Horizonti.al

A është ndërgjegja, një betejë midis besimeve dhe perceptimeve tona?

Nga Hakwan Lau

Imagjinoni sikur jeni në një shfaqje magjie, në të cilën prestigjatori zhduket befas. Natyrisht, ju në fund e dini se ai ndoshta është duke u fshehur diku. Megjithatë, vazhdon të duket sikur është zhdukur. Ne s’mund t’a arsyetojmë atë shfaqje, pa marrë parasysh se çfarë logjike e dikton atë. Po përse përvojat tona të ndërgjegjshme, janë kaq kokëforta?

Fakti që perceptimi ynë mbi botën duket të jetë kaq kërkues, sado që ne mund të reflektojmë mbi të, na tregon diçka unike rreth asaj, se si janë lidhur sistemet tona nervore. Krahasoni skenarin e magjistarit, me mënyrën se si ne zakonisht e përpunojmë informacionin.

Nëse 5 nga miqtë tuaj ju thonë që jashtë po bie shi, në një kohë që një faqe interneti për motin, pretendon të kundërtën, ju ndoshta do të mendoni se faqja e internetit e ka gabim, dhe nuk do ta përfillni atë. Por, kur bëhet fjalë për perceptimin e vetëdijshëm, duket se ka diçka çuditërisht të këmnëngulëse, për atë që shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë.

Edhe kur një përvojë perceptuese, është qartazi “e gabuar”, ne nuk mund ta fshijmë atë. Pse ndodh kështu? Përparimet e fundit në inteligjencën artificiale (AI), hedhin një dritë të re mbi këtë enigmë. Në shkencën kompjuterike, ne e dimë se rrjetet nervore për njohjen e modeleve – të ashtuquajturat modele të të nxënit të thellë – mund të përfitojnë nga një proces i njohur si kodimi parashikues .

Në vend se të marrin informacione pasive nga poshtë-lart, rrjetet mund të bëjnë hipoteza nga lart-poshtë në lidhje me botën, për t’u testuar ndaj vëzhgimeve. Ato në përgjithësi punojnë më mirë në këtë mënyrë. Për shembull,  kur një rrjet nervor identifikon një mace, ai zhvillon së pari një model, që lejon që ai të parashikojë, ose të imagjinojë se si duket një mace.

Pastaj, mund të shqyrtojë çdo të dhënë hyrëse që vjen, për të parë nëse ajo përshtatet apo jo me atë pritshmëri. Problemi është se sa mund të jenë efikase këto modele gjeneruese, sapo të vihen në punë, pasi ato kërkojnë zakonisht sasi të mëdha informacioni, dhe kohë për t’u trajnuar.

Një zgjidhje është të përdoren rrjetet gjeneruese kundërshtare (GANs) – të cilësuara si “ideja më e mirë e të mësuarit e thellë në 20 vitet e fundit” nga kreu i kërkimit mbi Inteligjencën Artificiale në Facebook, Jan Le Kun.

Në GANs, ne mund të trajnojmë një rrjet (gjenerator), për të krijuar fotografi të maceve, duke i imituar në maksimum macet reale. Dhe ne trainojmë një rrjet tjetër (diskriminues), për të dalluar imazhet e prodhuara të maceve të rreme, nga ato reale. Ne pastaj mund t’i vëmë të dyja rrjetet kundër njëri-tjetrit, kështu që diskriminuesi shpërblehet për kapjen e maceve të rreme, ndërsa gjeneratori shpërblehet pse u largua me to.

Kur vendosen për të garuar me njëri-tjetrin, rrjetet rriten së bashku. Kjo e bën të mësuarit shumë efikase për secilin prej tyre. Si dhe një mashtrim i dobishëm inxhinierik, GANs është një analogji potencialisht e dobishme, për të kuptuar trurin e njeriut.

Në trurin e gjitarëve, neuronet përgjegjëse për kodimin e informacionit perceptues, u shërbejnë synimeve të shumëfishta. Për shembull, neuronet që aktivizohen kur ju shihni një mace, aktivizohen edhe kur imagjinoni ose mbani mend një mace. Gjithashtu, ato mund të aktivizohen pak a shumë në mënyrë të rastësishme. Pra, sa herë që ka aktivitet në qarkun tonë nervor, truri duhet të jetë në gjendje të kuptojë shkakun e sinjaleve, të brendshme ose të jashtme qofshin ato.

