Nga Irvin Stecer
Kapitalizmi është në krizë. Kush e thotë këtë? Berni Sanders, një senator i bardhë 77-vjeçar nga Vermonti rural, një shtet që krijoi një sistem të kujdesit shëndetësor me një pagues të vetëm, dhe pastaj e braktisi atë, pasi kërkonte një rritje të papërballueshme të taksave.
Aleksandra Okasio-Kortez, një kongresiste e re televangjeliste, që është bërë udhëheqësja e së majtës; dhe shumë analistë në media, për të cilët “Kapitalizmi në krizë” është një titull i fuqishëm. Por, kjo frazë shkakton më shumë bujë, se sa është në fakt e saktë. Karl Marksi parashikoi se një ushtri e madhe rezervë të papunësh, dhe kontradiktat e brendshme të kapitalizmit, do ta varrosnin atë.
Versioni i kapitalizmit në SHBA, një përzierje e tregjeve dhe rregulloreve, nuk po shfaq asnjë simptomë krize. Rradhët e ushtrisë rezervë të papunëve janë zvogëluar: Shkalla e papunësisë është 3.8 për qind. Kapitalistët që do të imitonin klasën punëtore, po detyrohen nga mungesat e vazhdueshme e krahut të punës, që të ofrojnë paga më të larta për të nxitur stafin të mos arratiset tek konkurrentët.
Dhe rritja e shëndetshme ekonomike e Amerikës, e përgënjeshtron konceptin se kontradiktat e brendshme janë në veprim. Për këtë shihni: ish-Bashkimin Sovjetik, ku Sanders kaloi një pjesë të muajit të mjaltit; Venezuelën, ku kapitalistët që kanë frikë nga shtetëzimet e pronave të tyre, dhe punëtorët kanë frikë nga uria, janë duke u larguar përditë nga vendi; Gjermania Lindore, që nuk mundi t’i mbante dot banorët e saj të rrethuar me mure; dhe Kubën, shtëpinë e makinave të vjetra, pasi askush nuk mund të përballojë blerjen e një Tojote apo Volksvageni, në dispozicion të tyre në tregjet ndërkombëtare.
Përshkrimi nga Donald Trump i Amerikës, si një komb që ka nevojë për t’u bërë sërish i madh, ishte dhe është thjesht i gabuar. Masat e njerëzve të zhënjuer në SHBA, nuk janë në fakt në një situatë të dëshpëruar. Një sondazh i kryer së fundi nga organizata Gallup, zbuloi se 86 për qind e amerikanëve janë “shumë të kënaqur”, (56 për qind) ose (30 për qind) “me shumicën e aspekteve të jetës së tyre”.
Një studim i mëparshëm, në vitin 1995, nuk ishte aspak i krahasueshëm, por sugjeron që nivelet e kënaqësisë që atëherë janë rritur. Dhe kjo nuk është diçka e habitshme, pasi të ardhurat vjetore për frymë janë rritur me 288 për qind, ose nga 23.600 dollarë në pothuajse 54. 000 dollarë vitin e kaluar, pas rregullimit të inflacionit.
Një ecuri që do të ishte pamundur, për një sistem që pretendohet se është në krizë. Këto shprehje kënaqësie, duket se nuk përputhen me sondazhet e tjera, që tregojnë se rreth 53 për qind e amerikanëve, mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Dhe në fakt nuk është ashtu.
Dikush mund të jetë i kënaqur me rrethanat personale, por i pakënaqur me gjendjen e vendit, me kontrollin nga një elitë që imponon kosto për punëtorët, nga të cilët ai vetë është i imunizuar, siç janë vendet e punës të humbura në tregti; nga financat e vendit: dhe, ndoshta më e rëndësishmja, nga gjendja e asaj që ne mund ta quajmë kultura e kombit.
Sidoqoftë, do të ishte gabim të mendonim se shumica e amerikanëve, janë të kënaqur me ekonominë në përgjithësi. Sikurse shkroi Irving Kristol 40 vjet më parë: ”S’ka dyshim se çështja e barazisë është bërë në këto 2 dekadat e fundit, një çështje e rëndësishme politike dhe ideologjike….”. Në njëfarë mënyre, shqetësimi mbi pabarazinë, është një simptomë e një përkeqësimi më të thellë, të një humbje të perceptuar të kontrollit mbi shumë aspekte të jetës, nga gjetja e një vendi pune, kushtet e punës, dhe deri tek qasja në sistemin shëndetësor.
