AnalizaMAIN

Ushtria evropiane: A do të mësojë ndonjëherë BE-ja ta mbrojë veten?

Nga Joel Weickgenant

“Big Think”

Ishte buka e bardhë, supa plot yndyrë dhe Lufta Franko-Prusiane e vitit 1870, ajo që e bëri më në fund Francën të kuptojë vlerën e rekrutimit të detyruar ushtarak, sistem që ishte krijuar për herë të parë nga Napoleon Bonaparte në vitin 1798.

Napoleoni kishte kuptuar ekzistencën e një sërë nevojash. Duhej jo vetëm modernizimi i forcave të armatosura të kombit, por edhe shndërrimi në francezë i fshatarëve në rajonet më periferike të vendit. Këtë çështje trajton libri i Eugen Weber “Nga fshatarë në francezë”, që përshkruan rrugëtimin e lodhshëm deri tek rekrutimi i detyrueshëm ushtarak.

Napoleoni shpresonte që rekrutët të mësonin sadopak frëngjisht dhe ndoshta të kishin një lloj sjellje më kozmopolite, por ata i harronin menjëherë ato nëse do të ktheheshin në shtëpi. Ritualet bestytnike ishin ende një normë. Dhe qytetarët më të pasur francezë,u neveritën nga ideja që bijtë e tyre të përziheshin në një kazermë me ata të shtresave më të ulëta.

Ndërkohë për fshatarët kishte edhe avantazhe:jeta në ushtri ishte më e lehtë se sa në fermë, ushqimi më i mirë, dhe një sërë reformash të ndërmarra ndër vite e rritën gradualisht joshjen ndaj rekrutimit. Ai që nisi si një projekt elitar, u pranua më në fund nga të gjithë, kur francezët u mposhtën në luftë nga gjermanët, organizimi ushtarak i të cilëve ishte më modern dhe më profesional.

Ne jetojmë sot në një epokë tjetër, kur Evropa ka nevojë për një ide të re mbi sigurinë. Kjo ka ndodhur gradualisht, pasi administratat e njëpasnjëshme amerikane, i kanë bërë vazhdimisht presion aleatëve të tyre në NATO, që të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Tani gjërat janë përshpejtuar, pasi tërheqja kaotike e SHBA-së nga Afganistani, nxori në

pah pafuqinë relative të forcave aleate për ta menaxhuar situatën dhe mbrojtur interesat e tyre në atë vend. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, e përshkroi mjaft saktë këtë problem në një opinion të botuar në “Atlantic Counil”.

“Ne nuk ishim në gjendje të kundërshtonim vendimin e SHBA për t’u tërhequr nga Afganistani, pasi nuk kishim aftësitë e duhura ushtarake, që do të na jepnin mundësi të qëndronim atje pa praninë ushtarake amerikane”-shkroi Kramp-Karrenbauer, ish-udhëheqëse e Unionit Kristiandemokrat.

Ajo theksoi më vonë se ishte përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së që ta korrigjojnë këtë gabim. “Forca e vërtetë për sigurinë dhe mbrojtjen e BE së, mund të vijë vetëm nga shtetet anëtare dhe kryeqytetet e tyre. Aty janë burimet, dhe po aty mund të merren vendime për përdorimin e forcës. Sigurisht, institucionet në Bruksel mund të ndihmojnë. Por është përgjegjësi e shteteve anëtare të bëhen bashkë për t’i dhënë fund performancës së dobët të Evropës në mbrojtje”-theksoi ajo.

Dhe apeli i ministres gjermane e ka një arsye:Përmirësimi i mbrojtjes së kontinentit, ka qenë një temë që është mënjanuar dalëngadalë gjatë dekadës së fundit, sidomos pasi anëtarët e NATO-s ranë dakord në samitin e vitit 2014 që të rritin shpenzimet ushtarake në vendet e tyre deri në 2 për qind të PBB-së. (Sa për krahasim, shpenzimet ushtarake të SHBA-së janë 3-4 për qind e PBB-së).

Planet nga institucionet e BE -së, si PESCO, synojnë të përmirësojnë dhe integrojnë ushtritë e unionit. Por siç e mësuam nga historia franceze, ky nuk mund të mbetet thjesht një projekt elitar. Tek e fundit, konsensusi duhet të vijë nga publiku që voton, pasi asgjë nuk qëndron më afër thelbit të asaj që do të thotë të jesh një komb sesa aftësitë ushtarake.

