Analiza

A është Rusia një vend “kamikaz”?

Screen Shot 2015-04-07 at 1.49.24 PMNga Ivan Sukhov

“Moscow Times”

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka luajtur një rol aktiv në bisedimet midis gjashtë fuqive botërore dhe Iranit. Ato është një mjet strategjik, që Kremlini mund t’i përdorë, për të pretenduar se gjërat nuk janë aq të këqija, dhe krijuar iluzionin se Rusia është ende një lojtar i rëndësishëm dhe i respektuar në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar në zgjidhjen e problemeve globale.

Ndërkohë, rusët psherëtijnë të lehtësuar sa herë që shohin se vlera e rublës gradualisht po ngjitet lart përsëri. Sigurisht, kursi i këmbimit nuk është aq i mirë sa ishte një vit më parë, por gjithësesi mbetet shumë më i mirë, se një muaj më parë, dhe me shpresë, mendojnë ata, se gjithçka do të rikthehet në normalitet sa më shpejt.

Shpresa se situata do të normalizohen vetiu, pa asnjë përpjekje serioze nga ana e Moskës, tregon se Rusia është tani, më shumë se kurrë më parë, një viktimë e mendimit të dëshirave. Në fakt, kjo temë e cila duket më e rëndësishmja – mbi imazhin e Rusisë apo realitetin e saj – është bërë në heshtje, çështja më e ngutshme të ditës.

Në fakt, që prej vitit 1991, imazhi i Rusisë ka marrë gjithmonë përparësi, mbi realitetin e saj. Udhëheqësit rusë mendonin, se e kishin mashtruar pjesën tjetër të botës për të besuar tek iluzionet, që ata vetë i kishin marrë prej kohësh si fakte të vërteta.

Iluzioni kryesor që Kremlini është përpjekur t’ia ngecë popullit rus dhe botës, është se Rusia është njëfarë Bashkimi Sovjetik me një veshje të re, dhe se si e tillë, ajo ka jo vetëm fuqinë, por edhe privilegjin për të zgjidhur ndonjë çështje, që lind në ish-territorin sovjetik. Mbetet një mister, sesa prej kësaj përralle besojnë në të vërtetë zyrtarët e Kremlinit, dhe sa është menduar për konsum të brendshëm publik.

Ky perceptim i shtrembëruar i Rusisë dhe botës, buron direkt nga fillimi i viteve ‘90. Gjatë viteve të para pas 1991, zyrtarët rusë e lexuan kolapsin sovjetik, si rezultat i një revolucioni demokratik. Se demokracia e lulëzuar ruse, gjoja trashëgoi strukturat ligjore, financiare dhe bërthamore të Bashkimit Sovjetik, dhe madje duhej të bombardonte me tanke ndërtesën e vet të parlamentit në vitin 1993, për të përballuar stuhinë politike që kërcënonte mbijetesën e saj.

Nga rrënojat e atij konflikti, u hartua Kushtetuta Ruse, ende në fuqi sot dhe që paraqitet në botë si një statut i demokracisë. Tashmë në lidhje me demokracinë, ka dy pika mbizotëruese të mendimit në Rusi. E para është se demokracia, është një e keqe absolute dhe se ishin pikërisht avokatët e demokracisë, të cilët e shembën Bashkimin Sovjetik.

E dyta është se demokracia nuk është aq e keqe, porse mënyra si ajo është zbatuar gjatë periudhës së hershme post-sovjetike, e diskreditoi atë keqas në sytë e shumë rusëve. Tipikisht, ata që mbrojnë pikëpamjen e dytë, janë shpesh të njëjtit njerëz që kanë bërë çdo gjë që kishin në dorë, për të diskredituar demokracisë gjatë viteve ’90, dhe nga viti 2000 e këtej.

Ata me dinakëri i referohen kolapsit sovjetik si një “revolucion demokratik”, në një kohë që nëse ai ishte një revolucion në kuptimin e plotë të fjalës, ishte në fakt më tepër një revolucion i burokratëve të qeverisë, të cilët u shpëtuan kontrolleve të mërzitshme sovjetike, duke e çmontuar tërësisht Bashkimin Sovjetik, ndërsa qytetarët ishin të qetë dhe pasivë.

Dhe pas vitit 1991, ata iu referuan asaj qyetarie si “shoqëria civile”, për të ushqyer vëzhguesit perëndimorë me iluzionin, se ata synonin të shkelnin në gjurmët e reformave të nisura nga ish-udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov. Këta ishin njerëz, që vetë nuk kishin marrë pjesë në asnjë lëvizje, por po ata që bënin përgjegjëse qeveritë gjoja demokratike për tmerret, të cilat shkaktuan rënien e Bashkimit Sovjetik.

