EkonomiMAIN

Stagflacion i përkohshëm, apo krizë e kapitalizmit?

Larry Elliott

Gjëra të mëdha priteshin nga vitet 2020. Pas zhgënjimeve të dekadës së mëparshme, kjo do të ishte koha kur ekonomia globale do të fuqizohej dhe do të fillonte përsëri ngjitjen. Do të kishte një lulëzim të teknologjive të reja dhe një bum kolosal. Do të ishin edhe një herë, të 20-tat e zhurmshme. Nuk ndodhi. Në vend të kësaj, bota përballet me perspektivën e zymtë të një recesioni të dytë në tre vite. Tre ekonomitë më të mëdha – Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Bashkimi Evropian, të cilat përbëjnë afërsisht gjysmën e të gjithë prodhimit global – po ngadalësohen në të njëjtën kohë. Kjo është e pazakontë dhe shqetësuese.

Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, thotë se një e treta e ekonomisë botërore do të jetë në recesion në vitin 2023, madje edhe vendet që arrijnë të vazhdojnë të rriten ekonomikisht, do të ndihen si në recesion.

FMN-ja ka gabuar – ndonjëherë edhe rëndë – në të kaluarën, por edhe kështu, pesimizmi i Georgievës është i justifikuar. Pothuajse çdo tregues i recesionit të afërt po ndez dritën e kuqe. Çmimet po rriten më shpejt se pagat, duke reduktuar fuqinë shpenzuese të konsumatorit. Rentabiliteti i korporatave është duke u shtrydhur nga rritja e kostove dhe dobësimi i kërkesës. Vendet në zhvillim që morën shumë hua kur normat e interesit ishin të ulëta, tani po e shohin barrën e borxhit të pamenaxhueshme. Dy flluskat e mëdha të aseteve të epokës së pas-pandemisë – kriptomonedha dhe stoqet e teknologjisë – të dyja plasën në vitin 2022.

Bankat qendrore po rrisin normat e interesit, duke ekspozuar dobësinë e kompanive “zombie” që kanë mbijetuar vetëm falë një periudhe të zgjatur të normave të ulëta të interesit. Është shumë më lirë në SHBA të marrësh para hua për 10 vjet sesa të marrësh para hua për një vit. Në të kaluarën, ky fenomen i pazakontë, i njohur si një kurbë e përmbysur rendimenti, ka qenë një shenjë treguese e një recesioni në të ardhmen.

Për shkak të Covid-19, Kina është vendi që duhet parë në vitin 2023. FMN thotë se për herë të parë që nga fillimi i viteve 1990, Kina do të rritet më pak se ekonomia globale në tërësi. Mund të jetë më keq sesa parashikon FMN.

Pra, pyetja e madhe nuk është nëse ekonomia globale do të jetë në një vit të vështirë në 12 muajt e ardhshëm, sepse është e qartë që kështu do jetë.

Bankat qendrore në perëndim e gjetën veten të pafuqishme për të luftuar një krizë të kostove të jetesës, përveçse duke rritur normat e interesit. Recesionet ose prag-recesionet që do të shihen në SHBA, BE dhe MB këtë vit nuk janë rastësi. Ato janë një akt i qëllimshëm i politikës, të cilin bankierët qendrorë e justifikojnë duke thënë se është një zgjedhje midis dhimbjes tani, ose më shumë dhimbje më vonë.

Jo, çështja e vërtetë është nëse 20-tat e zhurmshme janë vonuar, apo nuk do të vijnë kurrë. E thënë ndryshe: a po përballet ekonomia globale me një periudhë stagflacioni të përkohshëm (një kombinim i rritjes së dobët dhe inflacionit të lartë) apo diçka më të thellë: një krizë të kapitalizmit? Dhe nëse është kjo e fundit, çfarë mund të bëhet?

Historia mund të përsëritet. Vitet 1920 filluan me një pandemi, një bum inflacionist dhe mbaruan me një recesion të thellë. U desh pak kohë që të vinin kohët më të mira dhe kur ato erdhën, forca shtytëse ishte një valë shpikjesh të reja, të zhvilluara fillimisht në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, por që u desh kohë për të zbuluar potencialin e tyre të plotë.

Tekno-optimistët thonë se inteligjenca artificiale dhe bioteknologjia do të jenë për vitet 2020, siç ishin radio dhe makina me motorr në vitet 1920: katalizator për një periudhë rritjeje më të shpejtë. Ata besojnë se një periudhë e normave anormalisht më të ulëta të interesit ka penguar një revolucion të katërt industrial. Një periudhë shkatërrimi krijues do të shohë fundin e kësaj shpërndarjeje të gabuar të kapitalit, duke çuar në investime më të larta në industritë e së ardhmes.

Por ekonomia globale ka qenë tashmë e tendosur për 15 vjet. Paratë kanë qenë të lira dhe të bollshme që kur bankat pothuajse u rrëzuan gjatë krizës financiare globale. Nuk ka shumë prova që sugjerojnë se revolucioni i katërt industrial po frenohet nga mungesa e kapitalit.

Përkundrazi, ka pasur një hezitim si nga qeveritë ashtu edhe nga sektori privat për të investuar. Qeveritë mund të kishin përfituar nga kostot historikisht të ulëta të huamarrjes për të rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar, por dështuan. Sektori privat preferoi të përdorte fitimet për të blerë aksione në vend që të merrej me produkte të reja. Inxhinieria financiare rezultoi fitimprurëse për elitat, të cilat supozuan – krejt gabimisht – se për shkak se sistemi po funksiononte për ta, ai funksiononte për të gjithë. Në një aspekt, të 20-at e zhurmshme tashmë janë rikthyer. Ndërsa standardet e jetesës janë duke rënë për shumë njerëz, për super të pasurit është një epokë e re e praruar.

Tre faktorë qëndronin pas rritjes masive të produktivitetit në dekadat e mesme të shekullit të 20-të: idetë, investimet dhe lufta kundër pabarazisë. Ekonomitë filluan të lëvizin realisht vetëm kur produktet e reja ishin në dispozicion të masave përmes politikave që inkurajonin punësimin e plotë, negociatat kolektive dhe rritjen e pagave. Aktualisht, ka mjaft ide, por dy faktorët e tjerë mungojnë. Derisa kjo të ndryshojë, ekonomia globale do të ngecë në vorbullën e saj me rritje të ulët. / The Guardian – Bota.al

Back to top button