AnalizaMAIN

1939 vs 2022: Perëndimi nuk ka një Churchill

Nga Dominique Moisi

“World Crunch”

Ritmi i historisë është përshpejtuar ndjeshëm që nga fillimi i këtij shekulli. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2021, na dhanë shenjën e parë të cënueshmërisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa kriza financiare dhe ekonomike që nisi në vitin 2007 konfirmoi brishtësinë e Perëndimit kapitalist.

Të inkurajuara nga këto sinjale negative, regjimet autoritare morën vrull. Në mënyrë simbolike Kina po mbante Lojërat Olimpike Verore të Pekinit të vitit 2008, dhe në mënyrë konkrete, po atë vit Rusia realizoi “bllofin”e saj të parë të suksesshëm në Gjeorgji.

E ngatërruar në kontradiktat dhe ndarjet e brendshme, dhe e shpërqendruar nga aventurat e jashtme, bota perëndimore dëshmoi spektaklin e rënies së vet. Në orët e para të së enjtes së 25 shkurtit historia nuk u përshpejtua. Përkundrazi ajo u kthye pas, siç kishte bërë dy herë në shekullin XX-të, në vitet 1914 dhe 1939.

Ashtu si Hitleri para tij, Putini na kishte thënë saktësisht se çfarë do të bënte. Dhe duhej të ishe shumë naiv ose i vetëkënaqur për të mos e dëgjuar dhe kuptuar. Ishte i parashikueshëm edhe pushtimi masiv i Ukrainës me sulme të njëkohshme në tre fronte.

Strategjia e Putinit është ajo e një fakti të kryer:të parandalojë organizimin e rezistencës ukrainase, t’i detyrojë perëndimorët të përballen me limitet e tyre. Cilin tjetër dëshironi të ndihmoni? Ashtu si Luigji XIV që tha dikur “Unë jam shteti”, Putini po na thotë:“Unë jam Ukraina!”.

Njohja nga Moska e “republikave të pavarura të Donetskut dhe Luhanskut”, ishte vetëm  hapi i parë drejt nënshtrimit të të gjithë Ukrainës. “Siguria absolute për njërën palë, duhet të nënkuptojë pasiguri absolute për të gjitha palët e tjera”- shkroi Henry Kissinger, duke folur për Bashkimin Sovjetik.

Formula e tij përmbledh në mënyrë të shkëlqyer sjelljen aktuale të Rusisë së Putinit. Fiksimi i deklaruar i Carit të ri mbi sigurinë dhe interesat e popullit rus, mezi fsheh dëshirën e tij absolute për hakmarrje, e mbështetur nga një vendosmëri e madhe.

Dikur Hitleri donte që të hakmerrej për poshtërimin që i bëri Gjermanisë Traktati i Versajës. Putin dëshiron që të marrë hak për poshtërimin e Rusisë pas Luftës së Ftohtë. Në vetëm 2 vite, midis viteve 1989-1991, nga rënia e Murit të Berlinit deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Rusia përjetoi ekuivalentin e asaj që përjetoi Franca midis Revolucionit Francez dhe humbjes së perandorisë së saj koloniale.

Por ajo ishte mbi një periudhë që përfshin gati 2 shekuj. Fiksimi i Hitlerit me hakmarrjen, u ngatërrua edhe me fiksimin e tij kundër hebrenjve. Paaftësia e tij për të zgjedhur midis dy objektivave të luftës – pushtimi i Evropës ose eliminimi i hebrenjve – e përshpejtoi rënien e tij.

Kjo nuk po ndodh me Putinin. Fiksimi i tij nacionalist nuk ka ndonjë shpërqendrim me pasoja fatale. Për të, ambicia sulmuese dhe ajo mbrojtëse shkojnë dorë për dore. Ai e di se duke e rindërtuar perandorinë e tij, konsolidon edhe pushtetin e vet.

