
Luftërat që na rrethojnë na kushtëzojnë deri në atë pikë sa të na shtyjnë të mendojmë ekskluzivisht në terma të një logjike konfliktuale, duke harruar mësimet e John Nash, “mendja e mrekullueshme” e filmit me të njëjtin emër (A Beautiful Mind), që i dha atij Çmimin Nobel për Ekonominë në vitin 1994, bazuar në idenë e ekuilibrit dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet lojtarëve.
Sipas tij, një lojë mund të përshkruhet në termat e strategjive që lojtarët duhet të ndjekin në lëvizjet e tyre: ekuilibri ekziston kur askush nuk arrin të përmirësojë në mënyrë të njëanshme sjelljen e vet. Për të ndryshuar, duhet të veprojmë së bashku. Në mënyrë të njëanshme mund të shmangim vetëm më të keqen, ndërsa për të arritur më të mirën duhet bashkëpunim. Ndoshta për shkak të kësaj të mete themelore, ne jemi në gjendje të mendojmë për marrëdhënien midis inteligjencës natyrore dhe inteligjencës artificiale vetëm në terma konkurruese.
Është pikërisht emri i IA (inteligjenca artificiale), ai që sugjeron një formë antropomorfizimi, duke na ngulitur idenë e një zëvendësimi të mundshëm të qenieve njerëzore nga makinat, e që na shtyn të pyesim veten me ankth se kush është i destinuar të mbizotërojë në fund. Kështu, ne harrojmë se ndryshimet midis mënyrës se si funksionon truri ynë dhe asaj të makinerive mund të përbëjnë një çelës udhëzues për të na ndihmuar të kuptojmë tiparet dalluese të inteligjencës sonë dhe stilet tona të të menduarit në krahasim me ato të kompjuterëve.
Referenca për një formë të ndryshme të inteligjencës, e cila vepron në një mënyrë alternative me tonën, mund të shkaktojë, nëse përdoret siç duhet, një bashkëpunim nga i cili mund të dalë diçka më efektive se shuma e të dyjave. Kjo dëshmohet, nga njëra anë, nga ndikimi i jashtëzakonshëm që ka pasur teknologjia e informacionit mbi matematikën e aplikuar, duke përshpejtuar rritjen e saj spektakolare dhe, nga ana tjetër, nga ndikimi i këtyre zhvillimeve matematikore në krijimin e algoritmeve të fuqishme për zgjidhjen e problemeve komplekse.
Një ftesë bindëse për të menduar mbi kuptimin e dallimeve, dhe jo afiniteteve, midis inteligjencës artificiale dhe asaj natyrore vjen nga një ese e Bruno de Finettit, “Shpikja e së vërtetës”, e shkruar në vitin 1934, kur autori kishte 28 vjeç. Eseja u la në sirtarë deri sa ai vdiq dhe u gjet nga vajza e tij Fulvia, angazhimi i së cilës mundësoi publikimin e saj në vitin 2006.
I bindur se pasiguria dhe e papritura janë tiparet dalluese të së tashmes dhe aq më tepër të së ardhmes, ky matematikan i madh italian mori frymëzim prej saj për të propozuar një qasje origjinale ndaj teorisë së dijes, e karakterizuar nga një lidhje e rreptë midis aspektit epistemologjik (përshkrimi i botës) dhe strategjisë (të vepruarit në botë). Kjo e shtyu atë të shprehte me vendosmëri idenë se qëllimi i njeriut nuk mund të kufizohet vetëm në përshkrimin dhe dëshirën për të ditur se si do të shkojnë gjërat… sikur ato të ndodhnin për hesap të vet! Kjo është pika vendimtare: për njeriun, parashikimi nuk është një qëllim, por një mjet për të bërë zgjedhje efektive, për të cilat është e nevojshme të angazhohet, për miratimin e një “strategjie”, bazuar në rolin aktiv të vëzhguesit, siç na mëson teoria.
