Psikologji

Si ta përqafoni rregullin e heshtjes së sikletshme, për të marrë vendimet më të mira

Nga Justin Bariso

Tim Kuk dhe Xhef Bezos drejtojnë dy nga kompanitë më të mëdha në botë, Apple dhe Amazon. Së jashtmi, ata duket se shfaqin personalitete shumë të ndryshme. Por brenda kompanive të tyre, të dy burrat janë të njohur për një praktikë magjepsëse: Secili përqafon rregullin e heshtjes së sikletshme.

Siç e kam përshkruar më parë, rregulli i heshtjes së sikletshme është:Kur përballeni me një pyetje sfiduese, në vend se të përgjigjeni, ju ndaloni dhe mendoni thellë se si do të donit të përgjigjeshit.

Kjo nuk është një pauzë e shkurtër; përkundrazi, përfshin harxhimin e disa sekondave (10, 20 ose më shumë) për t’i menduar gjërat para se sa të përgjigjeni. Por nëse nuk jeni mësuar me këtë stil komunikimi, ai mund t’ju duket shumë i vështirë.

Në kompaninë “Apple”, Kuk e ka përdorur prej vitesh këtë praktikë. Për shembull në vitin 2008, një artikull i “Fortune” shkruante se Kuk ishte “i njohur për pauzat e gjata dhe të sikletshme, ku gjithçka që dëgjohej ishte tingulli i grisjes së ambalazhit të mbështjellësit të çokollatave që ai ha vazhdimisht”.

Edhe Bezos e zbaton në kompaninë e tij “Amazon” rregullin e heshtjes së sikletshme, edhe pse në një mënyrë më metodike. Kjo përfshin marrjen e kohës në fillim të takimeve, thuhet se deri në 30 minuta, për të lexuar në heshtje disa memo të shtypura.

Ideja është që pjesëmarrësit në takim të kenë kohë për të studiuar memon, për të menduar mbi të, dhe madje për të hedhur në letër mendimet dhe idetë fillestare, gjithçka pa ndërprerje.“Për punonjësit e rinj, kjo është një përvojë fillestare e çuditshme. Ata thjesht nuk janë mësuar të ulen në heshtje në një dhomë dhe studiojnë disa dokumente bashkë me një grup drejtuesish”-deklaroi në një rast Bezos në një intervistë për “Fortune”.

Por ato “fillime të heshtura” garantojnë vëmendjen e pashkëputur të pjesëmarrësve, të cilët mund të mos i kushtojnë kohën e nevojshme reflektimit mbi një memo të tillë, nëse do t`i kenë gjërat gati. Por Kuk dhe Bezos nuk janë të vetmit për përqafimin e rregullit të heshtjes së sikletshme.

Ilon Mask shpesh merr nga 5-15 sekonda për t’u menduar para se të japë një përgjigje kur intervistohet nga mediat. Edhe StivXhobsit dikur i duheshin gati 20 sekonda për t’iu përgjigjur një sulmi personal, duke dhënë një përgjigje perfekte.

Rregulli i heshtjes së sikletshme, ka qenë gjithmonë i vlefshëm si një mjet i  inteligjencës emocionale, pasi ju lejon që t`a ekuilibroni mendimin dhe emocionin, në vend se të reagoni bazuar thjesht tek ndjenja e momenti.

Sot ky rregull është më i dobishëm se kurrë, për shkak të mënyrës se si ka evoluar bota gjatë dekadës së kaluar. Ne jetojmë në një botë që kërkon kënaqësi të menjëhershme. Email-et duhet të marrin përgjigje në të njëjtën ditë që janë dërguar.

Mesazheve telefonike u duhet dhënë një përgjigje e menjëhershme. Keni harruar takimin në platformën “Zoom”? Nuk ka problem, mund t’u bashkohesh sërish në takimin e ardhshëm. Tek e fundit, me gjithçka virtuale në ditët e sotme, nuk ka nevojë as të largoheni nga tryeza juaj e punës apo jo?

Por ka një problem të madh me të gjithë këtë komunikim të menjëhershëm:Ai nuk të lë aspak kohë për t’u menduar. Prandaj, duhet të mendosh edhe në mënyrë kritike. Dhe mendimi kritik, kërkon një shqyrtim të thellë dhe të kujdesshëm të një teme. Kërkon introspeksion dhe retrospektivë.

Ai përfshin peshimin dhe analizimin e fakteve dhe arsyetimin e kujdesshëm. Dhe kjo rezulton në krijimin e lidhjeve të fshehta. Asgjë nga këto nuk është e mundur pa një kohë në dizpozicion. Por koha është bërë luksi më i madh në planet. Kur ju përqafoni rregullin e heshtjes së sikletshme, ju arrini të “vidhni” pak kohë.

Kohën që më parë harxhohej për përgjigje të pakuptimta. Kohë që humbej për t’i thënë një personi tjetër atë që mendoni se dëshiron të dëgjojë, në krahasim me atë që vërtet besoni ju vetë. Sapo ta praktikoni mjaftueshëm, nuk do t`a keni më të vështirë praktikimin e heshtjes së çuditshme.

Pasi, ndërsa bëni një pauzë të gjatë për të menduar, mund t’ju duket në fillim e çuditshme, më pas do të filloni të kuptoni shumë nga avantazhet që ofron ajo. Për shembull, rregulli i heshtjes së sikletshme ju lejon të:

“Heshtni” botën e jashtme

Ushtroni aftësitë tuaja të të menduarit

Të merreni në mënyrë më efektive me problemet thelbësore

Jepni përgjigje më të thella, dhe më të menduara

Të vendosni në ekuilibër emocionet tuaja

Të ruani në harmoni vlerat dhe parimet tuaja

Të thoni atë që keni vërtet ndërmend, dhe të nënkuptoni atë që thoni

Rritni besimin tuaj

Kjo mund të tingëllojë si shumë për 10-20 sekonda, por do të habiteni se çfarë mund të arrijë truri juaj pasi t’i jepet pak më shumë kohë për të bërë atë që është krijuar të bëjë:t’i mendojë më mirë gjërat.

Kështu, herën tjetër kur dikush do t’ju bëjë një pyetje sfiduese, apo edhe atë që duket në sipërfaqe si një pyetje e thjeshtë, i rezistoni tundimit për t’u përgjigjur me gjënë e parë që ju vjen në mendje. Në vend të kësaj, përqafoni rregullin e heshtjes së sikletshme dhe mendohuni para se të flisni. / “Inc” – Bota.al

Back to top button