HistoriMistere

9 mistere të pazgjidhura historike

Kush ishte Xhek Rrjepësi, çfarë ka ndodhur me anijen Meri Çeleste, dhe a i vrau vërtet Rikardi III dy princat e vegjël në Kullën e Londrës? Këto janë disa nga misteret më të mëdha historike të të gjitha kohërave

Nga Ema Mejsen

1) Meri Çeleste

Ajo se çfarë ka ndodhur me ekuipazhin dhe pasagjerët e anijes britaniko-amerikane, mbetet një nga misteret më të mëdha e të pazgjidhura detare. Emri i saj është bërë sinonim në mbarë botën me nofkën “anija fantazëm”. Meri Çeleste u gjet rreth 400 milje në lindje të ishujve Azore, nga ana e ekuipazhit të një anije mallrash ‘Dei Gratia’ në 5 dhjetor 1872.

Kapiteni i anijes dëshmoi para një grupi hetimor britanike në Gjibraltar, se anija ndodhej në “një rrëmujë e madhe dhe plot ujë”, me sendet me vlerë të lëna në bord, ndërsa varkat e shpëtimit qenë zhdukur.  Nuk u gjet asnjë gjurmë e kapitenit Benxhamin Spuner Brigs, gruas dhe vajzës së tyre të vogël, apo edhe 7 anëtarëve të ekuipazhit.

Shumë teori janë artikuluar nga shkrimtarë si Artur Konan Dojli, për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur me ta. Ajo që preferoj më tepër, vjen nga një episod i vitit 1965 nga seria e dokumentarëve të BBC “Doktor Kush”, ku ekuipazhi i frikësuar hidhet nga anija në det, pasi në të mbërrijnë mutantët e ardhur nga një planet i largët.

2) Xhek Rrjepësi

Identiteti i vërtetë i këtij vrasësi serial të epokës viktoriane, vazhdon të na shpëtojë edhe pas 127 vjetësh nga vrasjet makabre në Londrën Lindore në vitin 1888. Në zhvillimin më të fundit, një detektiv pretendon se nga provat e ADN-së në shallin e njërës nga 5 viktimat e njohura, rezulton se autori është emigranti polak Aron Kozminski – një nga të dyshuarit kryesorë edhe në atë kohë -i njohur ndryshe si ‘Vrasësi i Uajtçapëllit’.

E shndërruar në një industri, Ripperologjia është ndërtuar rreth vrasjeve, me hetues si Patrisha Kornuell dhe Rasëll Eduards që kërkuan fakte në kërkim të një ‘dyshuari kryesor’. “Në mesin e teorive më të çmendura që janë bërë legjenda, është edhe ajo që e përshkruan Xhekun si një kirurg të çmendur, që i vrau gratë si pjesë e një komploti, për të mbrojtur një anëtar të familjes mbretërore. Profesor Uilliam Rubinshtajn e përshkruan këtë ngjarje si “ një absurditet të dukshëm nga fillimi e deri në fund”. Ai beson se kjo ngjarje miserioze, vijon të jetë shumë tërheqëse për shkrimtarët dhe historianët.

3) ‘Disqet fluturuese’ të Kenet Arnoldit

Lindja e fenomenit mondern të UFO-ve mund të gjurmohet nga dëshmia e pilotit privat Ken Arnold, për 9 objekte të veçanta në formën e objekteve fluturuese mbi malet Kaskadë në Uashington, në pasditen e 24 qershorit 1947. Arnold u tha gazetarëve se nesëmen, se objektet lëviznin njëlloj si një disk që “ju do ta hidhnit mbi sipërfaqen e ujit”.

Ai llogariti se shpejtësia e tyre ishte shumë me e madhes sesa e avionit më të përparuar reaktiv të asaj kohe. Një gazetë doli me frazën “disqet fluturuese”, dhe mbulimi mediatik që pasoi shkaktoi një epidemi të vërtetë të vëzhgimit të objekteve në qiell, që vazhdon sot e kësaj dite. Dy javë pas dëshmisë së Arnold, Forcat Ajrore të Ushtrisë Amerikane njoftuan se mbeturinat e një “disku fluturues” u gjetën në një fermë pranë Rozuellit në Nju Meksiko

Një mit modern ka lindur, por ndonjëherë edhe polemika kanë shpërthyen në lidhje me atë që pa në fakt Arnoldi. Sipas mendimit tim, shpjegimi më i mundshëm, është një tufë pelikanësh të bardhë amerikane fluturues gjatë formimin të një skalioni. Por askush nuk mund ta dijë me siguri.

