Horizonti.alMagazine

Si po ndodh “arratia” e bimëve në veri të Evropës, për shkak të ndryshimeve klimatike

Ato kapërcejnë male, kalojnë dete dhe përrenj, zbresin nëpër lugina, të nxitura nga një mision i vetëm:të mbijetojnë. Miliona pemë dhe bimë po zhvendosen pikërisht tani përpara syve tanë, duke iu larguar ndryshimeve klimatike.

Mos u çudisni! Bimët gjithashtu migrojnë ashtu si kafshët, ndonjëherë duke përshkuar mijëra kilometra. Kjo është një dukuri po aq e vjetër sa shfaqja e tyre e hershme në këtë planet. Por sot ky proces po merr përmasa krejtësisht të reja, duke filluar që nga shpejtësia me të cilën shumica e specieve do të duhej të lëvizin për të qenë në gjendje të shpëtojnë veten.

Një shpejtësi rreth 10 herë më e lartë se ajo që ishte vërejtur në fund të epokës së fundit  akullnajore, kur bimët ri-kolonizuan Evropën Qendrore me një shpejtësi prej disa qindra metrash në vit. Një kohë shumë e gjatë, dhe kjo pasi bimët nuk lëvizin me të njëjtën shpejtësi si kafshët.

Në fakt, nuk lëvizin ato vetë, por pasardhëset e tyre (farat). Për këtë arsye “lëvizjet”e tyre lidhen me riprodhimin, me aftësinë e secilës specie për t’u përhapur, dhe me ciklin vegjetativ, që për shumicën e specieve është më i ngadaltë se ai i kafshëve.

Sot, për t’i mbijetuar ndryshimit të klimës, shumë bimë duhet të udhëtojnë disa qindra kilometra në vit. Një shpejtësi e pamundur për to, dhe në rast se nuk i ndihmon njeriu, gjatë 100 viteve të ardhshme kjo do të vërë në dyshim mbijetesën e një numri të konsiderueshëm speciesh.

“Le të përpiqemi ta imagjinojmë Evropën Qendrore 14.000 vjet më parë. Ndoshta do të mendojmë për pyje të mëdhenj të pa ndotur. Por e vërteta është se Evropa ishte në atë kohë një stepë e ngjashme me Mongolinë e sotme, e dominuar nga bimësia e rrallë dhe e ulët. Pastaj në një moment, temperaturat filluan që të rriten relativisht shpejt. Dhe në vetëm 4000 vjet, Evropa u shndërrua në një pyll gjigant. Pemët nisën që të përhapeshin nga gadishulli i Ballkanit, gadishulli Iberik dhe Italia, ku ato ishin strehuar nga akulli, dhe u shtrinë në terrenet që ishin sërish në dispozicion.

Sot, ndryshimet klimatike po i shtyjnë speciet evropiane të migrojnë nga pellgu i Mesdheut në Evropën Qendrore, e cila, megjithatë, kërkon një shpejtësi shumë më të madhe se mundësitë e bimëve “-thotë Ivan Skoti nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Agronomike në Avinjon të Francës (INRA).

Sipas tij, në mbarë botën temperaturat po rriten dhe modelet e reshjeve po ndryshojnë, dhe kjo gjë i shtyn bimët të zhvendosen drejt territoreve ku klima është më e favorshme për proceset e tyre biologjike. “Pra është sikur pyjet nga zona e Mesdheut të ‘rrëshqasin’ drejt Evropës Veriore”- thotë Xhiovani Vendramin nga Instituti i Bioshkencave dhe Bioresurseve. “Për shembull, lisat po lëvizin drejt vendeve skandinave, ndërsa bimët mesdhetare, të tilla si lisi i Holmës (Quercus ilex), po priren të zhvendosen drejt pjesës qendrore të kontinentit.

Pemët do të gjejnë ndoshta klimën e tyre ideale më në veri, por pyetja është:Çfarë do të mbetet në jug? Ndoshta disa specie do të vijnë nga Afrika Veriore, për shembull drurit i kedrit. Por përveç kësaj, kemi rrezikun e madh të fenomeneve të shkretëtirëzimit”-thekson ai.

Skoti thotë se pyjet evropiane tashmë kanë filluar që të zhduken, dhe kjo sipas tij përfaqëson një problem serioz jo vetëm për vetë pyjet, por mbi të gjitha për ne njerëzit, sepse pjelloria e tokave dhe ciklet bio-gjeokimike varen nga pyjet, cikli i ujit dhe substancave të ndryshme minerale.

Disa vende si për shembull Kanadaja, kanë filluar të mbjellin disa lloje pemësh që më parë kanë jetuar qindra kilometra më në jug, ose deri qindra metra më poshtë nëse flasim për ndryshimet në lartësi. Ndërkohë, vende të tjera si Franca, kanë zgjedhur të ruajnë speciet ekzistuese në pyje, duke u përpjekur t’i bëjnë ato më “të qëndrueshme”falë futjes së mostrave të së njëjtës specie të përshtatura për klimat më të ngrohta dhe më të thata.

Kalimi tek këto bimë të mësuara me kushtet ekstreme do të jetë i mundur përmes përmirësimeve gjenetike. Po cilat specie do të mbijetojnë? E qartë është se ne duhet të luajmë duart:koha po mbaron, dhe ne nuk do të jemi në gjendje të presim 100 vjet për të parë se cila nga speciet e reja do të mbijetojë.

Në Evropë, disa programe kanë filluar të inventarizojnë burimet gjenetike të pyjeve. Sekuencimi i ADN -së do të japë informacione të vlefshëm, që do të na ndihmojnë të identifikojmë gjenet e përshtatshmërisë (përfshirë rezistencën ndaj thatësirës dhe temperaturave të larta).

Ndërkohë, sot për sot është e pamundur të thuhet se cila nga strategjitë e ndërmarra do të funksionojë më mirë. Vetëm një gjë është e sigurt:këtë herë, pa ndihmën tonë, bimët nuk do të mund t’ia dalin. Dhe pa to,nuk do të mund t’ia dalim as ne.

Marrë me shkurtime nga Focus – Bota.al

Back to top button
Close
Close