Analiza

Si mund të shmangen krizat, si ajo e fundit në kufirin Kosovë-Serbi?

Nga Leon Hartwell

“Center for European Policy Analysis”

Në Ballkan, nuk është asnjëherë mirë të reagosh shumë vonë. Sa herë që shpërthen konflikti në këtë rajon, ai tërheq në mënyrë të pashmangshme si amerikanët po ashtu edhe evropianët. Ky është një leksion i vjetër.

Lufta e Parë Botërore nisi me vrasjen e Arkidukës Franz Ferdinand në Bosnjë, ndërsa luftërat jugosllave të viteve 1990, përfunduan vetëm pas fushatave të mëdha ajrore të NATO -s dhe vendosjes atje të dhjetëra mijëra paqeruajtësve, 60.000 në Bosnje Hercegovinë vetëm pas  Marrëveshjeve të Dejtonit.

Po ashtu, dështimi për t’i dhënë fund konfliktit Serbi-Kosovë, që nisi në vitin 1998, po shkakton probleme serioze. Reagimet ndaj ngjarjeve të fundit nga ana e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s kanë qenë mjaft të dobëta.

Aleanca transatlantike duhet ta përdorë këtë krizë për ti dhënë fund konfliktit Serbi-Kosovë, në vend se t’i bëjë thirrje “të dyja palëve” të de-përshkallëzojnë tensionet. Mosmarrëveshja e fundit buron nga një vendim i ri i qeverisë kosovare, që kërkon pajisjen me targa të përkohshme të automjeteteve që vijnë nga Serbia.

Kjo shihet si një sjellje reciproke dhe në përputhje me njënjë rregull të vjetër të Serbisë për shoferët kosovarë, i miratuar për të përçuar mesazhin se Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ai vendim shkaktoi një rezistencë të menjëhershme nga komuniteti i vogël por i zëshëm serb i Kosovës.

Serbët e Kosovës bllokuan dy pika kalimi, ndërsa Kosova urdhëroi njësitë speciale të policisë në kufi. Policia kosovare mbikëqyri zbatimin e rregullit të ri dhe e monitoroi situatën për të identifikuar autorët e akteve të mundshme të dhunës.

Një lëvizje e papritur, duke pasur parasysh përdorimin e shpeshtë të autoriteteve serbe për të nxitur konfliktin në veri të Kosovës. Megjithatë këtë herë Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa përgjatë kufirit, përfshirë tanket T-72, automjetet e blinduara Lazar 3 dhe automjete luftarake me shumë qëllime BOV M16 Miloš.

Përveç kësaj, Serbia pozicionoi pranë kufirit avionët luftarakë MiG-29 dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia, të cilët patrulluan përgjatë kufirit. Manovrat ushtarake u shoqëruan me një gjuhë shumë provokuese nga presidenti serb, Aleksandar Vucic.

Serbia u bëri thirrje miqve të saj të vjetër në Kremlin për të diskutuar mbi lëvizjet e ardhshme. Gjatë fundjavës së shkuar, zëvendëskryeministri dhe Ministri serb i Mbrojtjes Nebojša Stefanović, u takua me ambasadorin rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko Stefanović, me të cilin inspektoi trupat pranë kufirit me Kosovën.

Në përgjithësi qeveritë perëndimore janë kundër ndërmarrjes së veprimeve të rrezikshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për forcat ushtarake. Por SHBA-ja dhe Evropa, përfshirë Britaninë e Madhe, nuk mund t’i shpërfillin ngjarjet në Kosovë, vetëm sepse atje kanë ende një forcë paqeruajtëse prej 3.600 trupash në kuadër të KFOR.

Këtu përfshihet edhe një batalion i trupave amerikane. Njësitë e KFOR-it janë zhvendosur pranë kufirit për të vëzhguar nga afër situatën. Ndërkohë BE, NATO dhe SHBA reaguan duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zvogëlojnë tensionet.

A thua se të dyja kanë njëlloj faji për përshkallëzimin e konfliktit. Deklarata të tilla vendosin në të njëjtin nivel viktimën me dhunuesin. Si për t`i shtuar akoma më shumë fyerjet, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel kërkoi që Kosova të tërheqë policinë e saj speciale.

