Covid19

Studimi: Edhe forma e lehtë e Covid-19, ndikon në shëndetin mendor të njerëzve

Një nivel i konsiderueshëm i simptomave të depresionit, ankthit dhe stresit post-traumatik, mund të pasojë sëmurjen nga Covid-19, pavarësisht nga çdo diagnozë e mëparshme psikiatrike.

Në këtë përfundim mbërrin një studimi i ri i kryer nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias në SHBA, në bashkëpunim me kolegët e Universidade Municipal de São Caetano do Sul në Brazil. Sipas studiuesve, ekspozimi ndaj niveleve simptomatike të rritura të Covid-19, mund të shoqërohet me simptoma psikiatrike pas fazës akute të sëmundjes.

Ky është studimi më i madh deri tani, që mati nivelin e depresionit, ankthit dhe simptomat e stresit post-traumatik tek pacientët që kishin pasur një sëmundje të formës së butë nga Covid-19. Gjetjet e botuara në internet në revistën “Progress in Neuro-Psychopharmacology and Biological Psychiatry”, hedhin dritë mbi një segment të rëndësishëm të popullatës, e cila është e rrezikuar të shfaqë simptoma të sëmundjeve mendore.

“Rezultatet e këtij studimi janë të rëndësishme, sepse shumica e pacientëve me Covid-19 klasifikohen si raste të lehta, por ata përballen me periudha të gjata izolimi në shtëpi”-thotë João Mauricio Castaldelli-Maia, mjek i njohur brazilian, që ishte pjesë e studimit.

“Ka të ngjarë që prevalenca e rritur e simptomave psikiatrike post-Covid 19, të jetë një pasojë e kontekstit psikologjik të sëmundjes. Ndaj ne rekomandojmë që pacientët të monitorohen nga afër për zhvillimin e simptomave psikiatrike pas daljes nga spitali dhe fundit të trajtimit për shkak të Covid-19”-thekson ai

Tamponët e hundës u mblodhën nga banorët brenda një zone në Sao Paulos në Brazil, me njerëz 18 vjeç ose më të mëdhenj që kishin me simptoma të dyshuara të Covid-19. Pacientët u testuan në shtëpitë e tyre, nën mbikëqyrjen e personelit të trajnuar të kujdesit shëndetësor. Ata që rezultuan pozitivë ndaj Covid-19 – me të paktën 2 nga simptomat e mëposhtme: ethe, kollë, dhimbje fyti, ndryshim ose humbje të nuhatjes – dhe u klasifikuan si raste të lehta – u vlerësuan më tej për praninë e simptomave psikiatrike afro 2 muaj më vonë.

Nivele të konsiderueshme të depresionit, ankthit dhe simptomave të stresit post- traumatik u raportuan përkatësisht nga 26 për qind, 22 për qind dhe 17 për qind e tyre. Për qëllime krahasimi, vlerësimet e mëparshme të niveleve të stresit post-traumatik brenda Brazilit ishin 8.5 për qind.

Kjo gjë që tregoi se prevalenca brenda individëve me Covid-19 të formës së butë, u rrit ndjeshëm krahasuar me vlerësimet e kaluara. Në përgjithësi, të mbijetuarit e sëmundjeve në forma të rënda, kanë një nivel të lartë të simptomave mendore kur përmirësohet gjendja e tyre fizike.

Sipas studiuesve, depresioni, ankthi dhe çrregullimi i stresit post-traumatik, janë ndër ngjarjet më të raportuara psikiatrike në pacientët me këto simptoma. Pandemia e vazhdueshme e Covid-19, ka prishur jetën e shumë njerëzve në të gjithë globin, duke sjellë një barrë të shtuar të pasojave të shëndetit fizik dhe mendor.

Brazili, është deri më sot një nga vendet më të prekura, duke shënuar mbi 412.000 të vdekur deri në fillim të muaji maj. “Këto zbulime konfirmojnë paralajmërimet e mëparshme që nga epidemia e SARS-it, kur të mbijetuarit përjetuan shqetësime të rritura psikologjike, që vazhduan 1 vit ose më shumë pas asaj epidemie. Gjetje të ngjashme, u vunë re edhe pas shfaqjes së koronavirusit të Sindromës së Frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS-CoV) në vitin 2015”-u shpreh Silvia Martins, profesore e asociuar e epidemiologjisë në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Kolumbias.

Studiuesit rekomandojnë ndërhyrje të hershme të ekspertëve të shëndetit mendor, me trajtime si psikoterapia dhe grupet mbështetëse, të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e problemeve të shëndetit mendor tek ata që e kanë kaluar Covid-19.

Edhe pse kërkohen studime të mëtejshme mbi mekanizmat e mundshëm neurobiologjikë që lidhin Covid-19 dhe kushtet e shëndetit mendor, ekspertët paralajmërojnë se sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të përgatiten për një fluks të lartë të individëve që përjetojnë shqetësime psikologjike si rezultat i pandemisë së Covid-19. / MedicalExpress

Back to top button