Këtë stërvitje, mund ta quajmë monitorim i perceptimit real. Filozofi britanik i shekullit XVII-të Xhon Lok, besonte se ne njerëzit jemi pajisur me një lloj organi të brendshëm, që kryente punën e vetë-monitorimit ndijor. Por, kritikët e Lokut pyetën veten, se pse Nënë Natyra do të mundohej të krijonte një organ tërësisht të ndarë, në krye të një sistemi që tashmë është ndërtuar, për ta zbuluar botën nëpërmjet shqisave.

Ne duhet të jemi në gjendje të nuhasim diçka, para se të mund të vendosim nëse perceptimi është i vërtetë apo jo. Prandaj, pse të mos ndërtojmë një mekanizëm, që të kontrollojnë vetëm mekanizmin e zbulimit? Në dritën e asaj që ne dimë tani për GANs, ideja e Lokut ka një farë kuptimi.

Për shkak se sistemi ynë perceptues merr burime nervore, pjesë të tij riciklohen për përdorime të ndryshme. Pra, imagjinimi i një maceje, bazohet në të njëjtat modele neuronale që shfaqen kur shohim një mace në realitet. Por, kjo mbivendosje e mjegullon çështejn e kuptimit të sinjaleve. Prandaj, që skema e riciklimit të funksionojë mirë, na duhet një diskriminues që të vendosë kur shohim diçka, përkundrejt rastit kur ne thjesht mendojmë për të.

Ky organ i ndjeshëm i GAN-it – ose diçka e tillë – duhet të jetë atje për të vepruar si një rivale kundërshtare, për të stimuluar rritjen e një mekanizmi të kodimit parashikues. Nëse kjo përllogaritje është e drejtë, atëherë është gjithashtu e drejtë të thuhet se përvoja e ndërgjegjshme, është ndoshta e ngjashme me një lloj përfundimi logjik.

Pra , nëse sinjali perceptues nga gjeneratori thotë se ka një mace, dhe diskriminuesi vendos se ky sinjal e pasqyron sinqerisht gjendjen e botës reale, natyrisht që jemi duke parë një mace. E njëjta gjë vlen edhe për ndjenjat e papërpunuara:dhimbja mund të ndihet si e mprehtë, edhe kur e dimë mirë se asgjë nuk na prek, dhe pacientët mund të raportojnë ndjenjën e dhimbjes në gjymtyrë, që tashmë janë prerë.

Në masën që diskriminuesi i paraqet gjërat e duhura pjesën më të madhe të kohës, ne tentojmë t’i besojmë atij. Nuk është çudi, që kur ka një konflikt midis përshtypjeve subjektive dhe besimeve racionale, duket sikur ka kuptim të besojmë atë që përjetojmë me vetëdije.

Kjo “kokëfortësi” perceptuale, nuk është vetëm një tipar i njerëzve, por edhe disa majmunë.

Dhe kjo shihet nga aftësia e tyre për t’u habitur dhe zbavitur nga truket magjike.

Ata duket se e kuptojnë, që ekziston një tension midis asaj që po shohin, dhe asaj që e dinë se si është e vërteta. Duke pasur parasysh atë që ne kuptojmë mbi trurin e tyre – në mënyrë specifike, që neuronet e tyre perceptive janë gjithashtu “të riciklueshme”, për funksionimin nga lart-poshtë – teoria GAN sugjeron që këto kafshë jo njerëzore ndoshta kanë përvoja të ndërgjegjshme, jo shumë të ndryshme nga tonat.

E ardhmja e Inteligjencës Artificiale, është më sfiduese. Nëse ndërtojmë një robot me një arkitekturë shumë komplekse në GAN, a do të ishte ai i ndërgjegjshëm? Në bazë të teorisë sonë, me siguri që do të ishte e aftë për kodifikime parashikuese, duke përdorur të njëjtën mekanizëm për perceptimin, siç përdoret për parashikimin nga lartë-poshtë, ose imagjinatën. Ndoshta ashtu si disa rrjete gjeneruese aktuale, ajo mund të “ëndërrojë”. Ashtu si ne, ndoshta nuk mund ta arsyetojë dot dhimbjen e saj – dhe ndoshta mund të jetë në gjendje të vlerësojë magjinë e skenës.

Teorizmi rreth vetëdijes, është shumë i vështirë, dhe ne ende nuk e dimë se nga se përbëhet në fakt ajo. Prandaj, nuk do të ishim në gjendje të vendosnim, nëse robotët tanë janë apo jo të ndërgjegjshëm. Ndërkohë, ne nuk mund ta bëjmë këtë me siguri, as në lidhje me kafshët e tjera.

“Aeon.co” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button