Nga Stephen Kinzer
Vota e Britanisë për të dalë nga Bashkimi Evropian, ishte një goditje e vrazhdë ndaj rendit të praruar botëror. Tanimë që BE-ja është tronditur duke u kthyer në realitet, pritet që edhe në NATO të lëvizin ujërat. Kur udhëheqësit e aleancës të mblidhen në samitin e Varshavës ditën e premte, ata do të insistojnë se aleanca e tyre është ende e rëndësishme, për shkak se agresioni rus kërcënon Evropën. E kundërta është e vërtetë.
NATO është shndërruar në një instrument të Amerikës, në përshkallëzimin e konfliktit tonë të rrezikshëm me Rusinë. Ne kemi nevojë për më pak dhe jo më shumë NATO. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut u themelua në vitin 1949, si një mënyrë që trupat amerikane të mbronin Evropën e shkatërruar nga lufta nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit.
Sot Evropa është mjaft e aftë në formësimin dhe pagesën e kostove për sigurinë e vet, e megjithatë struktura e NATO-s mbetet e pandryshuar. Shtetet e Bashkuara paguajnë ende rreth tre të katërtat e buxhetit të saj. Kjo nuk ka kuptim. SHBA-ja duhet të mbetet politikisht e afërt me vendet evropiane, por duhet të ndalojë së thëni atyre se si të mbrojnë veten.
Të lënë me pajisjet e tyre, ata mund të tërhiqen nga zgjatja e konfrontimit me Rusinë, në të cilën po i çon aktualisht NATO. Rusia nuk kërcënon asnjë nga interesat jetike të Amerikës. Përkundrazi, ajo ndan padurim tonë për të luftuar terrorin global, kontrolluar kërcënimet bërthamore, dhe përballur me sfidat e tjera urgjente për sigurinë globale.
Varësisht nga këndvështrimi i dikujt, Moska mund të shihet si një forcë destabilizuese në Evropë ose thjesht si mbrojtëse e rajoneve të saj kufitare. Sido që të jetë, kjo është një sfidë për evropianët, jo për ne. Megjithatë, gjeneralët amerikanë që drejtojnë NATO-n, të dëshpëruar për një mision të ri, shohin tek Rusia armikun e ri. Sekretari i Mbrojtjes Eshton Karter e vendosi mënyrë absurde Rusinë në vend të parë në listën e tij të kërcënimeve ndaj Shteteve të Bashkuara. Pasioni anti-Rusi ka mbërthyer Uashingtonin.
Samiti i kësaj jave i NATO-s, do të jetë një festival i rrahjeve së gjoksit, me shumë paralajmërime për “kërcënimin” rus dhe zotimet solemne për ta përballuar atë me shfaqjet e forcës ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të 4-fishojnë shpenzimet në projektet ushtarake të NATO-s në ose në afërsi të kufijve të Rusisë.
Gjatë javëve të fundit, NATO-ja ka hapur një bazë të re raketore në Rumani, mban forcat më të mëdha stërvitore në historinë moderne të Polonisë, dhe ka njoftuar planet për të vendosur mijëra trupa të tjerë në bazat e Balltikut, disa me artileri me një rreze që prek Shën Petersburgun.
Nga ana e saj Rusia, është duke ndërtuar një bazë të re ushtarake, me një artileri që kap në rrezen e vet territorin e Ukrainës, si dhe vendosjen 30.000 trupave në pikat e kalimit kufitar. Të dyja palët janë të armatosura me armë bërthamore. NATO-ja i sheh problemet ndërmjet Rusisë dhe vendeve të afërta si një problem ushtarak. Dhe kjo ka kuptim. NATO është një aleancë ushtarake, e drejtuar nga oficerë ushtarakë, të cilët mendojnë në aspektin ushtarak.
Por konflikti ynë me Rusinë, është në thelb politik dhe jo ushtarak. Ai kërkon një diplomaci krijuese. NATO është një instrument i hapur dhe i papërgatitur për një detyrë kaq delikate. Nëse evropianët besojnë se përshkallëzimi është mënyra më e mirë për t’u marrë me Rusinë, le ta ndjekin atë rrugë. Por kjo duhet të jetë zgjedhja e tyre, dhe jo e jona.
Komandantët e NATO-s dhe zotërinjtë e tyre politikë në Uashington, nuk duan të dorëzojnë kontrollin mbi sigurinë evropiane. Ata frikësohen se europianët do të kërkojë pajtimin me Rusinë, në vend se të ndjekin modelin e NATO-s e të konfrontimin ballor. Kjo perspektivë është e neveritshme për gjeneralët amerikanë, politikanët, dhe kontraktorët e mbrojtjes. Me vazhdimin e financimit të NATO-n, ne kemi blerë të drejtën për të vringëlluar shpatat në kufijtë e Rusisë.
Disa evropianë janë të pakënaqur me përdorimin e NATO-s nga ana e Amerikës, për të intensifikuar presionin ushtarak ndaj Rusisë. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajmajer i cilësoi manovrat e fundit ushtarake në Poloni, në të cilin 14.000 trupat amerikane morën pjesë “tejet të vrullshme dhe një thirrje për luftë”. Në një kritikë të qartë ndaj NATO, ai shtoi:”Kushdo që beson se një paradë simbolike tankesh në kufirin lindor të aleancës do të sjellë siguri, e ka gabim. Ne jemi të mirë-këshilluar të mos krijojmë pretekste për të ripërtërirë një përballje të vjetër”.
NATO ndihmoi në ruajtjen e paqes në Evropë gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo nuk është më e përshtatshme për shekullin e XXI-të. Duke ushqyer tensionet me Rusinë, aleanca i ndih destabilitetit dhe jo stabilitetit. Europa ka nevojë për një sistem të ri të sigurisë. Ndryshe nga NATO, ky sistem duhet të projektohet nga evropianët për të përmbushur nevojat evropiane, të drejtohet dhe të paguhet po nga evropianët. Kjo do t’i lejonte Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga një mision i gjatë që mund të ketë qenë fisnik, por që s’duhet të zgjasë përgjithnjë.
Shënim: Stephen Kinzer është bashkëpunëtor kryesor në Institutin Watson për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Broën në SHBA.
“The Boston Globe” – Bota.al