Dhe kjo pavarësisht djegies së një godine qeveritare në veri të Kosovës, ndërsa një tjetër u godit me granata që fatmirësisht nuk shpërthyen. Kështu, BE-ja po i kërkon Kosovës që të vetëpërmbahet dhe të mos kryejë policimin e territorin e vet, pikërisht në kohën e tensioneve të rritura.

Përplasja mbi targat, është një çështje e vogël që lidhet me një konflikt më të gjerë. Pas spastrimit etnik dhe mizorive të tjera në shkallë të gjerë të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga trupat serbe, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008.

Pavarësia e saj njihet nga SHBA dhe mbi 100 vende të botës, ndërsa refuzohet nga Serbia, Rusia, Kina dhe 5 shtete anëtare të BE -së. SHBA-ja dërgoi këtë javë në Bruksel zëvendësndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, për të marrë pjesë në bisedimet e udhëhequra nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ai do të mbështesë Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajčá, me shpresën e qetësimit të situatës.

Por ka shumë pak gjasa që bisedimet e Brukselit, apo edhe ndërmjetësimi në një periudhë afatmesme, ta zgjidhin këtë krizë. Siç argumentohet në një raport të kohëve të fundit, konflikti Serbi-Kosovë nuk është “i pjekur përtë shkuar drejt zgjidhjes”.

Dhe arsyet për këtë janë më se të qarta. Së pari, Vuçiç deklaron se Kosova mbetet ende një territor serb. Së dyti, “karota” e anëtarësimit në BE, e parë dikur si shumë e çmuar, po zbehet si një nxitje për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Kjo gjë po ndodh sepse BE-ja po e vuan “lodhjen” nga anëtarët e rinj të unionit. Vucic, një udhëheqës autoritar, dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE për arsye ekonomike. Por ai nuk është i gatshëm që të angazhohet për reforma politike, pasi kjo do të kufizonte pushtetin e tij.

Prandaj Serbia po krijon me shpejtësi alternativa për anëtarësimin në BE, përfshirë marrëdhënie më të forta me Kinën. Po ashtu duhet të njihet edhe roli i Rusisë në përkeqësimin e këtyre çështjeve.

Një luftë ndërshtetërore midis Serbisë dhe Kosovës do të ishte një fitore për Rusinë, pasi do të garantonte përjashtimin e Serbisë dhe Kosovës nga BE dhe NATO për një të ardhme të parashikueshme. Sikurse e kanë treguar situatat në Gjeorgji dhe Ukrainë, organizatat transatlantike janë alergjike ndaj anëtarëve të rinj që kanë konflikte të vazhdueshme.

SHBA-ja dhe BE-ja nuk duhet të merren me çështjen e targave. Përkundrazi, në rast se duan të arrijnë një përparim real, duhet që ta shfrytëzojnë këtë krizë si një mundësi për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes Serbi-Kosovë. Dhe për këtë ka disa opsione të politikave afatshkurtra dhe afatmesme.

Së pari të pranohet që dialogu Serbi-Kosovë ka hyrë në një ngërç dhe të kërkohen alternativa për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së paqëndrueshme të sigurisë. Së dyti, NATO duhet ta identifikojë Serbinë si provokatoren kryesor, dhe të kërkojë tërheqjen e trupave të saj në një distancë të arsyeshme nga kufiri i Kosovës;

Së treti, KFOR-i duhet të vendoset plotësisht në veri të Kosovës, dhe të përforcohet me asete shtesë nga NATO. Së katërti, duhet të nënshkruhet një marrëveshje e fuqishme midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe vendeve anëtare të BE-së për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës dhe për të siguruar parandalimin e tensioneve.

Së pesti, Brukseli duhet të përcaktojë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës. Së gjashti, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vendet anëtare të BE-së që njohin sovranitetin e Kosovës duhet të bindin 5 vendet që nuk e kanë bërë ende këtë gjë, Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën, që ta njohin pavarësinë e Kosovës, ose të paktën të mos pengojnë anëtarësimin e saj në BE.

Së fundi, aleanca transatlantike duhet të mbështesë sektorin e sigurisë së Kosovës dhe ta pranojë vendin në Partneritetin për Paqen të NATO-s (PfP). Serbia iu bashkua kësaj të fundit në vitin 2006, edhe pse kryen rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe nuk ka aspirata të jetë një ditë pjesë e NATO-s.

Shënim: Dr.Leon Hartwell, është drejtori i Programit të Lidershipit Transatlantik në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

Back to top button