Analiza

A është kjo koha e shanseve të humbura për Perëndimin?

Mohamed A. El-Erian

Me kalimin e kohës, sistemet politikë perëndimorë do të zhvillohen për të plotësuar nevojat e ekonomive të tyre. Por në ndërkohë, pjesa më e madhe e kompanive dhe familjarëve do të duhet të kenë të bëjnë me sisteme që bëjnë relativisht më pak për t’i ndihmuar të arrijnë potencialin e tyre, duke i vendosur ata në disavantazh përballë konkurrentëve që veprojnë në sisteme ku gjejnë më shumë mbështetje

Screen Shot 2015-05-13 at 1.01.56 PM

Që në adoleshencë, kam qenë i magjepsur prej ndryshimeve dhe makinacioneve të politikës kombëtare. Sot e gjej veten tek fokusohem në tendencat më të gjera politike, që ndihmojnë gjithashtu për të shpjeguar çështjet ekonomike globale.

Një tendencë e tillë është fragmentimi politik dhe polarizimi i dukshëm në demokracitë perëndimore. Lëvizjet ekstreme, disa prej të cilave në brendësi të strukturave politike të qëndrueshme, dhe të tjera që kërkojnë të krijojnë të reja, po ushtrojnë trysni mbmi partitë tradicionale, duke ua bërë atyre të vështirë mobilizimin e mbështetësve, dhe në disa raste, duke u shkaktuar atyre dëme realë. Të dëshpëruara për të mos u shfaqur të dobëta, partitë tradicionale janë bërë shumë dyshuese ndaj bashkëpunimit “përtej gardhit”.

Refuzimi për të punuar së bashku për çështjet e mëdha të ditës ka një impakt dramatik mbi politikat ekonomike. Ndërkohë që dikur formulohej përmes negociatave në qendrën e politikës, aty ku janë ankoruar prej kohësh demokracitë perëndimore, politikëbërja sot formësohet gjithnjë e më shumë prej forcave kokëforta në ekstremet e djathtë dhe të majtë.

Screen Shot 2015-05-06 at 18.59.26Kjo qasje, duhet thënë se herë pas here ka sjellë kthesa të forta – herë për mirë, e herë për keq. Por rezultati i përgjithshëm ka qenë paraliza e politikave, teksa edhe elementët më themelorë të qeverisjes ekonomike (si për shembull miratimi i një buxheti në SHBA) po vuajnë si pasojë. Nuk ka dyshim pra, që sa më të mëdha të jenë sfidat e qeverisjes dhe politikave brenda vendit, aq më i vështirë bëhet bashkëpunimi rajonal dhe global.

Tea Party në SHBA është një shembull. Pas suksesit të saj në skenën kombëtare në vitin 2010 gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, shumë ligjvënës republikane u shqetësuan aq shumë për sigurimin e “bazës” së partisë për rizgjedhjen e tyre në të ardhmen, saqë ata nuk ndiheshin më komodë për të ndjekur atë bashkëpunim dypalësh që qëndron në themel të politikëbërjes ekonomike të efektshme. Por impakti i Tea Party nuk përfundoi aty. Duke kontribuar në një ndërprerje të veprimtarisë së qeverisë në nivel federal, si dhe duke ngritur në mënyrë të përsëritur rrezikun e një falimenti teknik, ajo rrezikoi të dëmtojë ekonominë e SHBA, e cila ndodhej në mesin e një rimëkëmbjeje shumë të brishtë. Ndërkohë që lëvizja është zhvilluar dhe nuk rrezikon më që ta mbajë peng ekonominë, ajo vazhdon të kontribuojë për paralizën e përgjithshme të politikëbërjes.

Europa duket se është futur në një rrugë të ngjashme tani, teksa partitë jotradicionale – shumë prej tyre të nxitura nga vetëm një çështje – po bëhen gjithnjë e më me ndikim. Lëvizje si Fronti Nacional (anti-imigrim) në Francë po i shtyjnë partitë kryesore të kthejnë kokën gjithnjë e më shumë nga ekstremizmi, për të ruajtur mbështetjen e tyre.

