Analiza

Si mund të shmanget lufta në Ukrainë dhe Tajvan

Nga Jeffrey D.Sachs

“Project Syndicate”

Dy vatra të rrezikshme që tashmë po vlojnë në Evropë dhe Azi, mund t`i fusin Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën në një konflikt të hapur midis tyre. Kriza mbi Ukrainën dhe Tajvanin mund të zgjidhet, por duhet që të gjitha palët të respektojnë interesat legjitime të sigurisë së të tjerëve.

Njohja objektive e këtyre interesave, do të sigurojë bazën për një de-përshkallëzim afatgjatë të tensioneve. Marrim së pari rastin e Ukrainës. Edhe pse padyshim ka të drejtën e sovranitetit dhe sigurisë nga një pushtim rus, ajo nuk ka të drejtë të minojë sigurinë e Rusisë në këtë proces.

Kriza aktuale në Ukrainë është rezultat i sjelljeve të tepruara si të Rusisë po ashtu edhe të SHBA-së. Teprimi i Rusisë ka të bëjë me aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe pushtimin e qendrës industriale të Ukrainës në Donetsk dhe Luhansk; apo edhe në përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta mbajtur Ukrainën të varur prej saj për energji, inpute industriale dhe tregje.

Ukraina ka një interes legjitim për t’u integruar më ngushtë me ekonominë e Bashkimit Evropian, dhe për këtë qëllim ka nënshkruar një marrëveshje asociimi me BE-në. Por Kremlini, druhet se anëtarësimi në BE mund të jetë një hap që Kievi të anëtarësohet edhe në NATO.

Edhe SHBA e ka tepruar në disa raste. Në vitin 2008, administrata e presidentit amerikan George W.Bush bëri thirrje që Ukraina të ftohej t’i bashkohej NATO-s, gjë që do ta vendoste praninë e aleancës në kufirin e gjatë të Rusisë me atë vend.

Ai propozim provokues i përçau aleatët e SHBA-së, por NATO konfirmoi në fund se Ukraina është e mirëpritur në aleancë, duke vënë në dukje se Rusia nuk ka asnjë veto se kush i bashkohet kësaj organizate. Kur Rusia aneksoi me dhunë Krimenë në vitin 2014, një nga objektivat e saj, ishte që NATO të mos kishte asnjëherë qasje tek baza dhe flota detare ruse në Detin e Zi.

Gjykuar nga pjesët që janë publikuar nga diskutimet midis presidentit amerikan dhe atij rus në fillim të këtij muaji, zgjerimi i NATO-s në Ukrainë mbetet ende në tryezë. Ndonëse Franca dhe Gjermania mund ta ruajnë kërcënimin e tyre për të vendosur veton ndaj çdo oferte të tillë për anëtarësim, zyrtarët ukrainas dhe të NATO-s e kanë përsëritur se zgjedhja është anëtarësimi në aleancë.

Për më tepër, një parlamentar estonez ka paralajmëruar se heqja dorë nga e drejta e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, do të ishte e barabartë me tolerimin që i bëri Britania Hitlerit në vitin 1938.

Megjithatë, udhëheqësit amerikanë që argumentojnë se Ukraina ka të drejtën të zgjedhë vetë aleancën e saj ushtarake, duhet të reflektojnë mbi historinë e gjatë të vendit të tyre mbi kundërshtimin kategorik ndaj ndërhyrjes së jashtme në hemisferën perëndimore.

Ky pozicion u shpreh për herë të parë në “Doktrinën Monro” të vitit 1823, dhe u shfaq plotësisht gjatë reagimit të dhunshëm të SHBA-së ndaj kthesës së Fidel Castros drejt Bashkimit Sovjetik pas Revolucionit Kuban të vitit 1959.

Në atë kohë, presidenti amerikan Dwight D.Eisenhower deklaroi se “Kuba i është dorëzuar Bashkimit Sovjetik, si një instrument me të cilin ne mund të minonim pozicionin tonë në Amerikën Latine dhe në botë”. Ai e urdhëroi CIA-n të hartonte planet për një pushtim. Rezultati ishte operacioni i dështuar në Gjirin e Derrave (nën presidentin John F.Kennedy), që nxiti pak muaj më vonë Krizën e Raketave Kubane të vitit 1962.

Vendet nuk mund të zgjedhin thjesht aleancat e tyre ushtarake, pasi zgjedhje të tilla kanë shpesh pasoja për sigurinë e fqinjëve të tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore, Austria dhe Finlanda siguruan pavarësinë dhe prosperitetin e tyre duke mos u anëtarësuar në NATO, pasi kjo do të kishte provokuar zemërimin e sovjetikëve. Sot Ukraina duhet të tregojë të njëjtën maturi.

