le Triomphant”.

Parisi do të refuzonte të ndante menaxhimin e arsenalit të tij atomik, në rast se vendet e tjera evropiane nuk do të përballonin dot kostot e prodhimit të një arsenali të ri bërthamor. Por një opsion i tillë do të përbënte një shkelje të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT).

Nga ana tjetër një Evropë pa një “ombrellë atomike”, është e paimagjinueshme në një epokë ku parandalimi bërthamor është sërish i rëndësishëm, duke pasur parasysh përfundimin e traktateve të rëndësishme të çarmatimit (siç është INF)

Ndërkaq ka edhe probleme të tjera. Me lindjen e një force të armatosur evropiane, duhet të shihet seriozisht mundësia e përfundimit të pjesëmarrjes së vendeve të BE -së në NATO, pasi nuk mund të lejohet një komandë e dyfishtë (e infrastrukturës dhe personelit).

Por edhe ky skenar i guximshëm është i vështirë për t’u zbatuar, sepse brenda BE-së ka vende që kanë lidhje shumë të veçanta me Uashingtonin. Dhe këtu vijmë tek një sfidë tjetër vendimtare që është e vështirë të zgjidhet:bashkimi i vizioneve strategjike në politikën e jashtme dhe mbrojtjes së 27 vendeve është gati i pamundur.

Nga ky këndvështrim, vetë NATO është një shembull se si në mesin e 30 anëtarëve të saj, nuk ka perceptime të njëjta mbi kërcënimin apo sigurinë. Kështu vendet e Evropës Lindore e e shohin Rusinë me shqetësim, ndërsa ato mesdhetare janë më të fokusuara në Frontin Jugor”.

Por pavarësisht problematikave, Bashkimi Evropian mund të pajiset me një mekanizëm të vetëm ushtarak në lidhje me misionet ndërkombëtare, që duhet të vendoset në bazë të interesave tona si evropianë, dhe jo vetëm duke zbatuar rezolutat e OKB-së apo vullnetin e NATO -s (pra të Uashingtonit).

Në këtë rast, mund të krijohet një kontingjent shumë i lëvizshëm i forcave të armatosura lehtë dhe shumë të lëvizshme, dhe që janë të afta për të pasur në dispozicion asete tokësore, detare dhe ajrore, të menaxhuara nga një komandë e përbashkët,në të cilat do të kishte një prani të përhershme të atyre vendeve të BE-së që kanë forca të armatosura më “të qëndrueshme” (Franca, Gjermania, Italia, Spanja).

Back to top button