BotaMAIN

A ekzistojnë UFO-t? Pentagoni do të raportojë mbi pamjet misterioze që po bëjnë xhiron e botës

Së shpejti mund të fillojmë të marrim përgjigje për disa nga pyetjet më shqetësuese mbi UFO-t. Gjatë viteve të fundit, kemi mësuar se pilotët e Marinës Amerikane shohin shpesh objekte fluturuese të paidentifikuara, disa prej të cilave duket se janë shumë më të shpejta dhe më të manovrueshme sesa avionët e tyre.

Ju vetë ndoshta keni parë pamje të tilla, falë Kristofer Melon, që shërbeu si zëvendës ndihmës sekretar i mbrojtjes për inteligjencën nën presidentët Bill Klinton dhe Xhorxh W.Bush. Në vitin 2017, pasi ishte larguar nga pozicioni i tij në qeverinë amerikane, Melon bëri publike në gazetën “The New York Times” 3 video të deklasifikuara së fundmi të UFO-ve të regjistruara nga Marina Amerikane.

Pastaj NYT publikoi një histori në lidhje me këto video dhe mbi Programin e Avancuar të Identifikimit të Kërcënimeve Hapësinore (AATIP), një projekt i Pentagonit që ka si mision specifik për të hetuar pamje të tilla.

Melon tha në episodin e fundit të emisionit “60 Minuta”, se e ndërmori këtë hap, pasi ishte i shqetësuar se nuk po bëhej aq sa duhet për të hetuar mbi UFO-t, ose UAP (dukuri ajrore të paidentifikuara”).

“Është shumë e çuditshme dhe për të ardhur keq, që dikush si unë detyrohet të bëjë diçka të tillë, për të vendosur në rendin e ditës një çështje të sigurisë kombëtare”- i tha Melon reporterit të “60 Minuta”, Bill Uajteker.

Kjo është vërtetë një çështje e sigurisë kombëtare, i tha ai senatorit amerikan Marko Rubio. “Çdo gjë që hyn në një hapësirë ​​ajrore kur nuk supozohet të jetë atje, përbën një kërcënim”- theksoi vetë Rubio. Tek e fundit, UAP e raportuara mund të jenë një lloj avioni i përparuar i zhvilluar nga një komb kundërshtar siç është Rusia ose Kina. (Melon i tha Uajteker se ishte i sigurt se ato mjete nuk ishin zhvilluar nga Pentagoni).

Sigurisht që ky nuk është shpjegimi i vetëm i mundshëm. Për shembull, ekspertët kanë sugjeruar gjithashtu që këto shikime mund të vijnë nga problemet që mund të kenë instrumentet e avionëve të Marinës (edhe pse pilotët raportojnë se i shohin UAP me sy të lirë).

Dhe pastaj është edhe ideja që UAP mund të përfaqësojnë një lloj teknologjie të huaj. Njerëz si Melon, Rubio dhe ish zyrtari i AATIP, Luis Elizondo, që i deklasifikoi tre videot që Melon ia dha “The New York Times”, janë të etur për t’i shkuar deri në fund këtij misteri. Të paktën, ata shpresojnë se gjetja e një shpjegimi do të ndihmojë në përcaktimin nëse UAP mund të paraqesin ose jo ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare. Dhe Rubio ka ndërmarrë disa veprime në këtë aspekt.

Në dhjetor të vitit 2020, Rubio kërkoi nga Pentagoni dhe drejtori inteligjencës kombëtare të hetonin çështjen e UAP, dhe t’i dorëzonin Kongresit brenda 6-muajsh një raport të paklasifikuar. Në atë kohë Rubio drejtoi komitetin e inteligjencës në Senatin amerikan.

Demokratët rimorën kontrollin e Senatit pas zgjedhjeve të fundit. Ndaj, tani komiteti drejtohet nga demokrati nga Virxhinia Mark Uorner; ndërsa Rubio është nënkryetar. Raporti pritet të bëhet publik muajin tjetër, dhe Rubio duket i etur që ta shohë atë.

“Unë dua që ne ta marrim seriozisht atë, dhe të kemi një proces serioz”- i tha ai Uajteker, që e pyeti se çfarë donte të bënte mbi UAP. “Unë dua që të kemi një proces për të analizuar vazhdimisht të dhënat, derisa të marrim disa përgjigje. Ndoshta ka një përgjigje shumë të thjeshtë. Ndoshta jo”- tha ai. /

“Live Science” – Bota.al

Back to top button