4) Gjurmët e Djallit

Herët në mëngjesin e 9 shkurtit 1855, njerëzit në fshatrat anembanë Devonit jugor, u zgjuan duke zbuluan gjurmën e një këmbe, të ngjashme me shenjat që lihen në bore, por që në rastin konkret dukej sikur të ishte bërë me një hekur të nxehtë.

Revista “The Times”, raportoi se shenjat qenë gjetur në një distancë prej rreth 40 miljesh, sikur “disa kafshë të çuditshme dhe misterioze të ishin pajisur me fuqinë e të Plotfuqishmit”, duke i krijuar ato gjatë natës. Shpjegimet varionin nga arratia e një kanguri, lepujve dhe minjve,deri tek një balonë zvarritëse në formën e një patkoi.

Supersticozët preferuan të besojnë se gjurmët ishin vepër e vetë Djallit. Në përmbledhjen e teorive të njohura të asaj kohe, një shkrimtar në “The Illustrated London News” tha se “nuk u gjet asnjë zgjidhje e kënaqshme” dhe se “nuk ka asnjë kafshë të njohur që mund të ketë përshkuar gjithë atë hapësirë brenda një nate … dhe as një kafshë apo qoftë edhe njeri, nuk mund të ecë në atë distancë me një këmbë të vetme”.

5) Qefini i Torinos

Kjo pjesë çarçafi që ruhet në Katedralen e Shën Gjon Pagëzorit në Torino të Italisë veriore, është një nga objektet më të shqyrtuara nga afër në historinë njerëzore, e megjithatë ajo ruan ende sekretet e saj. Relikja e shenjtë, besohet nga shumë të krishterë se është qefini në të cilën u varros Jezusi i Nazaretit.

Nuk ka dyshim se ajo mbart gjurmën e një fytyre, dhe skicimin e trupit të një njeriu që ka pësuar lëndime të përafërta me ato që shkaktohen nga kryqëzimit. Por shkencëtarët nuk kanë qenë në gjendje të bien në një mendje, mbi mënyrën se si ajo është krijuar. Provat e karbonit radioaktiv nga tre laboratorë në vitin 1988, thonë se pëlhura i përket kohës së Mesjetës, dhe kjo u shpall nga disa si provë se qefini ishte falsifikuar në atë periudhë. Por ky interpretim mbetet subjekt i një debati intensiv, duke e çuar ish-redaktorin e “Nature”, Filip Boll, të deklarojë se relikja mbetet e rrethuar nga misteri.

6) Rikardi III dhe Princat e Kullës

Në vitin 2012 skeleti i pinjollit të fundit nga dinastia mbretërore e Plantagjëneve, Rikardi III, u zbulua poshtë një parkingu makinash, në sitin arkeologjik të Grejfrajërs në qendër të qytetit të Leiçesterit. Gërmimi që zbuloi mbetjet e tij u nxit nga Filipa Lengli e “Shoqërisë Rikardi III”, si pasojë e drejtpërdrejtë e një “ndjesie të çuditshme” që ajo kishte kur vizitonte atë vend.

Ky shembull i dukshëm i arkeologjisë psikike, nuk është i vetmi mister që rrethon jetën e Rikardit dhe vdekjen e tij. Roli i tij i saktë mbi fatin e dy nipërve të tij – të njohur gjerësisht si “Princat në Kullë”’- mbetet ende subjekt i një misteri. Eduard 12-vjeçar dhe vëllai i tij 9-vjeçar, Rikardi i Shrjusbërit, bijtë e mbretit Eduard IV, u mbyllën në Kullën e Londrës nga xhaxhai i tyre, Rikard, në kohën e zhdukjes së tyre rreth vitit 1483.

