HistoriMAIN

Si e sfidoi Rilindja Evropianë Kishën, dhe ndikimi i saj në Reformimin e Krishtërimit

Rilindja Evropiane, një periudhë midis shekujve XIV-XVII, ishte një kohë e përparimeve të mëdha kulturore, intelektuale dhe shkencore. Nga zbulimet evropiane të kontinenteve të tjera deri tek rrugët e transportit,pikëpamjet e reja mbi matematikën dhe astronominë, dhe deri në shpikjen e shtypshkronjës.

Po ashtu ajo periudhë u karakterizua nga ndryshimi i ideve, dhe realizimi i shumë kryeveprave të arkitekturës, artit dhe letërsisë (ishte koha e Shekspirit, Galileut, Da Vinçit dhe Makiavelit),si dhe nga një lëvizje drejt lirive politike dhe fetare.

Nga ana tjetër fokusimi tek liritë politike dhe fetare, ndihmoi në krijimin e Lëvizjes Reformuese, e cila shkaktoi një ndarje brenda Kishës së fuqishme Katolike, duke bërë që shumë evropianë të ktheheshin në besimin Protestant.

Një epokë e ideve të reja

Stefania Tutino, profesoreshë e historisë në Universitetin e Kalifornisë, thotë se Reformacioni dhe Rilindja ishin dy lëvizje paralele, por të ndërthurura midis tyre.“E para kishte të bënte me natyrën teologjike dhe strukturën kishtare të Kishës së vërtetë të Krishtit.

Ndërsa e dyta me ripërtëritjen e disa parimeve kryesore kulturore, intelektuale dhe artistike, në dritën e faktit se ajo që kishte kuptim në Mesjetë nuk ishte më e përshtatshme, e dobishme apo frymëzuese për një shoqëri që kishte përjetuar shumë ndryshime themelore”- thotë ajo.

Sipas Tutinos, përparimet shkencore, duke përfshirë alternativat e shekullit XV-XVI ndaj fizikës dhe kozmologjisë tradicionale aristoteliane, dhe risitë teknologjike të tilla si shtypshkronja, ishin faktorë novatorë shumë të rëndësishëm.

“Si Rilindja ashtu edhe Reformimi lindën nga kuptimi se rendi i vjetër Mesjetar, nuk ishte më i qëndrueshëm, dhe zbulimet shkencore dhe inovacionet teknologjike ishin disa nga elementët që e bënë të qartë se sa të papërshtatshme ishin strukturat e vjetra”- shton ajo.

Lëvizja humaniste

Rilindja përfshiu një lëvizje intelektuale të njohur si Humanizëm. Ndër parimet e tij të shumta, humanizmi promovoi idenë se njerëzit janë në qendër të universit të tyre, dhe se ata duhet të përqafojnë arritjet njerëzore në arsim, artet klasike, letërsi dhe shkencë.

Si pjesë e kësaj filozofie, studiues, autorë, udhëheqës politikë dhe të tjerë u përpoqën të ringjallnin studimin e klasikëve grekë dhe latinë.“Shumë humanistë filluan t’i zbatojnë këto parime në studimin e Biblës, dhe rrjedhimisht edhe në parimet politike, kulturore, liturgjike dhe teologjike, sipas të cilave hierarkia e Kishës Katolike drejtonte grigjën e saj”- thekson Tutino.

Në këtë proces, disa humanistë gjetën shumë aspekte për t’i kritikuar, dhe disa nga kritikat e tyre i bënë jehonë atyre të Martin Luterit dhe udhëheqësve të tjerë të hershëm protestantë.

Sidoqoftë, nënvizon Tutino, ndërsa qëllimet e lëvizjeve të Humanizmit dhe Reformacionit ishin thelbësisht të ndryshme “kishte edhe fusha ku ato përputheshin”.

Sipas Ada Palmer, profesoreshë e asoociuar e historisë së hershme moderne evropiane në Universitetin e Çikagos, lëvizja humaniste e zgjeroi gamën e ideve për të cilat po mendonin njerëzit.“Lëvizja filloi si një interes për të lexuar tekstet e Greqisë së lashtë dhe Romës, sepse Evropa – dhe sidomos Italia – ishte shkatërruar aq shumë nga luftërat, dhe ishte bërë aq e dëshpëruar dhe e paqëndrueshme, saqë njerëzit donin vërtet një zgjidhje”-thotë ajo.

