Covid19MAIN

Sjellja njerëzore gjatë pandemisë, më e rëndësishme sesa çdo lloj varianti i Covid-19

“The New York Times”

Mediat dhe ekspertët e shëndetit publik në mediat sociale, po japin alarmin mbi një variant tjetër të koronavirusit, Delta, duke pretenduar se ai është shumë më infektues dhe ndoshta më vdekjeprurës, sesa çdo variant tjetër i parë deri më tani.

Dhe arsyeja është e lehtë të kuptohet:Variantet e reja të koronavirusit vazhdojnë që të shfaqen, dhe rastet e reja me Covid-19, po shtohen në shumë vende. Por nëse variantet e reja paraqesin një rrezik unik ose thelbësor kjo mbetet ende e panjohur, dhe si virologë ne shqetësohemi se keqkuptimi i varianteve dhe rreziku që ato paraqesin, mund të shkaktojnë konfuzion dhe panik.

Teksa koronavirusi u përhap globalisht, gjenomi i tij ndryshoi – pësoi mutacion – ashtu siç pritet nga çdo virus. Këto mutacione mund të ndikojnë në “aftësinë” e virusit për t’u riprodhuar dhe përhapur. Disa mutacione e dobësojnë një virus, disa nuk kanë një efekt të matshëm, dhe disa e bëjnë atë më të fortë.

Ndërsa një virus bëhet më i aftë, ai do t’ia kalojë viruseve më të dobëta. Dhe Delta nuk është varianti i parë që i ka mundur paraardhësit dhe konkurrentët e tij në zona të caktuara. Ekziston varianti Alfa që u bë i pari dominues në Britani, dhe varianti Gama që u bë fillimisht dominues në Brazil.

Ndryshime të tilla nuk janë unike për koronavirusin. Rritja e aftësisë së viruseve për t’u riprodhuar dhe përhapur ndodh gjatë çdo sezoni të gripit, dhe kjo është arsyeja pse disa variante të gripit mund të qarkullojnë më gjerësisht se sa të tjerët.

Vetëm fakti që një variant zhvendos një tjetër në një zonë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është më infektues apo më vdekjeprurës për njerëzit që infektohen me të. Siç ka qenë e vërtetë për 1 vit e gjysmë, sjellja njerëzore është shumë më e rëndësishme në formësimin e rrjedhës së pandemisë sesa çdo lloj varianti.

Ekzistojnë shumë mënyra se si mund të shndërrohet një virus, për ta rritur aftësitë e tij riprodhuese dhe përhapëse. Ndërsa ai është shumë i përqendruar tek ndryshimet në proteinat virale, të cilat e lejojnë koronavirusin të pushtojë qelizat e njeriut.

Por një virus mund të bartë ndryshime edhe në proteina të tjera. Ndryshime të tilla, mund të lejojnë që virusi të shumohet më lehtë ose t’i shmanget sistemit imunitar. Madje ato mund të lejojnë që virusi të qëndrojë më gjatë në pjesën e hundës.

Përcaktimi i ndikimit që ka një mutacion i caktuar, kërkon kërkime të mëdha laboratorike. Ndonjëherë, përfundimet e hershme rreth një mutacioni të veçantë mund të jenë të pasakta. Kur varianti i parë i vërejtur i koronavirusit origjinal, D614G, u shfaq dimrin e kaluar, disa shkencëtarë besuan se ndryshimet në proteinën virale e bënë virusin më infektiv.

Por një studimi i mëvonshëm tregoi se nuk ishte kështu. Gjithsesi, sa herë që identifikohet një ndryshim i ri në proteinën virale, shumë ekspertë supozojnë se varianti është më virulent dhe “shqetësues”. Por nëse ndonjë variant është biologjikisht më i transmetueshëm apo shkakton sëmundje më të rëndë, kjo gjë nuk është testuar në mënyrë rigoroze.

Tani për tani, përfundimet në lidhje me transmetueshmërinë e variantit, bazohen kryesisht në atë se sa i përhapur është varianti në fjalë. Një variant mund të konsiderohet më infektiv, sepse shkakton një përqindje më të lartë të infeksioneve të reja.

Delta është tani varianti më i zakonshëm në Indi dhe Britani, dhe që përbën më shumë se 90 për qind të rasteve të reja, dhe mbi 20 për qind të infeksioneve të reja në Shtetet e Bashkuara. Jo të gjithë virologët, përfshirë edhe ne, bien dakord se matje të tilla janë të mjaftueshme për ta shpallur një variant më të transmetueshëm apo më infektues.

E qartë për momentin është që Delta, mund të jetë varianti më i aftë dhe më dominues për momentin. Për të përcaktuar transmetueshmërinë e rritur, pra aftësinë e virusit për të kaluar nga një person tek tjetri, kjo gjë kërkon më shumë sesa vetëm matjen e niveleve të infeksionit.

Kjo gjë mund të kërkojë kryerjen e eksperimenteve tek njerëz, çka nuk është shumë etike. Ndryshimet në aktivitetet e njerëzve kontribuojnë në rritjen e infeksioneve – si udhëtimi, mungesa e maskave dhe respektimi i politikave fizike të distancimit, dhe më e rëndësishmja tani vaksinimi i pamjaftueshëm – nuk merren parasysh në diskutimet publike mbi variantet e Covid-19.

Numri i madh i të infektuarve në Indi, Nigeri dhe vende të tjera, nuk ka ardhur domosdoshmërisht për shkak të një varianti të veçantë, por kryesisht për shkak të masave të shkelura të kontrollit dhe infrastrukturës së dobët të shëndetit publik.

Nëse njerëzit gjenden në situata në të cilat mund të infektohen me koronavirus, ka shumë të ngjarë që ata të infektohen me variantin më të përshtatshëm që ndodhet në zonë. Tani për tani, në shumë vende, ky variant është Delta.

Por është e rëndësishme të kuptohet se njerëzit e infektuar me variante, nuk zhvillojnë domosdoshmërisht sëmundje më të rënda apo të vdesin më shpesh nga koronavirusi, ndaj është thelbësore që ata të vaksinohen.

Vaksinat kundër koronavirusit që janë zhvilluar deri më sot, janë shumë efektive në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve të shkaktuara nga të gjitha variantet, përfshirë Deltën.

Vaksinat nuk mund të parandalojnë në çdo rast infeksionet, por ato kanë një ndikim thelbësor në zvogëlimin e përhapjes së virusit, dhe rrezikun për të pasur probleme shëndetësore serioze.

Njerëzit që nuk janë të vaksinuar, janë më të rrezikuar të infektohet dhe pësojnë dëmtime nga çdo variant i koronavirusit.

Gjatë një pandemie, një kohë me shumë të panjohura, njerëzit duan përgjigje të menjëhershme ndaj pyetjes: Çfarë do të thotë ky mutacion? Sigurimi i përgjigjeve të sakta mund të kërkojë vite kërkime shkencore. Tani për tani, ka pak prova se virusi gjendet në një trajektore të pafundme të transmetimit dhe virulencës së shtuar. Vaksinat e sotme, kanë ende mundësi që t’i japin fund kësaj pandemie.

Shënim: Amy B.Rosenfeld dhe Vincent R.Racaniello janë virologë në Departamentin e Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë në Kolegjin e Mjekëve dhe Kirurgëve të Universitetit Kolumbias, Nju Jork. / Bota.al

Back to top button