Një proces i këtij lloji nxjerr në pah rëndësinë e praktikës së ndërtimit të skenarëve të ardhshëm dhe të aftësisë së njerëzve për t’u mobilizuar në mënyrë kohezive dhe të koordinuar për një veprim që është në gjendje të bëjë sa më të mundshëm realizimin e projekteve të tyre. Për këtë arsye, sipas tij, nuk mjafton t’i drejtohemi llogaritjes së probabiliteteve siç bëhet zakonisht, por është e nevojshme të qartësohet statusi i tyre duke kapërcyer, me “testin e ndërgjegjes”, gjendjen ende të paqartë dhe të errët që e karakterizon atë. “Çfarë nënkuptojmë kur mendojmë se një ngjarje është pak a shumë e mundshme? Do të thotë se do të përjetonim një shkallë më të lartë ose më të ulët habie, kur të mësonim se ajo ngjarje nuk ka ndodhur. Ndërsa ne duam të themi se mendojmë se mund të kemi një shkallë më të madhe ose më të vogël besimi, në eventualitetin që ajo ngjarje do të ndodhë”.
Nëse synojmë të marrim parasysh pasigurinë dhe të papriturën, nuk mund të mbështetemi në uniformitetin dhe vazhdimësinë e rrjedhës së natyrës dhe në shpeshtësinë me të cilën një ngjarje specifike ka ndodhur deri tani, duke e projektuar të ardhmen me rregullsinë e së shkuarës.
E vetmja mundësi konkrete që kemi është të mbështetemi në një konceptim subjektiv, bazuar në supozimin se, në raste kompleksiteti të lartë, duhet t’i drejtohemi një parashikimi racional, një zgjedhjeje të qëllimshme të vëzhguesit, bazuar në shkallën e tij të besimit në ndodhinë e një ngjarjeje të caktuar dhe prirjes për të vënë bast mbi këtë eventualitet që lind prej saj. Është e vetmja mënyrë bindëse për të llogaritur probabilitetin në situata ku mbizotërojnë pasiguria dhe e papritura.
Inteligjenca artificiale gjeneruese nuk analizon thjesht të dhënat dhe nxjerr informacion prej tyre, por është në gjendje të prodhojë informacion origjinal. Prandaj, në mënyrën e vet është krijuese. Ajo mëson një gjuhë duke ndjekur çdo fjalë me atë që ka shumë të ngjarë të ketë kuptim për pyetësin dhe jep përgjigje që përmbledhin qartë atë që është e pranishme në bazën mbresëlënëse të njohurive që disponon, falë aftësisë për të interpretuar kontributin e njeriut në një shkallë të lartë saktësie, për shkak të sasisë së madhe të të dhënave dhe prezantimit të arkitekturave të reja të mësimit të makinave.
Procedurat që vijojnë janë, për momentin, të gjitha të një natyre statistikore: modelet e mëdha të AI (të njohura si modele bazë) gjenerojnë përmbajtje bazuar në mekanizmat statistikorë të trajnuar për sasi të mëdha të dhënash. Prandaj, ato nuk krijojnë përmbajtje, por përkundrazi i prodhojnë ato si një sintezë statistikore e shumë shembujve të ngjashëm të mësuar më parë. Kjo është diçka e ndryshme nga mënyra se si mendon njeriu, gjë që e shtyu Tim Cook, CEO i Apple, të deklaronte në vitin 2017: “Nuk jam i shqetësuar për faktin që inteligjenca artificiale u jep kompjuterëve aftësinë për të menduar si qenie njerëzore. Unë jam më i shqetësuar për njerëzit që mendojnë si kompjuterë, pa vlera, pa dhembshuri, pa u kujdesur për pasojat”.
De Finetti, nëntëdhjetë vjet më parë, kishte nuhatur thelbin e sfidës me të cilën po përballemi, e cila nuk qëndron në progresin teknologjik në vetvete, por më tepër në faktin që qeniet njerëzore mund të heqin dorë nga potenciali i jashtëzakonshëm i inteligjencës së tyre, për t’u zhytur në rehatinë teknologjike dhe shkurtesave që rrjedhin prej saj. Heqia dorë nga prirja e planifikimit për të ndërtuar në mënyrë aktive skenarë të rinj, për të vuajtur pasivisht një të ashtuquajtur rrjedhë historie dhe një rregullsi gjithnjë e më pak të besueshme të natyrës, është mënyra më e sigurt për të lejuar që inteligjenca artificiale të marrë epërsinë mbi ne njerëzit. / Silvano Tagliagabme (La Lettura) – Bota.al





