Covid19

Studimi ofron provat përfundimtare: Maskat janë vërtet efektive në mospërhapjen e Covid-19

Nga Derek Thompson

Pyetja më e shpeshtë dhe më emergjente, që është bërë në të gjithëbotëngjatë20 muajve të fundit ka qenë: Cila është mënyra më e mirë për të ndalur përhapjen e koronavirusit të ri?

Dhe përgjigjet shpesh kanë qenë jo shteruese, pasi ato janë mbuluar me atë që unë e quaj “mjegullnaja e pandemisë”.

Për shembull, mbulimi i hundës dhe gojës, duket si një mënyrë e arsyeshme për të bllokuar daljen nga goja të grimcave të virusit dhe futjen në hundën e dikujt tjetër. Por kryerja i një studimi të përsosur mbi maskat, është i vështirë kur ndryshon sjellja nga shteti në shtet, si edhe politikat zyrtare mbi maskat, apo kur të gjithë mbajnë maska me materiale të ndryshme.

Kufizimi i ngrënies në ambiente të mbyllura, u duk sikur do të ndihmonte në frenimin e një virusi që përhapet përmes të folurit në ambiente të mbyllura. Por ne s’kemi të dhëna të mjaftueshme dhe të një cilësie të lartë për të ditur me siguri nëse kjo bën një diferencë të madhe.

Mbylljet e synuara duket se e pengojnë përzierjen sociale në një periudhë afatshkurtër, por kryerja e një eksperimenti që dëshmon efektivitetin afatgjatë të maskave është e vështirë. Gjithsesi tani e kemi edhe një provë të tillë.

Javën e parë të shtatorit, një grup shkencëtarësh nga Universitetet e Jeilit, Stenfordit dhe Berklit, së bashku me disa institucione të tjera, publikuan rezultatet përfundimtare të një studimi të rastësishëm mbi përdorimin e maskave në një komunitet të gjerë në Bangladesh.

Studimi përfshiu afro 350.000 njerëz në 600 fshatra.

Studiuesit përzgjodhën rastësisht fshatra të caktuara, për një eksperiment që përfshinte dhënien e maskave falas, pagesën e disa njerëzve që t’u kujtonin të tjerëve të mbanin maskën, dhe angazhimin e udhëheqësve të fshatit dhe figurave fetare si imamët, për të theksuar rëndësinë e përdorimit të maskave gjatë kësaj pandemia.

Po ashtu studiuesit paguan disa fshatarë që të numëronin maskat që ishin vënë siç duhet në vendet publike, përfshirë tregjet dhe xhamitë. Për të mbledhur të dhënat mbi transmetimin e koronavirusit, ekipi pyeti njerëzit për simptomat dhe kreu teste gjaku për të përcaktuar se kush u infektua me Covid-19 gjatë studimit.

Përfundimi i tyre? Maskat funksionojnë. Ato kirurgjikale janë veçanërisht efektive në parandalimin e transmetimit të koronavirusit. Ndërkohë u pa se mbajtja e maskës në mbarë komunitetin është e shkëlqyer për mbrojtjen e njerëzve të moshuar, të cilët janë shumë më të rrezikuar nga format e rënda të Covid-19.

Për disa, ky përfundim mund të tingëllojë si një vepër e “komplotistëve liberalë” për të na detyruar të mbajmë përgjithmonë maska në fytyrat tona. Për të tjerët, mund të tingëllojë si një lajm shumë i vjetër. Tek e fundit a nuk i përdorën njerëzit me efikasitet e maskat gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918? E pse na duhet një studim i vitit 2021 për të provuar vlefshmërinë e tyre?

Por studimi në Bangladesh, është ndoshta kërkimi më i rëndësishëm i ndërmarrë gjatë pandemisë jashtë testeve klinike mbi vaksinat. Pasi ky studim na jep të dhëna falë provave të rastësishme. Më në fund ne kemi sigurinë që maskat funksionojnë, dhe në të njëjtën kohë kuptojmë se sa i rëndësishëm është përdorimi universal i tyre për të zvogëluar transmetimin e koronavirusit.

Mbajtja e maskave e ul me gati 10 për qind numrin e rasteve të konfirmuara simptomatike me Covid-19 në grupin e eksperimentit, në krahasim me grupin e kontrollit. Ky mund të mos duket si një efekt i madh. Por në fakt ndërhyrja e studiuesve e shtoi numrin e njerëzve që mbanin maska në komunitet nga 14 për qind në 43 për qind. Nëse maskat do të mbaheshin nga të gjithë,me shumë gjasa efektet do të ishin edhe më të madha.

Për me tepër, u zbulua se fshatrat që zbatuan politika pro mbajtjes së maskave, patën një rënie me 34 për qind të Covid-19 tek të moshuarit, për të cilët sëmundja është më vdekjeprurëse. Ndërkohë, studimi gjeti dëshmi të qarta se maskat kirurgjikale janë më të mira në zvogëlimin e përhapjes së simptomave Covid-19 sesa maskat e bëra prej cope.

Në grupet e fokusit, pjesëmarrësit thanë se preferonin maska ​​prej pëlhure, pasi ato dukeshin të ishin më të qëndrueshme. Por studiuesit zbuluan se nga njëra anë, maskat kirurgjikale ishin më efikase, edhe pasi ishin larë 10 herë me sapun dhe ujë. “Nga ana tjetër, ne zbuluam vetëm prova të përziera në lidhje me efektivitetin e maskave prej pëlhure”- thotë Xhejzën Abaluk, bashkautor i studimit dhe profesor në Jeil. / “The Atlantic” – Bota.al

Back to top button
Close
Close