Për shkak se Roma e lashtë ishte e fuqishme dhe e qëndrueshme për periudha të gjata fuqie dhe uniteti, thekson Palmer, besohej se rileximi i librave të lashtë nga ajo periudhë, mund t’i mësonte njerëzit se si të përsërisnin suksesin e Romës.

“Prandaj ata nisën të kërkojnë tekste të lashta dhe t’i përkthejnë, lexojnë dhe kopjojnë ato, derisa antikët u bënë një referencë që simbolizonte fuqinë dhe ambicjen politike. Shumë shpejt shumë njerëz në gjendje të mirë ekonomike u përpoqën të kishin një bibliotekë me veprat e klasikëve të lashtë, si një mënyrë për të treguar fuqinë e tyre”-shprehet Palmer.

Por ndërsa qëllimi i rritjes së stabilitetit dështoi, një nga efektet e padëshiruara të lëvizjes ishte një kërkesë e re për libra, gjë që e nxitin Gutenbergun të shpikte shtypshkronjën.

“Ndërkohë kjo nënkuptonte se kishte shumë më tepër ide në lidhje me pyetjet e mëdha se si funksionon bota, si është krijuar ajo, cilat janë veprimet e mira dhe të këqija, si funksionon feja, etj. Po ashtu ata studiuan më shumë greqishten e vjetër dhe kuptuan se përkthimet e vjetra të Biblës dhe teksteve të tjera kishin qenë të gabuara në shumë vende. Ndaj nisën të bënin përkthimet dhe korrigjimet e tyre”- shton historiania.

Martin Luteri dhe Protestantizmi

Palmer thotë se Reformacioni ishte kulmii proceseve të gjata dhe të ngadalta që kishin filluar që para Rilindjes, përfshirë korrupsionin e Kishës Katolike. Në librin e saj të ardhshëm mbi Rilindjen, ajo përshkruan një “dilemë të të burgosurit”. “Korruptimi i Papës apo i Peshkopëve ishte një avantazh i madh në politikë. Cilido që e bënte këtë do të fitonte në një konflikt të caktuar. Prandaj askush nuk kishte luksin të mos i jepte ryshfet Papës, sepse nëse këtë e bënte dikush tjetër, atëherë ai ishte i dënuar të humbte”- thekson Palmer.

I zhgënjyer nga ryshfeti dhe korrupsionet e tjera të kishës, përfshirë indulgjencat, të cilat i jepnin mundësi qytetarëve të blinin faljen nga mëkatet, murgu gjerman Martin Luter shkroi në vitin 1517 “95 Tezat”, të cilat thuhet se i vari në derën e kishës në Universitetin e Vitenbergut në Saksoni.“Akumulimi gradual i korrupsionit nënkuptonte se indulgjencat ishin pika e fundit që derdhi gotën”- thekson Palmer.

Fuqia e shtypit të shkruar

Shtypi lejoi që tezat të shpërndaheshin gjerësisht dhe me shpejtësi në mbarë Evropën. Dhe megjithëse u etiketua si një heretik nga Kisha dhe u shkishërua nga Papa Leoni X në vitin 1521, fjalët e Luterit ndikuan tek shumë njerëz.“Luteri gjeti momentin e duhur për të qenë predikuesi i parë i famshëm. Ai shfrytëzoi edhe situatën e duhur politike për qeveritë e rajonit, të cilat e shihnin lëvizjen e tij si një justifikim të madh për të bërë diçka që ata donin ta bënin vetë:të dilni nga dilema e madhe e të burgosurve të papës”- shpjegon Palmer.

Në këtë mënyrë, thotë Palmer, lëvizjet intelektuale të Rilindjes çuan tek Reformimi – duke stimuluar kërkesën për libra, dhe duke i inkurajuar njerëzit që të lexojnë më shumë dhe të mendonin se si të reformonin të tashmen.

Kjo përfshinte rileximin e Biblës, siç bëri Luteri. Luteri, që themeloi Kishën Luterane, përktheu në Gjermanisht Dhjatën e Re. Përkthimi i tij luajti një rol në fillimin e ndarjes së Kishës Katolike në besnikët e papës dhe në protestantët, pra të atyre që protestuan ndaj rregullave të Kishës Katolike.

Gati në të njëjtën kohë, në vitin 1534, Mbreti Henri VIII shkaktoi ndarje të mëtejshme brenda Kishës Katolike, kur u bë kreu i Kishës së Anglisë pasi Papa Klementi VII nuk e lejoi të divorcohej nga Katerina e Aragonës. / History Channel – Bota.al

Back to top button
Close
Close