Të jesh francez, do të thotë të kesh një ushtri franceze; të jesh evropian, do të thotë të kesh një ushtri evropiane. Megjithatë, pak parti në peizazhin politik të Evropës Perëndimore e bëjnë si prioritet kryesor çështjen e garantimit të aftësive më të mira mbrojtëse. Politikanët e Evropës duhet të krijojnë dhe ndajnë me votuesit e tyre një vizion të qartë, se çfarë do të thotë të veprojmë edhe një herë seriozisht në lidhje me këtë çështje.

Nuk është e lehtë të realizosh një ndryshim kursi në nivelin popullor. Brezi që është sot në moshën të mesme dhe madhore në vendet kryesore të BE -së si Franca, Gjermania dhe Italia, është i njëjti që e pa sesi përfundoi rekrutimi në vendet e tyre. Brezat e rinj nuk kanë asnjë lloj përvoje.

Ndërkohë, shpenzimet ushtarake të Gjermanisë, kanë rënë nga 2.6 për qind e PBB-së në vitin 1988 (në Gjermaninë Perëndimore) në vetëm 1.1 për qind në 2015, Dhe ishin 1.4 për qind vitin e kaluar. Ndërkaq, shpenzimet ushtarake të Francës kanë një prirje rritëse, dhe e kaluan pragun prej 2 për qind në vitin 2020, dhe 2 herë më shumë sesa në fundin e viteve 1980.

Natyrisht, rritja e buxheteve në përgjithësi nënkupton se shpenzimet reale mund të jenë rritur. Por shkalla e atyre rritjeve, është e pandjeshme kur krahasohet me kundërshtarët e mundshëm si Rusia, Kina dhe Turqia. Për më tepër,sot ka një brez evropianësh që nuk është mësuar të mendojë shumë për mbrojtjen ushtarake, duke përjashtuar interesat e veçanta individuale. Analistët e politikës së jashtme flasin për një mashtrim të ri me “fundin e historisë”, si ai që çoi në rrugë të gabuar një brez politikë-bërësish, dhe kjo zbehje e vëmendjes ndaj ushtrisë është një version popullor i atij fenomeni. Por në atë kohë kjo ide dukej e përshtatshme:Rekrutimi ushtarak cilësohej si një relike e kushtueshme, sovjetikët ishin zhdukur nga skena, dhe Evropa kishte marrë rolin e saj drejtues në botë për shkak të cilësive të saj morale, duke ia lënë Amerikës shpenzimet masive në ushtri.

Kjo është arsyeja se përse partitë kryesore nuk e vënë asnjëherë theksin tek çështjet ushtarake, si një parim kryesor organizues të platformave të tyre. Nga ana tjetër, nuk ka shumë zëra që bëjnë thirrje për largimin nga NATO apo mbi çarmatimin bërthamor të botës.

Gjithsesi sot ka shumë shenja  se evropianët janë tashmë gati që t’i përgjigjen realitetit të ri në të cilin jetojnë, atë të një kontinenti që rrezikohet nga një sërë kërcënimesh. Kjo është veçanërisht e vërtetë në skajet e kontinentit. Vende si Suedia e kanë rikthyer rekrutimin e detyrueshëm. (Të tjerët nuk e anuluan asnjëherë).

Vende të tjera si Polonia, janë padyshim të interesuara të shmangin kërcënimin rus në kufijtë e tyre. Por është zemra e Evropës Perëndimore, nga motori franko-gjerman i BE-së, deri tek anëtarët origjinalë të BE-së dhe NATO-s, ajo që do të diktojë në tërësi lëvizjet kryesore në këtë aspekt.

Politikanët e Evropës Perëndimore, kanë përpara një punë të rëndësishme për të kryer. Siç thekson Kramp-Karrenbauer, diferenca qëndron në fushën e politikës kombëtare, ndaj u takon udhëheqësve politikë kombëtarë, që t’i zhvendosin diskutimet e tyre jashtë forumeve të institucioneve të BE-së, duke i paraqitur ato tek votuesit e tyre në një mënyrë që nxit njëfarë motivimi.

Nuk ka pse të kalojnë breza të tërë që evropianët të fokusohen tek ajo, si në rastin e fillimit të rekrutimit ushtarak. Në shekullin XXI bota lëviz shumë më shpejt. Le të shpresojmë se do të ndodhin ndryshimet e nevojshme,para se ato t’i detyrojnë ngjarjet.

Back to top button
Close
Close