HistoriMAIN

Si “shkëmbimi kolombian” solli globalizimin… dhe sëmundjet

Nga Sarah Pruit

Dyqind milion vjet më parë, kur dinozaurët endeshin ende mbi Tokë, të 7 kontinentet që njohim sot ishin të bashkuar në një super-kontinent të vetëm dhe të madh të njohur si Pangea. Pasi u ndanë ngadalë dhe u vendosën në pozicionet që njohim sot, çdo kontinent u zhvillua në mënyrë të pavarur nga të tjerët gjatë mijëvjeçarëve, duke përfshirë evolucionin e llojeve të ndryshme të bimëve, kafshëve dhe baktereve.

Deri në vitin 1492, kur Kristofor Kolombi zbarkoi për herë të parë në një ishull në Karaibe, Amerikat ishin pothuajse plotësisht të izoluara nga Bota e Vjetër (përfshirë Evropën, Azinë dhe Afrikën) prej rreth 12.000 vjetësh, që nga shkrirja e akullit në Ngushticën e Beringut, që zhduku rrugën tokësore midis Azisë dhe bregut perëndimor të Amerikës së Veriut.

Por me ardhjen e Kolombit, dhe me valët e eksplorimeve, pushtimeve dhe kolonizimit evropian që pasuan më tej, procesi i ndarjes globale do të përmbyset fuqishëm, duke sjellë pasoja që kanë jehonë edhe sot.

Historiani Alfred Krosbi përdori për herë të parë termin “shkëmbimi kolumbian” në vitet 1970 për të përshkruar shkëmbimin masiv të njerëzve, kafshëve, bimëve dhe sëmundjeve që ndodhi midis hemisferave Lindore dhe Perëndimore pas mbërritjes së Kolombit në Amerikë.

Në udhëtimin e dytë të Kolombit në Karaibe në vitin 1493, ai ishte i shoqëruar nga 17 anije dhe më shumë se 1.000 burra që vijuan më tej eksplorimet dhe ngritën një vendbanim të mëparshëm në ishullin Hispaniola (Haiti i sotëm dhe Republika Dominikane).

Aty ku kishin zbarkuar anijet e tyre ndodheshin qindra kafshë të zbutura, përfshirë dele, lopë, dhi, kuaj dhe derra, dhe asnjëra prej të cilave nuk mund të gjendej deri në atë kohë në kontinentet amerikane. Në fakt kuajt e kishin origjinën tek Amerikat dhe u përhapën nga andej në Botën e Vjetër.

Por ata u zhdukën nga atdheu i tyre origjinal kur u zhduk ura tokësore, ndoshta për shkak të sëmundjeve ose ardhjes së popullatave njerëzore. Po ashtu evropianët çuan aty fara dhe bimë për të kultivuar të lashtat e Botës së Vjetër si gruri, elbi, rrushi dhe kafeja.

Produket bimore që konsumoheshin nga indigjenët e Amerikës, si misri, patatet dhe fasulet, por edhe domatet, kakao, specat djegës, kikirikët, vanilja dhe ananasi do të përhapeshin së shpejti në Evropë dhe në të gjithë Botën e Vjetër, duke revolucionarizuar në shumë vende dietat ushqimore tradicionale.

Por bashkë me njerëzit, bimët dhe kafshët e Botës së Vjetër erdhën edhe sëmundjet e tyre. Derrat në bordin e anijeve të Kolombit në vitin 493 e përhapën menjëherë gripin e derrit. Epidemia e sëmuri vetë Kolombin dhe evropianët e tjerë, por ishte shumë më vdekjeprurëse për popullsinë vendase Taino në Hispaniola, të cilët nuk kishin pasur asnjë ekspozim paraprak ndaj virusit.

Në një rrëfim retrospektiv të shkruar në vitin 1542, historiani spanjoll Bartolome de las Kazas raporton:“Kishte aq shumë sëmundje, vdekje dhe mjerim, saqë vdiqën shumë baballarë, nëna dhe fëmijë … Nga turmat e mëdha të vendase që kishte ky ishull në vitin 1494, në vitin 1506, mendohej se kishin mbetur vetëm një e treta e tyre”.

Sëmundja e lisë mbërriti në Hispaniola në vitin 1519, dhe shpejt u përhap në kontinentin e Amerikës Qendrore dhe më gjerë. Së bashku me fruthin, gripin, linë e dhenve, murtajën bubonike, tifon, ethet e kuqe të ndezur, pneumoninë dhe malarien, lija bëri kërdinë tek amerikanët vendas, të cilëve u mungonte imuniteti ndaj sëmundjeve të tilla.

Megjithëse ndikimi i saktë i sëmundjeve të Botës së Vjetër mbi popullatat autoktone të Amerikës është i pamundur të dihet, historianët vlerësojnë se 80-95 për qind e tyre u shfarosën brenda 100-150 viteve të para pas zbarkimit të parë të Kolombit në vitin 1492.

Ndikimi i sëmundjeve tek amerikanët vendas, i kombinuar me kultivimin e kulturave fitimprurëse si kallami i sheqerit, duhani dhe pambuku për t’u eksportuar në Evropë, do të sillte një pasojë tjetër shkatërruese.

Për të përmbushur kërkesën për krah pune, kolonët evropianë do t’i drejtoheshin tregtisë së skllevërve, e cila solli migrimin e detyruar të rreth 12.5 milionë afrikanëve midis shekujve XVI-XIX. Ndërkohë, të paktën një sëmundje vdekjeprurëse duket se rrugëtoi nga Amerikat në Evropë.

Shpërthimi i parë i njohur i sifilisit venerian, sëmundje seksualisht e transmetueshme ndodhi në vitin 1495, midis trupave ushtarake të udhëhequra nga mbreti francez Sharli VIII gjatë pushtimit të Napolit. Sëmundja u përhap me shpejtësi në të gjithë Evropën.

Sot sifilisi kurohet në mënyrë efektive me penicilina, por në fundin e shekullit XV dhe fillimin e shekullit XVI, ai shkaktoi simptoma të tilla si ulçerat gjenitale, skuqjet, tumoret, dhimbje të forta dhe demencë, dhe shpesh ishte vdekjeprurës.

Sipas një teorie, origjina e sifilisit në Evropë mund të gjurmohet tek vetë Kristofor Kolombi dhe ekuipazhi i tij, që besohej se ishin prekur nga Treponema pallidum, bakteret që shkaktojnë sifilisin, nga kontaktet e tyre me vendasit e Hispaniola. Ata e çuan në Evropë, ku disa prej tyre më vonë iu bashkua ushtrisë së Sharlit.

Një teori alternative argumenton se sifilizi ekzistonte në Botën e Vjetër që para fundit të shekullit XV-të, por ishte ngatërruar me lebrën apo sëmundje të tjera që kanë simptoma të ngjashme.

Për shkak se sifilizi është një sëmundje seksualisht e transmetueshme, teoritë që përfshijnë origjinën e tij janë gjithmonë të diskutueshme. Por dëshmitë më të fundit, përfshirë një lidhje gjenetike midis sifilisit dhe një sëmundje tropikale të njohur si jaus, që është zbuluar në një rajon të largët të Guajanës, duket se e mbështesin teorinë që ka në qendër Kolombin. / “History.com” – Bota.al

Back to top button