Nga Harlan Ullman
“The Hill”
Sulmi i 6 janar 2021 ndaj Capitol Hill në Washington, që pasoi mohimin e rezultatit tëzgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020, dhe veprimet e disa parlamenteve në nivel shtetesh për të diktuar rezultatin e zgjedhjeve, kanë nxitur shumë amerikanë të pyesin sot nëse demokracia jonë është në rrezik.
Në fakt, kjo gjendje nuk është unike vetëm për Amerikën. Dhe për fatin e keq, historia e demokracive që vdesin, daton që në demokracitë e para, në Greqi dhe Romë. Është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë do të thotë “demokraci”, dhe cili është përkufizimi më i mirë për të.
Tek e fundit, SHBA-ja nuk është një demokraci e pastër. Ajo është një republikë, në të cilën populli nuk e zgjedh drejtpërdrejt presidentin. Sistemi i saj i kontrolleve dhe balancave, e lejon shpesh pakicën që të dominojë mbi shumicën.
Republikanët janë aktualisht në pakicë në Senat. E megjithatë kohët e fundit ata bllokuan debatin për Ligjin për të Drejtat e Votimit. Një demokraci mund të përkufizohet si një “shoqëri pluraliste, e lirë dhe e hapur dhe nën sundimin e ligjit, në të cilën të qeverisurit zgjedhin guvernatorët e tyre”.
Por ky sistem funksionon vetëm kur publiku ka besim tek ligji dhe drejtuesit e institucioneve. Më tej, demokracia kërkon që qytetarët e saj të vendosin në fund të fundit mirëqenien e shtetit mbi interesat e tyre individuale. Sot, po shohim që po ndodh e kundërta. Interesat individuale po e dominojnë politikën amerikane, pa marrë parasysh kostot.
Këmbëngulja e vazhdueshme e ish-presidentit Donald Trump e tij, se ai fitoi një proces zgjedhur ”që u manipulua”, është një shembull i qartë i triumfit të interesit të vetvetes mbi atë që ka vendi. Dhe shumë amerikanë e besojnë se ai i fitoi zgjedhjet.
Demokracia funksionon më mirë me pak parti politike. Në vendet ku ndonjëherë mbi dhjetëra parti politike luftojnë për të qenë në krye, krijimi i një qeverie të qëndrueshme bëhet i pamundur. Franca në vitet midis 2 luftërave botërore; më vonë Italia e pasluftës; kohët e fundit Izraeli; dhe aktualisht Rumania, tregojnë se ekzistenca e shumë partive politike e dëmton demokracinë dhe qeverisjen.
Sot në SHBA, nuk ekziston më sistemi dypartiak. Të dyja partitë, Partia Demokratike dhe Republikane janë thellësisht të ndara, secila midis dy fraksioneve. Tek demokratët, të moderuarit dhe progresistët, formojnë që të dyja krahët në PD.
Deri më tani, nuk është e qartë se cila prej tyre bie dakord me qeverisjen e Biden. Tek republikanët, fraksioni shumë më i madh i Donald Trumpit i lë në hije republikanët tradicionalë, të cilët tani quhen tani RINO, ose republikanët vetëm sa për emër. Në thelb, në SHBA ekzistojnë aktualisht 4 parti të mëdha.
Më keq akoma, kur filloi angazhimi i madh i Amerikës në Luftën e Vietnamit në vitin 1964, rreth 80 për qind e amerikanëve kishin besim tek qeveria (dhe thuajse të gjitha institucionet). Sot, afro 80 për qind e amerikanëve nuk kanë besim te qeveria.
Një nga mënyrat për ta gjymtuar demokracinë, është që qytetarët ta humbasin besimin tekqeveria dhe institucionet e saj, pa pasur asnjë mekanizëm vetë-korrigjues. Sot nuk është i pranishëm asnjë prej tyre. Sjellja e qytetëruar dhe respekti për qytetarët e tjerë, janë njëparakusht për një shoqëri të shëndetshme demokratike.
Është e qartë se armiqësia ndaj emigrantëve, ka qenë e pranishme që nga themelimi i këtij vendi. Por ndarjet mbi racën, preferencat seksuale, gjininë dhe shtëpinë e origjinës, nuk kanë qenë kurrë më të mëdha apo më të shtrira sesa sot.
Këto dallime përshkallëzohen nga urdhrat radikale përmes mediave sociale, dhe dështimi i shumë njerëzve për të pranuar ekzistencën e së vërtetës dhe faktit bazë përballë lajmeve të rreme dhe fakteve alternative.
Me thënë të drejtën, duke ndihmuar në fitimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas duke u shfaqur si superfuqia e vetme më pas, amerikanët morën ndoshta padashur, një rol të domosdoshëm që do të ishte i paqëndrueshëm në terma afatgjatë.
Ndërsa dominimi u përkeqësua në arrogancë dhe një vetëbesim të madh, tek epërsia e çdo gjëje që ishte amerikane, një lloj Pax Americana, gjatë dekadave në vijim do të shfaqeshin fuqi të tjera. Aura e madhështisë së Amerikës do të njollosej, dhe në disa raste, do të thyhej nga hapat e gabuara si dhe zgjedhjet e këqija.
Për shembull në Afganistan dhe në luftën e dytë në Irak. Sondazhet e fundit të qendrës Pew, tregojnë se sa shumë ka rënë pozita e Amerikës në nivel ndërkombëtar. Ku po shkon SHBA-ja dhe demokracia e saj? Përgjigjet për këtë pyetje do të përbëjnë “Gurin e Rozetës’ për të ardhmen e demokracisë amerikane.
Në librin tim të ardhshëm, unë ngre pyetjen nëse një kushtetutë e shkruar nga mendjet më të mira të shekullit XVIII-të, është ende e përshtatshme për qëllimet që ka vendi ynë në shekullin XXI-të?
Paaftësia e qeverisë, pavarësisht se cila parti është në krye, për t’iu përgjigjur në kohën e duhur nevojave të kombit dhe publikut po ngjall zemërim, armiqësi, inat dhe cinizëm, i cili shfaqet në jetën e përditshme.
Sjelljet e dhunshme në bordin e avionëve të pasagjerëve; kërcënimet me vdekje ndaj atyre që kanë pikëpamje të ndryshme apo politikanëve të palës tjetër; blerja masive e armëve
të zjarrit për vetëmbrojtje; dhe një vrazhdësi e përgjithshme në marrëdhëniet ndër–personale janë simptoma të pashpjegueshme të një tumori politik që po e gërryen demokracinë tonë.
Por kush është duke i dëgjuar kambanat e alarmit? Dhe kush nga ne do të ketë gjërat e duhura për të udhëhequr, dhe për t’i shëruar këto sëmundje? Këto janë pyetjet mbi të cilat mbështetet e ardhmja e demokracisë amerikane.
Shënim: Harlan Ullman, ish-drejtues i Marinës së SHBA, aktualisht anëtar në disa kompani konsulente në fushën e mbrojtjes.