Bota

Xi Jingping po e kërcënon Tajvanin, pasi është në pozita të dobëta

Nga Ian Williams

“The Spectator”

Gjatë fundjavës që kaloi, Kina dërgoi disa skuadrilje avionësh luftarakë, që fluturuan mbi Tajvanit në një numër që nuk ishte parë më parë. Ky akt e detyroi ishullin demokratik dhe që vetëqeveriset të vendosë në gatishmëri avionët e tij luftarakë, si dhe të përgatisë raketat e mbrojtjes kundër-ajrore.

Shtetet e Bashkuara deklaruan se janë “shumë të shqetësuara” nga veprimet “provokuese” të Pekinit, dhe përsëritën angazhimin “e qëndrueshëm” të Uashingtonit në mbrojtje të ishullit.Sipas Ministrisë tajvaneze të Mbrojtjes, 38 avionë kinezë, përfshirë avionët bombardues të aftë të godasin me bomba bërthamore, dhe avionët luftarakë J-16, hynë të premten në hapësirën ajrore të ishullit.

Ndërkohë,39 avionë të tjerë luftarakë kinezë bënë të njëjtën gjë të shtunën, në atë që cilësohet si inkursioni më i madh i kryer deri më tani nga Pekini. Rreth 16 avionë të tjerë u dërguan në zonë ditën e dielë.

E ashtuquajtura “zona e mbrojtjes ajrore” nuk është tipikisht hapësira ​​ajrore tajvaneze. Por ajo përfshin pikat e ndjeshme ndaj ishullit, nga ku monitorohen avionët e huaj dhe kërkohet identifikimi i tyre. Gjatë muajve të fundit,ndërhyrje të tilla janë rritur në madhësi dhe shtuar në rregullsi.

Po kështu ka ndodhur edhe me stërvitjet e tjera ushtarake, që simulojnë një pushtim të ishullit rebel, të cilin Pekini e pretendon si të vetin. Njëkohësisht, udhëheqësi i partisë komuniste Xi Jinping e ka shtuar retorikën e tij, duke pretenduar se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani tregon se Uashingtonit nuk mund t’i zihet më besë si aleat.

Ai e ka shndërruar “rimarrjen”e Tajvanit në një element kyç të “ëndrrës së tij kineze” dhe tëpërtëritjes së vendit totalitar. Ndërhyrjet e fundit synojnë që të testojnë mbrojtjen ushtarake të Tajvanit, por edhe për të frikësuar autoritetet tajvaneze.

Ato janë pjesë e taktikave më të gjera të “zonës gri” kundër ishullit, e cila ka përfshirë fushatat e shtuara të keqinformimit, sulmet kibernetike dhe përpjekjet për t’i mohuar Taipeit çdo lloj hapësire ​​në arenën ndërkombëtare, siç është për shembull bllokimi i përpjekjeve të tij për t’iu bashkuar Asamblenë Botërore të Shëndetit (organi vendimmarrës të OBSH-së), ku mund të kishte ndarë përvojën e saj në luftën kundër pandemisë së Covid-19.

Lëvizjet e fundit mund të lexohen edhe si mënyra që përdor Partia Komuniste Kineze për të festuar Ditën Kombëtare, përvjetori i 72-të sundimit të saj që nga 1 tetori i vitit 1949. Ndërsa ekziston gjithmonë rreziku i llogaritjeve të gabuara dhe aksidenteve serioze, presioni aktual nuk do të thotë se konflikti Kinë-Tajvan është i pashmangshëm.

Edhe pas investimeve të jashtëzakonshme në ushtrinë kineze vitet e fundit, më të mëdhatë para ndonjëherë në kohë paqeje, një pushtim i Tajvanit do të ishte ende një përpjekje jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme.

Gjeografia e ishullit është ideale për mbrojtje, me shumëpak mundësi të mira për një forcë të jashtme pushtuese. Sipas disa vlerësimeve, pushtimi do të kërkonte mbi 1 milionë trupa, një operacion ushtarak që do të ishte i pamundur të maskohej. Dhe sigurisht që dështimi do të lajmëronte fundin e sundimit të Xi, dhe ndoshta edhe atë të PKK.

Në shumë aspekte, provokimet e Xi mund të shihen si një shfaqe boshe e zhgënjimit. Tajvani po largohet akoma më shumë prej tij. Represioni në Hong Kong e ka shkatërruar tashmëkonceptin “një vend, dy sisteme”, dhe Pekini është përpjekur që të bëjë të njëjtën gjë edhe në Tajvan.

Goditja e lëvizjes demokratike në ish-koloninë britanike e ka tronditur shumë Tajvanin. Ajo luajti një rol të madh në rikthimin në pushtet në ishull presidentit Tsai Ing-wen, dhe të partisë Demokratike Progresiste, që fitoi një numër rekord votash në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“Politika e një Kine”, gjithashtu është tashmë e vjetëruar. Supozimi i saj afatgjatë ishte se të dy anët e Ngushticës së Tajvanit, mund të konvergojnë mjaftueshëm në një moment të caktuar në nivelin politik, për të bërë të mundur një lloj ribashkimi paqësor.

Por ky ka qenë gjithmonë një truk. Pretendimi i Partisë Komuniste Kineze mbi ishullin e Tajvanit, ashtu si shumica e pretendimeve të saj“historike”, është i dyshimtë për të thënë më të paktën. Të dyja vendet kanë ecur me shpejtësi në drejtime të kundërta.

Xi drejt një totalitarizmi të zymtë në formën e një shteti distopian të mbikëqyrjes, ndërsa Tajvani është bërë një demokraci e hapur, tolerante dhe e larmishme, padyshim demokracia e re më e suksesshme në planet.

Shumica e tajvanezëve nuk identifikohen më me Kinën, siç përcaktohet nga Partia Komuniste. Para së gjithash ata e shohin veten si tajvanezë. Nacionalizimi tajvanez është një nacionalizëm qytetar, që është me të drejtë krenar për atë që ka arritur demokracia e tyre, dhe një botë larg varietetit të ashpër etnik, siç është kultivuar vitet e fundit nga presidenti Xi Jinping.

Tajvani është një vend i qëndrueshëm, dhe duhet të jetë në atë lagje. Shumica e tajvanezëve sot nuk duan që të kenë të bëjnë me Pekinin në aspektin politik. Megjithëse mund të duket e qartë të thuhet kështu, në rast se qytetarët e Tajvanit do të arrijnë të hyjnë ndonjëherë në një marrëdhënie më të thellë politike me Kinën, ata do të duhet të binden se ia vlen të qëndrojnë.

Pastaj do të duhet të votojnë për të ndryshuar kushtetutën e tyre, në përputhje me rrethanat e reja. Mënyra më e mirë që Xi Jinping ta arrijë këtë gjë, është ta bëjë Kinën të duket një vend tërheqës. Por në vend të kësaj, ai po ngjall neveri, dhe po provokon me dërgimin e skuadriljeve të herëpashershme të avionëve luftarakë pranë ishullit, veprime këto që duket se do ta largojnë me siguri edhe më tej Tajvanin nga Pekini.

Back to top button
Close
Close