Nga Henry Foy
“Financial Times”
Tanket britanike “Challenger 2” patrullojnë rregullisht nëpër fshatrat e Polonisë. Trupat elitë të forcave speciale franceze, bëjnë roje në bregun e Detit të Zi në Rumani. Bateritë e raketave amerikane mbrojnë hapësirën ajrore të Sllovakisë. Një avionë luftarak norvegjez F-35 përpiqet që të përgjojë një avion rus të paidentifikuar që shfaqet në brigjet e Finlandës.
Ndërsa vazhdon lufta e përgjakshme në Ukrainë, aleatët e NATO-s përgjatë krahut lindor të aleancës kanë nisur kolektivisht dislokimin ushtarak më të rëndësishëm dhe më të shpejtë në historinë e Evropës moderne. Një gjendje gatishmërie dhe mobilizimi pa luftë, po gjithashtu larg paqes.
Pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin, e ka rikthyer Evropën dhe NATO-n në një skenar që mendonte se e kishte lënë në të kaluarën. Me pikëpyetje të mëdha për rëndësinë e saj në këtë kohë, sidomos pas tërheqjes së turpshme nga Afganistani, dhe me shumë përçarje midis aleatëve evropianë me pikëpamje tejet të ndryshme për rolin e saj në të ardhmen, aleanca kishte caktuar 2022-shin, si vitin e ndjekjes së SHBA-së në fokusin e saj drejt Azisë dhe kërcënimit që paraqiste atje Kina.
Por në pak javë, ajo ka arritur një nivel të paprecedentë uniteti në kundërpërgjigje të kundërshtarit të saj fillestar, Moskës. Sot Evropa Lindore është më e militarizuar sesa në çdo kohë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë. Superfuqitë e armatosura me armë bërthamore, po përballen në hapësirën e gjerë midis Detit Baltik dhe Detit të Zi.
Po ashtu janë rrëzuar marrëveshjet e kontrollit të armëve nga epoka e luftës së ftohtë, si Traktati INF që ndalonte raketat balistike ndërkontinentale me rreze veprimi 500-5500 km, dhe Marrëveshja e Qiejve të Hapur, e cila e lejonte Rusinë dhe anëtarët e NATO-s të kryenin fluturime zbulimi mbi objektet ushtarake të të tjerëve.
E njëjta gjë vlen edhe për kanalet e komunikimit dhe uljes së tensioneve midis Moskës dhe kryeqyteteve perëndimore. Rezultati është një kontinent me më shumë armë dhe ushtarë në një gjendje të lartë gatishmërie se sa janë parë për dekada, por pa mekanizmat mbrojtës që na dhanë siguri gjatë Luftës së Ftohtë.
Evropa është ndoshta më pak e sigurt sot se se në çdo moment tjetër të mëparshëm që prej vitit 1945. Kjo gjë ka ngritur pikëpyetjen nëse vendosja e gjerë ushtarake e NATO-s e ka bërë Evropën më të mbrojtur, apo vetëm sa e ka përkeqësuar një situatë që ishte tashmë e vështirë.
Presidenti rus e sheh atë si hapin më të fundit në një qëndrim gjithnjë e më kërcënues të Perëndimit, që justifikoi edhe sulmin e tij ndaj Kievit. Ditët e fundit, Putin e ka përshkallëzuar retorikën e tij në lidhje me një goditje të mundshme ndaj anëtarëve të NATO-s, akt që me shumë gjasa do të përshpejtonte nisjen e një lufte të re botërore.
Ndërkohë aleanca argumenton se nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse ta zgjerojë praninë e saj në Evropën Lindore. “A është më e sigurt kjo? Epo, nëse nuk e bëjmë këtë nuk do të jemi më të sigurt”- thotë admirali Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës.
“Të mos jesh i fortë dhe i besueshëm, është më e rrezikshme sesa të jesh i fortë dhe i besueshëm. Faktori i parandalimit është shumë i rëndësishëm”- shton ai. Në më pak se 2 javë pas fillimit të pushtimit të Putinit, NATO hoqi dorë nga qasja disadekadëshe mbi praninë e saj ushtarake në Evropë dhe rrezikun e antagonizimit të Moskës.
Ajo e bëri këtë edhe kur Putini u zotua të hakmerrej me kërcënimet e përsëritura për përdorimin e armëve bërthamore. 40.000 trupa në Evropën Lindore janë aktualisht nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s, 10 herë më shumë sesa numri i tyre një dite para pushtimit të Putinit.
Tetë vende të aleancës kanë tani në territorin e tyre grupe luftarake të NATO-s, dyfishi në krahasim me 2 muaj më parë. Dhe një forcë e reagimit të shpejtë, e përbërë nga deri në 10.000 trupa, është aktivizuar në emër të mbrojtjes kolektive për herë të parë në historinë e aleancës.
