Alternativa është lufta, prandaj duhet bërë një sy qorr dhe vesh shurdh dhe negociohet madje edhe me sundimtarët më të këqij. Për shembull, Putinin dhe Erdoganin
Nga Angelo Panebianco
Ekziston një dallim ndërmjet mes pohimit se demokracitë duhet të negociojnë me diktaturat, dhe deklaratës se kjo apo ajo diktaturë meriton admirimin tonë. Rasti i parë, i referohet një rregulli të arsyeshëm të bazuar tek realizmi. Në rastin e dytë, tregohet një mungesë domethënëse e vlerësimit për demokracinë. A duhet të dialogojmë me demokraci autoritare (Rusia e Putinit), diktatura plebishitare në konsolidim e sipër (Turqia e Erdoganit), apo diktatura ushtarake (Egjipti i El-Sisit)?
Përgjigja është po. Politika ndërkombëtare është ajo që është:shtetet duhet të hyjnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, dhe të negociojnë për çështje me interes të përbashkët, sa më shpesh që kanë mundësi. Natyra e politikës ndërkombëtare është e tillë, që alternativa ndaj diplomacisë shpesh është lufta. Bërja e një syri qorr dhe e një veshi shurdh, dhe negocimi edhe me sundimtarët më të këqij është pra diçka e pashmangshme.
Është e keqja më e vogël. Sigurisht, ndërsa bisedohet me diktatorët, duhet të mbahet gjithmonë në dorë një shkop, me të cilin nëse është e nevojshme, të mund mbahen larg gjarpërinjtë helmues. Të negociosh po, të biesh nën ndikimin e një diktature jo. Për shembull, ne evropianët duhet të negociojmë me Putinin, për sa kohë që paqja në Evropë varet nga marrëdhëniet e mira mes Evropës, SHBA-së dhe Rusisë.
Por ka nevojë për një gjykim të kthjellët, duhet të parandalojmë që Putini të na shantazhojë në planin energjitik apo të na frikësojë me shfaqjen e fuqisë së tij ushtarake. Ne nuk mund ta lejojmë të ushtrojë ndikim të tepruar politik në Evropë. S‘mundemi për shkak të natyrës së regjimit politik:ndikimi rus, me kalimin e kohës, do të devijonte në një drejtim autoritar edhe demokracitë tona.
Sërish:a duhet të negociojmë me turkun Erdogan, pavarësisht të këqijave që po u shkakton kundërshtarëve të tij të brendshëm? Mjerisht po. Ai mund të na dërgojë 3 milionë refugjatë sirianë, duke destabilizuar demokracitë evropiane. Përveç kësaj, në territorin turk ndodhen armët bërthamore amerikane (për shkak të anëtarësimit të Turqisë në NATO).
S’mund të lejojmë që një diktature islamike në formim e sipër (kjo është Turqia sot), të ketë armë bërthamore. Për këtë arsye duhet dialoguar. Por ekziston një dallim mes pasjes parasysh të nevojës për të negociuar me demokracitë autoritare dhe diktaturat, dhe thurjen e lavdeve ndaj këtyre ndaj regjimeve dhe sunduesve të tyre. E para është një dëshmi e realizmit, e dyta një shfaqje e pakujdesisë dhe cektësisë, dhe ndoshta edhe armiqësisë ndaj demokracisë.
Pakujdesia dhe cektësia, karakterizojnë shumë nga miqtë perëndimorë të Putinit:ata lavdërojnë një regjim, në të cilën kundërshtarët e qeverisë përfundojnë shpesh në burg, në mërgim ose vriten në atentate misterioze. Kjo vlen edhe për ata që, pas vdekjes së Fidel Kastros, u shfaqën dorëlëshuar në lavdata, duke u shtirë sikur kishin harruar, që me revolucionin e tij, në Kubë një diktaturë u zëvendësua me një tjetër. Negocimi me diktatura duhet, por pa harruar asnjëherë se bëhet fjalë për gjarpërinj helmues. / Corriere della Sera – www.bota.al