Sigurisht, frika e tyre nuk është irracionale, dhe këtë gjë e pa mirë PASOK-u në Greqi, kur partia e të majtës ekstreme, Syriza, fitoi zgjedhjet në janar. Por kjo nuk e ndryshon faktin që nevojat e partive për të qetësuar frikërat e elektoratit të tyre po shkaktojnë dëme seriozë në politikëbërjen e shteteve.

Në të vërtetë, gjithnjë e më shumë parti kryesore janë kaq të zëna duke “luajtur në mbrojtje”, saqë ato kanë shumë pak prirje për t’u angazhuar në atë lloj mendimi strategjik largpamës që nevojitet për të rigjallëruar modelet e rritjes ekonomike, për të sjellë stabilitet financiar dhe për të garantuar që inovacioni teknologjik të mundësojë begatinë në një hapësirë sa më të madhe. Si rezultat, ekonomitë perëndimorë po punojnë në mënyrë kronike nën potencialin e tyre – duke rrezikuar të dëmtojnë potencialin e të ardhmes.

Prandaj brezi i ardhshëm me shumë gjasë do e kujtojë këtë si kohën e shanseve të humbur. Në vend që të përkulen para paralizës dhe polarizimit, politikëbërësit duhet të nxisin investime që sjellin rritje ekonomike dhe rrisin produktivitetin, të financuar me norma interesi shumë të ulëta, të shtyjnë për reformat e tregut të punës si dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të rritjes së pabarazisë së të ardhurave dhe pasurisë, gjë e cila po e kufizon gjithnjë e më shumë qasjen në shanset ekonomikë.

Po kështu, politikëbërësit duhet që të ribëjnë nga e para strukturat jokoherente dhe jo të qëndrueshme të taksimit, që janë të mbushura me përjashtime të padrejtë. Dhe ata duhet të nxisin reformën e imigrimit, për të ndrequr një sistem i cili penalizon talentet, nxit krimin, dhe, siç mund të ilustrohet edhe nga mijëra imigrantët që janë mbytur në Mesdhe në vitet e fundit, shpesh herë çon në tragjedi njerëzore.

Pavarësisht pakënaqësisë së përhapur ndaj shumë institucioneve politikë në shumë vende perëndimorë – Kongresi i SHBA, për shembull, ka një normë mbështetjeje shumë të ulët – është e vështirë të kuptosh se çfarë mund ta thejë bllokazhin aktual. Brenda partive tradicionale, forcat që nxisin të rinjtë janë të dobëta dhe të pakta. Shtoji kësaj edhe mediat gjithnjë e më të polarizuara dhe pothuajse-tribale, që mund të amplifikojnë ndarjet në shoqëri, dhe hapësira e transformimit përmes bashkëpunimit është tejet e kufizuar.

Nga ana e tyre, shumë prej partive ekstreme, pavarësisht popullaritetit në rritje, po mundohen shumë për të marrë pushtet, një sfidë e ilustruar më së miri prej zgjedhjeve të fundit në Britani. Dhe ato që ia dalin, si Syriza, shumë shpejt frustrohen prej sistemeve tejet të ngurtë në të cilët duhet të punojnë – një situatë e cila bëhet edhe më e vështirë prej mungesës së përvojës në qeverisje.

Me kalimin e kohës, sistemet politikë perëndimorë do të zhvillohen për të plotësuar nevojat e ekonomive të tyre. Por në ndërkohë, pjesa më e madhe e kompanive dhe familjarëve do të duhet të kenë të bëjnë me sisteme që bëjnë relativisht më pak për t’i ndihmuar të arrijnë potencialin e tyre, duke i vendosur ata në disavantazh përballë konkurrentëve që veprojnë në sisteme ku gjejnë më shumë mbështetje.

Deri në një farë mase, inovacioni teknologjik do të kompensojë, teksa ai do të fuqizojë individët dhe kompanitë që të bëjnë jetë më të vetëudhëhequra, duke krijuar xhepa ekselence dhe mirëqenieje. Por, ndërkohë që këta janë lajme të mirë për disa, mbeten gjithësesi të pamjaftueshëm për të ndalur rritjen e pabarazisë në të ardhura, pasuri dhe shanse – apo për të çliruar begatinë që ekonomitë perëndimore munden dhe duhet ta gjenerojnë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Western Politics’ Locust Years

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button