Fiksimi i tij me Ukrainën – sipas tij një vend “artificial” dhe një “regjim kukull” – ndahet nga shumica e rusëve. Kur ne ngritëm pa maturi dhe kundër çdo logjike strategjike mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, i dhamë Putinit argumentin dhe pretekstin e përsosur. Duke e zgjedhur Ukrainën si objektivin e tij kryesor, ai po vinte një bast jo shumë të rrezikshëm. Nëse Putini ndërmori veprime, kjo nuk ndodhi sepse ai ndihej i ngushëlluar nga aleanca e tij e privilegjuar me Kinën e Xi Jinping. Por mbi të gjitha sepse ai është i bindur se bota perëndimore është në thelb gati për t’u dorëzuar, ashtu siç bënë Britania dhe aleatët para Hitlerit me Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938.

Sa për të përdorur formulën e filozofit francez Raymond Aron “aftësitë formojnë qëllimet”, mund të themi se paaftësia aktuale e disa perëndimorëve ka nxitur synimet e të tjerëve (rusëve dhe kinezëve). Putini nuk ka dashur kurrë një Ukrainë të Finlandizuar, por një Ukrainë të nënshtruar.

A është sundimtari i Kremlinit një njeri që i ka mbetur ora në shekullin XIX apo një udhëheqës i shekullit XXI-të? Ose – edhe kjo është një hipotezë shumë më tragjike – duke qenë rimishërimi i të kaluarës, a mund të parathotë ai të ardhmen tonë? Një botë hobsiane e dominuar vetëm nga marrëdhëniet midis fuqive të mëdha?

Sido që të jetë, Putin mendon se koha është në anën e tij. Ai e di se ajo që është në lojë me Ukrainën është më e rëndësishme për Rusinë sesa për shumicën e vendeve evropiane, me përjashtim të Polonisë dhe vendeve baltike. Kërcënimet me sanksione ekonomike nuk mund ta ndalojnë Putinin.

Përkundrazi, ai nuk shqetësohet aspak për lumturinë dhe as për mirëqenien e popullit të tij. Dhe ai është i bindur se evropianët do të lodhen duke paguar më shumë për ngrohjen dhe bukën, kur në të njëjtën kohë, do të detyrohen të mirëpresin gjithnjë e më shumë refugjatë ukrainas.

Dhe për SHBA-në, a nuk ishte kriza e Ukrainës – të paktën në fillim – një shpërqendrim për të? Pasi prioriteti i Uashingtonit ishte në Azi. Fakti që Rusia nuk po shihej vitet e fundit si një kërcënim kryesor, i shërbeu interesit të SHBA-së, edhe pse sot nuk është kështu.

Në flluskën ku është izoluar gradualisht, Putin mendon vetëm për madhështinë dhe fuqinë e Rusisë perandorake. Ëndrra e tij tani është bërë makthi ynë. Përballë një Rusie revizioniste dhe hakmarrëse, bota perëndimore nuk ka në pushtet as një Chamberlain dhe as një Churchill. (Pa ofenduar Boris Johnson).

Dhe kjo në një kohë kur për herë të parë që nga viti 1945, rikthehet lufta në Evropë, sikur çmenduria e njerëzve të mos mbahej nën kontroll për më shumë se 76 vjet?Po çfarë mund të bëjmë në këtë situatë? Përtej sanksioneve më të rënda ekonomike, ne duhet të rrisim masivisht ndihmën tonë ushtarake për Poloninë dhe vendet baltike.

Për Ukrainën, ndoshta është tepër vonë. Po ashtu duhet t’i bëjmë rusët të kuptojnë se “nëse u pëlqen Afganistani, ata do ta duan Ukrainën”. Ky vend është edhe më i madh sesa Franca sa i përket sipërfaqes. Pushtimi i saj mund të jetë relavitisht i thjeshtë, por mbajtja nën kontroll shumë më pak.

Gjatë viteve 1947-1989, bota perëndimore e frenoi me sukses Bashkimin Sovjetik. Duke qenë viktimë e kontradiktave të veta, në fund regjimi komunist u shemb. Në vitin 2022, pushtimi masiv i Ukrainës nga Rusia është dështimi i parë i madh i strategjisë së parandalimit. Perëndimi nuk provokon më frikë. Dhe, ajo që është edhe më serioze:as armë bërthamore.

Back to top button