Bob Bauer
Ndërsa presidenti Donald Trump vazhdon me sulmet e tij të pandalshme ndaj ligjeve dhe normave demokratike, për shumëkënd pyetja është bërë: Çfarë do ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve?
Mund të imagjinohet se kushtet janë pjekur për një skandal të madh – një shkelje e rëndë, e fshehur më parë, por më pas e zbuluar, aq skandaloze dhe aq jashtë çdo kufiri, saqë do të mobilizonte edhe ata që ndodhen në anën tjetër të spektrit politik.
Në të kaluarën, pikërisht këtë funksion ka pasur skandali. Zbulimi i keqpërdorimit serioz të pushtetit nga zyrtarët, që është thelbi i skandaleve, krijonte hapësira për reforma. Sado të këqija të ishin këto skandale – dhe shpeshherë ishin shumë të rënda – ato përmbanin brenda tyre farën e ndryshimit. Por sot, skandalet tradicionale janë gjithnjë e më të vështira për t’u realizuar.
Watergate është në shumë drejtime, shembulli klasik i një skandali dhe potencialit të tij reformues. Ai përmbante gjithçka: veprime të fshehta dhe të paligjshme nga një president, në kundërshtim me ligjet dhe normat, zbulimin e këtyre aktiviteteve skandaloze dhe, në fund, një marrëveshje dypartiake për masa korrigjuese dhe reforma. Këto reforma përfshinin rregullime mbi financimin e politikës, mbrojtje kundër keqpërdorimit të fuqisë së survejimit për të spiunuar qytetarët amerikanë dhe krijimin e autoritetit për hetime të pavarura mbi keqbërjet e mundshme kriminale të degës ekzekutive.
Ky cikël i skandalit dhe reformës dypartiake është pothuajse i paimagjinueshëm sot. Në administratën Trump, ai që mund të ishte konsideruar skandal në një periudhë tjetër, në një presidencë tjetër, është në fakt një program qeverisës.
Elementët e këtij programi – pretendime “radikale kushtetuese” mbi fuqinë presidenciale, përdorimi i Shtëpisë së Bardhë për të orientuar hetime kundër kundërshtarëve politikë, braktisja e kufizimeve mbi përfitimet personale nga posti – janë shpallur hapur dhe ndiqen hapur. Ajo që ishte e fshehur dhe u zbulua gjatë viteve të Richard Nixonit, sot në epokën e Trumpit paraqitet si shfaqje e vendosmërisë presidenciale dhe si legjitimim i një mandati zgjedhor.
Nixon kishte dhënë dorëheqjen dhe ishte larguar nga posti përpara se t’i thoshte një gazetari se, sipas përkufizimit, asnjë veprim presidencial nuk mund të shkelë ligjin. Trump shprehu të njëjtin qëndrim – se një president nuk mund të shkelë ligjin nëse ai po përpiqet të shpëtojë vendin – që në javët e para të mandatit të tij të dytë. Ai po e ripërcakton presidencën, po riformulon pritshmëritë për këtë post.
Vdekja e skandalit është një goditje për mekanizmat e mbrojtjes së një demokracie. Përveçse është periodikisht i dobishëm për të zbuluar korrupsionin, skandali është një element thelbësor i demokracisë liberale. Siç shkruan sociologu John Thompson, ai është padyshim “më i zakonshëm [në këto sisteme] sesa në regjimet autoritare, ose në shtetet me një parti të vetme.”
Kjo ndodh sepse, në demokraci, skandali është i mundur vetëm falë konkurrencës së fortë elektorale, një shtypi të lirë dhe mbrojtjeve kundër hakmarrjes që kanë organizatat mediatike, opozita politike dhe të tjerët që denoncojnë dhe shpesh ekspozojnë korrupsionin e qeverisë në pushtet.
Por kur normat demokratike dëmtohen ose shemben, skandali shembet bashkë me to. Në këtë mënyrë, zhdukja e skandalit është njëkohësisht shkak dhe pasojë e rënies së demokratisë: ajo e bën reformën më të vështirë dhe shfaq zbuluar gërryerjen e kushteve që e bënin të mundur zbulimin e tij, që në krye të herës.