Askush nuk e di saktësisht se çfarë ndodhi me ta, por një kuti që përmbante dy skelete të vogla njerëzore, u gjet pranë Kullës së Bardhë në shekullin XVII-të, dhe në atë kohë u besua gjerësisht se ato qenë eshtrat e dy princërve të vegjël.

7) Astronauti i Solway-t

Pasditen e 23 majit 1964, një punonjës i shërbimit të zjarrfikës në Kambrian, Xhim Tempëllton, po nxirrte në fotografi bashkëshorten dhe vajzën e tij gjatë një dite pushimi, në një vend piktoresk në Solway Firth. Kur ai shkoi të merrte fotografitë e lara, punonjësi i tha se ishte gjynah që njëra prej tyre “ishte prishur nga një person që shfaqej në sfond, i veshur me një kostum astronauti”.

Pa dyshim, një nga fotografitë e vajzës së tij më të vogël Elizabet, tregonin qartë një “personazh” enigmatik që nderej pas kokën e saj.

‘Astronauti’ mbante veshur një kostum të bardhë, që i ngjante tamam atyre që visheshin asokohe nga astronautët e NASA-s. Fotografia u ekzaminua nga Kodak, dhe u shqyrtua nga detektivët e policisë së Kambrianit, të cilët nuk qenë në gjendje ta shpjegonin praninë e atij personi atje. Xhim Tempëllton vdiq në vitin 2011, pa mësuar identitetin e vërtetë të ‘Astrounautit në Solway’. Imazhi mbetet një nga më të çuditshmit të historive anormale të fotografive.

8) Njeriu-zog

Në një natë të errët të nëntorit 1966, 4 adoleshentë amerikanë pohuan se kishin parë një zog të madh të ngjashëm me një përbindësh, me sy të kuq të përndezur, ndërsa po flurutonte përgjatë një rruge pranë Point Pleasant në zonat rurale të Virxhinias Perëndimore. Ata thanë se ai u ngrit në ajër, shpalosi krahët si një lakuriq nate, dhe i ndoqi të rinjtë derisa këta të fundit u larguan të terrorizuar.

Të nesërmen në mëngjes zyra e sherif mbajti një konferencë për shtyp, ndërsa mediat e quajtën krijesën ‘Mothman’ pasi në televizion ishte shfaqur seria e filmit “Batman”.

Takimi me ‘zogun’ demoniak frymëzoi në vitin 2002 filmin “The Mothman Prophecies”, të drejtuar nga Mark Pelington. Filmi u bazua tek libri i gazetarit Xhon Kil, mbi një mori përvojash të çuditshme në Luginën e Ohajos. Ai besonte krijesa ishte i lidhur në një farë mënyre misterioze me shembjen e Urës Silver në Point Pleasant në dhjetor të vitit 1967, që vrau 46 njerëz duke përfshirë disa njerëz-zogj që ishin dëshmitarë të tragjedisë.

9) Përbindëshat e thellësive

A fshehin thellësitë e oqeaneve tona, lloje të pazbuluara kafshësh të tilla si ‘gjarpëri i madh i detit’ që pretendohet se është parë nga kapiteni dhe ekuipazhi i anijes “HMS Daedalus”, në afërsi të ishullit të Shën Helenës në vitin 1848? Ndër dosjet në Arkivin Kombëtar dhe Muzeut të Historisë Natyrore, kam gjetur raporte të dorës së pare mbi krijesa të ngjashme nga fundi i shekullit XIX-të deri në fillim të shekullit XX-të, duke përfshirë edhe një nga Artur Konan Dojli, autor i librit “Bota e humbur”.

Është e mundur që siç i tha një dëshmitari në mëdyshje më vitin 1929 ish-portieri i muzeut të zoologjisë, Uilliam Kalman: “… ne nuk jemi aq të nxituar, sa të mendojmë se njohim të gjithë banorët e detit, dhe se është brenda kufijve të mundësisë që të keni parë disa kafshë që nuk janë kapur kurrë apo përshkruar kurrë nga njeriu”. Nëse është kështu, ku kanë shkuar të gjitha ato? /“Historyextra” – Përgatiti: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button