Prandaj, edhe sot sondazhet e Gallup, tregojnë se 66 për qind e amerikanëve janë disi ose shumë të pakënaqur me mënyrën se si shpërndahen të ardhurat dhe pasuria.
“Politikanët e dinë, se kjo është një çështje që bie realisht ndesh me njerëzit, në të gjithë spektrin politik”- mendon Sarah Anderson, politologe në Institutin për Studime të Politikave. Dhe ajo ka të drejtë: gati gjysma e amerikanëve, kanë votuar në favor që qeveria federale të ndërmarrë hapa për të kufizuar pagat e drejtuesve në kompanitë e mëdha.
Nuk është se amerikanët janë në përgjithësi kundër njerëzve që fitojnë shuma të mëdha parash. Sipërmarrësit e mëdhenj si Bill Gejt admirohen gjerësisht. Por, ata shprehen kundër korpokracisë. Sistemet e kompensimit të korporatave janë jo transparente, dhe ç’është më e keqja plot me konflikte interesi.
Vetëm kohët e fundit, investitorët institucionalë, me blloqe të mëdha aksionesh, kanë filluar të detyrojnë kompanitë të jenë më transparente, në lidhje me përcaktimin e kompensimit të bordit ekzekutiv, dhe për të lidhur pagën me performancën, diçka që është pa dyshim e lehtë të bëhet.
Është gjithashtu e vështirë të mohohet, se në disa aspekte sistemi është “i manipuluar” kundër shtresës së mesme dhe asaj të varfër. Ashtu siç vinte në dukje ekonomist dhe sociologu Mankur Olson: ”Kur një grup, që përbën vetëm një segment të ngushtë të kapacitetit fitimprurës të një shoqërie, është në gjendje të veprojë kolektivisht, motivi i tij kryesor është shpërndarja e pasurisë për vete, nëpërmjet lobimit dhe ndarjesë së fitimeve, dhe vazhdimin e aktiviteteve të tilla edhe kur humbjet për shoqërinë janë të mëdha, në raport me shumën që fiton ky grupim i ngushtë njerëzish”.
Gjithsesi, kapitalizmi nuk është ende i destinuar të zhduket. Së pari, ai nuk ka një sistem rival të aftë të prodhojë dhe shpërndajë një pasuri të tillë të madhe materiale. Familja tipike e klasifikuar si “e varfër” nga qeveria amerikane në vitin 2013, zotëronte një makinë, ajër të kondicionuar në shtëpi, dy televizorë me ngjyra, televizor kabllor apo satelitor, dhe një furrë me mikrovalë, sipas Robert Rektor të Fondacionit Heriteixh.
Ajo jeton gjithashtu në shtëpi me një hapësirë më të madhe, se sa mesatarja evropiane jo e varfër. Dhe 92 % e amerikanëve me të ardhura prej më pak se 30 mijë dollarësh në vit, zotëron një celular. Së dyti, kapitalizmi ka dëshmuar historikisht një aftësi mahnitëse për të reformuar veten, pa e shkatërruar forcën e vet inovative.
Kur ndodhi Depresioni i Madh, dhe shumë amerikane i hodhën sytë nga sistemet ekonomike konkurruese: nacional-socializmi i Hitlerit, fashizmi i Musolinit, komunizmi i Stalinit – Frenklin Ruzvelt shpëtoi bankat e mëdha në vend; siguroi energji elektrike falas për shtresat më të varfra; hapi vende pune të dobishme për shumë njerëz, nga artistët tek mbjellësit e pemëve; dhe krijoi një sistem ligjor që i lejoi sindikatat të balanconin peshën e punëtorëve në negociatat me punëdhënësit.
Ndërkohë, sot janë mëse emergjente një raund tjetër reformash. Kapitalizmi duhet të shpëtohet nga kapitalistët. Kapitalistët, që kanë ndikimin e duhur politik për t’i nxitur këto reforma, do të duhet të pyesin veten si t’ia përshtatin presionet e reja reformimit të kapitalizmit. Dhe kjo mund të nënkuptojë, pranimin e më shumë dhe jo më pak rregullave në fushën e lojës.
Shënim: Irvin Stecer, është Drejtor i Studimeve të Politikave Ekonomike në Institutin Hadson në SHBA.
“American Interest” – Bota.al