“Gjithçka ndryshoi kur rusët sulmuan Ukrainën. Ndikoi padyshim numri i lartë i viktimave dhe shkatërrimeve, dhe mënyra se si u kryen operacionet. Siguria dhe mbrojtja evropiane ka evoluar më shumë në 6 ditët e fundit sesa në 2 dekadat e fundit”- deklaroi më 1 mars presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen.
Në kohën e rënies së Murit të Berlinit, SHBA-ja kishte 200.000 trupa në Gjermaninë Perëndimore. Sot, shtetet e krahut lindor të NATO-s, nga Baltiku në veri, deri në Bullgari në Detin e Zi, kanë aktualisht rreth 330.000 trupa: ushtritë e tyre kombëtare, të përforcuara me trupa nga Evropa Perëndimore, SHBA-ja dhe Kanadaja.
Përveç forcave tokësore, rreth 130 avionë të NATO-s janë në gatishmëri të lartë, dhe rreth 150 anije luftarake po patrullojnë detet. Në fakt, përgjigja e NATO-s ndaj pushtimit të Ukrainës po përgatitej prej 4 vitesh. Një seri hapash emergjence ishin përgatitur paraprakisht nga krerët e mbrojtjes së aleancës pikërisht për këtë skenar.
“Krimea na mësoi se nuk jemi ne që vendosim afatin kohor se kur ndodh një luftë por kundërshtari, armiku. Dhe kjo na çoi në një diskutim: A i përshtatet vërtet planeve dhe strategjive tona ky ndryshim? Dhe në thelb përgjigja ishte jo”- thekson Bauer.
Kundërshtimi i Putinit ndaj asaj që ai e sheh si një zgjerim të pandalshëm të NATO-s drejt lindjes, ka qenë si një rënie e vazhdueshme këmbanash në Moskë, përgjatë më shumë se 22 viteve që prej kohës që ai është në krye të Rusisë. Që nga ribashkimi i Gjermanisë dhe shembja e Bashkimit Sovjetik, 12 vende i janë bashkuar aleancës.
Krahu lindor i NATO-s është sot 1.100 km më afër Kremlinit sesa kufiri i Gjermanisë Perëndimore në vitin 1989. Edhe kur njoftoi pushtimin e Ukrainës në shkurt, Putin iu kthye vazhdimisht temës së zgjerimit të NATO-s si një justifikim. Por Bauer e cilëson “si të pakuptimtë” një retorikë të tillë.
“Ne po i kundërpërgjigjemi veprimeve të Putinit. Ne nuk po e bëjmë këtë sepse duam të tregojmë një qëndrim agresiv. “Ai po sulmon Ukrainën. Ai është në Bjellorusi. Ai sulmoi Gjeorgjinë. Ne nuk e kemi sulmuar ndonjëherë Rusinë. Ne vetëm sa po reagojmë ndaj veprimeve të tij”- thotë zyrtari i lartë i NATO-s.
Anëtarësimi i Finlandës do ta shtonte me më shumë se 1.300 km kufirin NATO-Rusi, pra më shumë se dyfishi i gjatësisë së tij aktuale. Moska ka paralajmëruar se hyrja e Finlandës apo Suedisë në NATO-n do të impononte një përgjigje ushtarake nga Rusia, dhe do t’i jepte fund “statusit jo-bërthamor të Detit Baltik”.
Në këto kushte, NATO thotë se forcimi i mbrojtës së saj në lindje është ende larg përfundimit. Në samitin e aleancës që do të mbahet në Madrid në qershor, pritet të miratohen planet për të vazhduar përforcimin e krahut lindor. Bauer thotë se hapat e mundshëm në të ardhmen përfshijnë sisteme më të forta të komandimit dhe kontrollit, sisteme të integruara të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe dislokime më të mëdha trupash sesa grupet ekzistuese.
Kjo do të mbështetej nga rezerva të mëdha municionesh, mjekësore dhe të mbrojtjes raketore. Bauer thotë se NATO mbetet e përkushtuar ndaj përpjekjeve për de-përshkallëzimin e situatës, por Rusia i ka “shkëputur” të gjitha kanalet e komunikimit.
Ai ka tentuar të telefonojë Valery Gerasimov, shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë para dhe pas fillimit të pushtimit, por është refuzuar. Ndërkohë aftësia luftarake, dhe prestigji i forcave të armatosura ruse ka marrë goditje që prej nisjes së luftës në Ukrainë, ku një pushtim i shpejtë i Kievit, degradoi në një mori dështimesh logjistike dhe strategjike, si dhe mangësish operacionale.
Gjithsesi, Bauer thotë se NATO nuk duhet të jetë e qetë. “Rusët besuan marrëzitë e tyre për Ukrainën… Por duhet të supozohet se do të përgatiteshin siç duhet për të sulmuar NATO-n. Unë nuk mendoj se do të tregojmë mençuri duke i nënvlerësuar ata”- thekson ai.
Marrë me shkurtime