Trump po i sulmon drejtpërdrejt këto kushte. Ai po vazhdon dhe, në disa raste, po intensifikon paditë kundër organizatave mediatike. Ai ka shkarkuar inspektorët e përgjithshëm që shërbejnë si “rojtarë” në 17 agjenci të degës ekzekutive. Trump ka shkarkuar edhe kreun e Zyrës së Këshillit të Posaçëm, detyrat e të cilit përfshijnë zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e sinjalizuesve (whistleblowers), dhe e ka zëvendësuar atë me një ish-anëtar republikan të Kongresit, i cili është njëkohësisht edhe Sekretar i Çështjeve të Veteranëve – duke e kthyer praktikisht, në një pozicion me kohë të pjesshme.
Ai po shfrytëzon një mjedis mediatik të përçarë dhe të polarizuar për të krijuar realitete alternative, duke e bërë shumë të vështirë që një narrativë e përbashkët mbi ndonjë skandal, të formohet dhe të përhapet. Një shembull i qartë i kësaj është ridimensionimi i sulmit ndaj Kongresit më 6 janar, të cilin ai e ka quajtur “një ditë dashurie,” duke i falur shumicën e të dënuarve për përfshirjen e tyre.
Forca korrigjuese e skandalit ishte dobësuar tashmë gjatë mandatit të parë të Trumpit. Në ato vite, ai nuk e fshehu dëshirën për të përfituar personalisht nga detyra dhe u përpoq të kontrollonte Departamentin e Drejtësisë për qëllimet e tij personale dhe politike – edhe pse jo në shkallën që po shohim sot. Këto dhe veprime të tjera të asaj periudhe shkaktuan polemika të mëdha dhe çuan në dy procese shkarkimi, por asnjë prej tyre nuk përfshinte zbulime për veprime që ai i mohonte.
Ai e quajti “të përsosur” telefonatën me presidentin e Ukrainës, e cila ishte në qendër të procesit të tij të parë të shkarkimit, ndërsa në të dytin, tubimi dhe komunikimet e tij me video lidhur me sulmin ndaj Kongresit ishin tërësisht publike. Pasi Trump u largua nga detyra, u propozuan një mori reformash për të kufizuar versionin e tij të presidencës, por asnjë prej tyre nuk u miratua.
Edhe kur një skandal nuk çon në reforma ligjore, ai mund të shërbejë për të rigjallëruar normat e dobësuara. Një shembull që sot mund të duket i largët është zemërimi i shkaktuar nga shkarkimi i nëntë prokurorëve federalë, gjatë administratës së George W. Bush në mesin e mandatit të tij.
Shkarkimi ishte publik, por motivi kishte elemente skandali: doli në pah se Shtëpia e Bardhë kishte qenë thellësisht e përfshirë në këto largime, duke vepruar mbi bazën e shqetësimeve se këta zyrtarë, nuk ishin mjaftueshëm të përkushtuar, për të luftuar të ashtuquajturin “mashtrim elektoral” nga Partia Demokrate. Prokurori i përgjithshëm e mohoi që kishte ndonjë motiv të dyshimtë dhe pranoi se “do të ishte e papranueshme të shkarkohej një prokuror, për të ndikuar apo ndërlikuar një çështje specifike për përfitime politike partiake.”
Megjithatë, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm e Departamentit të Drejtësisë dhe Zyra e Përgjegjësisë Profesionale e shqyrtuan rastin dhe arritën në përfundimin se “shkarkimi i prokurorëve dhe polemika që krijoi ai dëmtuan rëndë besueshmërinë e Departamentit dhe hodhën dyshime mbi integritetin e vendimeve të tij për ndjekjen penale.”
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm gjithashtu vlerësoi se kishte “prova të rëndësishme se konsideratat politike partiake kishin qenë një faktor i rëndësishëm” në këto shkarkime dhe se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kishin “përgjegjësinë për të garantuar që vendimet për ndjekje penale të bazoheshin në ligj, prova dhe politikën e Departamentit, dhe jo në presionin politik.”
Pjesërisht si rezultat i këtij skandali, Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales dha dorëheqjen.
Por kjo nuk ishte e gjitha. U caktua një këshilltare e posaçme për të shqyrtuar nëse këto shkarkime kishin shkelur ndonjë ligj penal. Përfundimi i saj ishte se nuk kishte pasur shkelje ligjore, por se ligji ndalonte disa forma të ndërhyrjes politike në zbatimin e drejtësisë. Ajo gjithashtu konfirmoi parimet e Departamentit të Drejtësisë kundër “ndikimit të tepërt politik.”