Problemet në Tajvan janë të ngjashme. Tajvani ka të drejtën të jetojë në paqe dhe demokraci, në përputhje me konceptin e politikës “Një Kinë”, e cila ka qenë baza e marrëdhënieve të Kinës me SHBA-në që nga koha e Richard Nixon dhe Mao Zedong.

Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë ta paralajmërojnë Kinën të mos marrë asnjë lloj veprimi ushtarak të njëanshëm ndaj Tajvanit, për shkak se kjo do të kërcënonte sigurinë globale dhe ekonominë botërore. Megjithatë, ashtu si Ukraina që nuk ka të drejtë të anëtarësohet në NATO, edhe Tajvani nuk ka të drejtë të shkëputet nga Kina.

Por vitet e fundit, disa politikanë tajvanezë kanë flirtuar me shpalljen e pavarësisë, dhe disa politikanë amerikanë e kanë vënë në dyshim parimin “Një Kinë”. Më pas, presidenti i sapozgjedhur Donald Trump deklaroi në dhjetor 2016:“Unë e kuptoj plotësisht politikën “Një Kinë”, por nuk e di pse ne duhet të jemi të detyruar ta zbatojmë atë përveçse nëse bëjmë një marrëveshje me Kinën që ka të bëjë me gjëra të tjera, duke përfshirë tregtinë”.

Më pas, presidenti Joe Biden e përfshiu në mënyrë provokative Tajvanin në Samitin e tij për Demokracinë, pas mbështetjes që i dha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken një“pjesëmarrjeje të fuqishme” të Tajvanit në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Veprime të tilla të SHBA-së, i kanë përshkallëzuar shumë tensionet me Kinën. Analistë amerikanë mbi çështjet e sigurisë, që argumentojnë se Tajvani është brenda së drejtës së tij për ta shpallur pavarësinë, duhet të reflektojnë mbi historinë e vetë Amerikës.

SHBA u përfshi dikur në një luftë civile mbi legjitimitetin e shkëputjes, dhe separatistët humbën. Qeveria amerikane nuk do ta toleronte mbështetjen e Kinës ndaj një lëvizje të tillë, të themi në Kaliforni (as vendet evropiane si Spanja, e cila është përballur me një situatë të tillë në rajonin Bask dhe Katalonjë).

Rreziqet e një përshkallëzimi ushtarak mbi Tajvanin, shtohen nga njoftimi i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se strategjia e ardhshme e aleancës do të përfshijë edhe kundërvënien ndaj Kinës.

Një aleancë e krijuar për të mbrojtur Evropën Perëndimore nga pushtimi i një fuqie evropiane tashmë të zhdukur, nuk duhet të ripërdoret si një aleancë ushtarake e udhëhequr nga SHBA kundër një fuqie aziatike. Krizat e Ukrainës dhe Tajvanit mund të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe të drejtpërdrejtë. NATO duhet të heqë nga tavolina anëtarësimin e Ukrainës, ndërsa Rusia duhet të heqë dorë nga çdo pushtim.

Ukraina duhet të jetë e lirë t`i orientojë politikat e saj tregtare ashtu siç ajo e sheh të arsyeshme, me kushtin që të respektojë parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë. Ngjashëm, SHBA duhet ta bëjë edhe një herë të qartë se kundërshton me vendosmëri shkëputjen e Tajvanit, dhe që nuk synon të “frenojë” Kinën, veçanërisht përmes riorientimit të NATO-s.

Nga ana e saj, Kina duhet të heqë dorë nga veprimet e njëanshme ushtarake kundër Tajvanit dhe të ripohojë parimin e dy sistemeve, për të cilin shumë tajvanezë besojnë se ndodhen në një kërcënim emergjent pas goditjes së Pekinit ndaj Hong Kongut.

Asnjë strukturë globale e paqes nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt, në rast se të gjitha palët nuk njohin interesat legjitime të sigurisë së të tjerëve. Dhe mënyra më e mirë përmes së cilës fuqitë e mëdha do të fillojnë që ta arrijnë këtë, është të zgjedhin rrugën e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të de-përshkallëzimit të tensioneve mbi Ukrainën dhe Tajvanin.

Shënim: Jeffrey D.Sachs, është Drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias. Ka qenë këshilltar i tre Sekretarëve të Përgjithshëm të OKB-së.

Back to top button