Nga Bernard Guetta
Gjithkush do të donte që viti i ri të jetë më i mirë se ai që sapo shkoi, por 2016-ta nis në fakt me tre panjohura të mëdha. E para ka të bëjë me Evropën, për shkak se këtë vit, një nga tre vendet më të mëdha në BE-së, Britania e Madhe, mund të vendosë që të dalë nga unioni, përmes një referendumi popullor.
Kjo nuk është ende e thënë se do të ndodhë, pasi në kundërshtim me atë që ndodhi në Francë në vitin 2005, britanikët nuk do të duhet të vendosin mbi një traktat të ri, por nëse do të vazhdojnë apo jo t’i përkasin Bashkimit Evropian. Pra, ajo që është lojë është shumë më e madhe, por për momentin sondazhet tregojnë një rritje të synimit për të votuar në favor të një Brexit.
Nëse kjo prirje do të konfirmohet, 27 anëtarët e tjerë të unionit, do të përballen me një situatë veçanërisht të vështirë, sepse tradhtia e Londrës do t’i japë një shtysë të madhe të gjithë të djathtave të reja të ekstremit të djathtë, pikërisht në momentin kur shumica konservatore në pushtet në Poloni, ka çelur një front të ri duke u larguar, ashtu si Hungaria, nga parimet demokratike mbi të cilat është bazuar Bashkimi Evropian.
Hipoteza e një copëtimi progresiv të unionit, është gjithnjë e më shumë e besueshme, por nga ana tjetër, nëse populli që ka qenë përherë mosbesues ndaj projektit të bashkimit, vendosë për të mos dalë nga Bashkimin Evropian, do të kemi ripohimin se bashkimi është tanimë një proces i pakthyeshëm dhe se asnjë alarmizëm, nuk mund të fshijë aspektet pozitive që janë arritur deri më tani.
E panjohura e dytë ka lidhje me Lindjen e Mesme, dhe shpresën e brishtë të një zgjidhjeje për Sirinë.
Plani i dialogut, i miratuar në 14 nëntor nga Fuqitë e Mëdha vendet sunite dhe Irani shiit, u shndërrua në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashikon hapjen deri në fund të këtij muaji të negociatave ndërmjet regjimit të Bashar Al-Asadit dhe opozitës, ndryshimin e Kushtetutës dhe organizimin brenda një viti e gjysmë të zgjedhjeve parlamentare, çka në mënyrë të pashmangshme do të çojë në largimin e presidentit sirian nga pushteti.
Sinjalet që vijnë nga Siria janë inkurajuese, sepse opozita është bërë kompakte, ndërsa Rusia dhe Irani kanë një interes të përbashkët për arritjen e një kompromisi, sidomos nëse kihet parasysh fakti se rënia e çmimeve të naftës do ta pengonte Moskën për t’u angazhuar ushtarakisht në rajon për një kohë të gjatë.
Në Siri, e pamundura bëhet e mundur, por përkeqësimi i papritur i marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit (me prishjen e marrëdhënieve diplomatike), mund të rrezikojë gjithçka. Së fundmi, e panjohura e tretë, i përket Shteteve të Bashkuara. Nëse Donald Tramp do të fitojë garën paraprake brenda gjirit të republikanëve, Hilari Klinton do ta kishte të rrugën e shtruar drejt presidencës, me mbështetjen e konservatorëve më të moderuar.
Ndërkohë, në rast se do të trumfojë ndonjëri nga rivalët e Tramp, zgjedhjet e ardhshme presidenciale të nëntorit do të jenë po kaq të pasigurta në lidhje me atë se cili do të jetë fitues, sa edhe fati i Lindjes së Mesme dhe Evropës.
“Internazionale” – Bota.al