Administrata e Obamës e informoi Kongresin mbi këto gjetje dhe e theksoi me forcë këtë pikë: Prokurori i saj i përgjithshëm ishte i përkushtuar për të “garantuar që konsideratat politike partiake të mos luajnë asnjë rol në vendimet e Departamentit për zbatimin e ligjit.”
Ka pak arsye për të imagjinuar se do të shohim një “skandal” që lidhet me “ndjeshmërinë e tepruar ndaj politikës” në këtë presidencë. Normat në qendër të skandalit të prokurorëve federalë nuk respektohen më as formalisht, sepse shkelja e tyre është kthyer në politikë shtetërore.
Siç ka vënë në dukje juristi Jack Goldsmith (dhe bashkëpunëtori im në buletinin Executive Functions në Substack), politika e shpallur e Shtëpisë së Bardhë të Trumpit për të shmangur “‘shfaqjen e ndikimit të papërshtatshëm politik’ në zbatimin e ligjit” është një gjuhë e dyfishtë, që në realitet justifikon një ndikim të rëndë politik mbi organet e drejtësisë.
Zyrtarë të emëruar në poste të larta, përfshirë prokurorin federal në Uashington D.C., drejtorin e FBI-së dhe zëvendësdrejtorin e sapoemëruar të saj, janë dukur shumë të etur për të hetuar ata që kanë qenë të përfshirë në hetimet kundër Donald Trumpit.
Në këtë mjedis, duket se ka vetëm një mundësi të vetme për një skandal sipas modelit të vjetër: roli i Elon Musk. Në këtë rast, disa nga elementët e një skandali klasik janë të pranishëm. Një biznesmen, i vendosur si brenda ashtu edhe jashtë qeverisë, është pajisur me autoritet të dukshëm, por të papërcaktuar qartë. Nuk është kurrë e qartë nëse Musk flet në emër të tij, të bizneseve të tij apo të qeverisë.
Administrata ka dhënë versione të ndryshme mbi rolin e tij në Departamentin për Efiçencën e Qeverisë. Vetë Musk ka bërë një pohim të jashtëzakonshëm, duke sugjeruar se votuesit janë, të paktën në mënyrë të tërthortë, burimi i autoritetit të tij. Muajin e kaluar, ai rishpërndau një postim në X (ish-Twitter) ku shkruhej: “Demokratët vazhdojnë të thonë ‘Askush nuk e zgjodhi Elon Musk.’ Po, e bëmë. Elon ishte shumë i pranishëm me Trumpin dhe ne zgjodhëm Trumpin për të përdorur Elonin.”
Sondazhet tregojnë se edhe mes republikanëve, Musk mbetet një figurë kontroverse. Nuk është e pamundur të imagjinohet që në një moment të caktuar të ndërmerret një reformë për të vendosur kufizime, ose të paktën më shumë llogaridhënie dhe transparencë, mbi mënyrën se si një president mund të përdorë një qytetar privat për të marrë përsipër funksione të mëdha qeveritare.
Ndoshta perspektiva për reforma, edhe pa forcën shtytëse të një skandali, do të bëhet më e mundur nëse administrata dështon të përmbushë ato çështje që shqetësojnë më shumë votuesit e zakonshëm dhe nëse ata bëhen më pak tolerantë ndaj një udhëheqjeje presidenciale të stilit “rroftë mbreti.”
Aspiratat monarkike mund të dështojnë përballë çmimit të vezëve dhe të proshutës. Ato mund të përplasen edhe me një element përcaktues të kulturës politike amerikane: mosbesimin ndaj qeverisë, bindjen se ajo është, siç ka shkruar historiani Garry Wills, një “e keqe e domosdoshme, me të cilën duhet të jetojmë, por që gjithmonë e kundërshtojmë.”
Pretendimi agresiv i Trump-it se presidenti është ligji është krejtësisht i ri dhe po i imponohet shpejt elektoratit. Ndoshta, në këtë periudhë të shkurtër, votuesit po presin dhe po shohin. Trump dhe aleatët e tij mund të mos e kuptojnë se po testojnë – dhe ndoshta nuk do të jenë në gjendje të triumfojnë mbi – traditën amerikane të anti-qeverisjes.
Në fund të fundit, ata janë qeveria tani.
· Bob Bauer është profesor i praktikës dhe studiues i shquar rezident në Fakultetin e Drejtësisë në New York University (NYU). Ai ka shërbyer më parë si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Barack Obamës.