Që në fillim, Rusia post-sovjetike u përpoq të shfaqet ndaj qytetarëve të saj, fqinjëve e madje edhe për vetvetes si diçka që nuk ishte. Duke u kënaqur me këtë lojë mimikash, udhëheqësit e humbën momentin, kur vendi i ri kishte nevojë të kuptonte arsyen se po ekzistonte, për cilët duhet të shërbente si një shtëpi dhe strehë, dhe çfarë synimesh do të kishte për të ardhmen.

Kur një vend i ri shfaqet në vend të një të vjetri, një dritare e mundësive politike hapet. Megjithatë, ajo s’mund të qëndrojë e tillë për 25 vite me rradhë. Rusia e shpërdoroi gjithë këtë kohë, duke u angazhuar në një rol-lojë të çuditshme, në përpjekje për të vepruar edhe si një demokraci dhe si pasuese e Bashkimit Sovjetik, ku nga njëra anë mohonte trashëgiminë sovjetike, dhe nga ana tjetër e përjetësonte atë.

Megjithatë, diçka shkoi keq, dhe tanimë është e qartë se, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia moderne nuk ka më ide për të ofruar. Në fillim ajo dukej si një vend elegant teknokratikësh:pas vitesh dehje ideologjike sovjetike, kishte luksin për të mos menduar më për asnjë lloj ideje. Pastaj doli se pa një formë të idesë kombëtare, asgjë nuk do të funksiononte. Megjithatë, idetë e reja lindin vetëm pasi një vend ka ndërmarrë detyrën gjigante të të kuptuarit të vetvetes dhe realitetin e vështirë të historisë së saj. Rusia po e shmang ende atë detyrë.

Të gjitha idetë që zyrtarët e sotëm shfaqin në publik, janë nga e njëjta torbë mashtrimesh që udhëheqësit sovjetikë, dhe para tyre carët prodhonin pa fund. Sigurisht, Perëndimi nuk ka patur një tablo shumë të dashur mbi Rusisë. Çdokush që nuk e shikon këtë vend nga dritarja e burgut, e televizionit rus të kontrolluar nga shteti, i sheh shumë qartë përpjekjet qesharake të Moskës për të fshehur mungesën e një axhende kuptimplotë kombëtare, me fasadën e saj të pretenduar të Lojërave Olimpike, luftërat në Gjeorgji dhe në Donbas, aneksimin e Krimesë, përpjekjet sa për t’u dukur për zgjidhjen e konfliktit në Siri, dhe pjesëmarrja e saj tek 6 fuqitë botërore negociuese me Iranin, mbi programin e tij bërthamor.

Kjo nuk është një luftë e re e Ftohtë, dhe kjo jo për shkak se Rusia vepron ende si një partner relativisht i barabartë në strukturat e caktuara ndërkombëtare. Kjo nuk është një luftë e re e Ftohtë, sepse është e qartë për të gjithë jashtë Rusisë, se ky vend ka shpenzuar çerek shekulli, duke medituar në mënyrë aspak produktive, nëse dëshiron të ndahet nga e kaluarën e saj sovjetike apo të rrikthehet tek ajo, se nuk ka në zemër, mendje ose në synime, ndërmarrjen e një përballjeje me Perëndimin që do të ringjallnte botën bipolare të së shkaluarës.

Gjithësesi, kjo nuk do të thotë se Perëndimi duhet ta skualifikojë Rusinë, si një kërcënim i mundshëm. Gjatë një konference në Moskë javën e shkuar, mbi çështjen nëse ka filluar apo jo një Luftë e re e Ftohtë, një analist politik rus e krahasoi shtetin rus me një kamikaz të armatosur me bomba. Ai argumentoi, se Moska vuan nga një kompleks ankthi, që rrjedh nga vetëdija se vendi ose do të rrënohet ose do ta gjejë veten të pashpresë, shumë prapa niveleve perëndimore të zhvillimit, dhe se kjo ka bërë që udhëheqësit e saj gjithnjë e më shpesh të bëjnë aluzione mbi përdorimin e armëve të saj bërthamore, në një përpjekje të dëshpëruar për të kërkuar të drejtën e saj për të ekzistuar.

Rusia dhe Perëndimi, duhet të gjejnë një mënyrë për të dalë nga ky qorrsokak i rrezikshëm. E megjithatë liderët e Moskës, vazhdojnë të pretendojnë se nuk po ndodh asgjë e pazakontë. Ministri i jashtëm Lavrov, flet rastësisht për Iranin dhe gjithkush e shikon sesi rubla forcohet me 58 pikë, përkundrejt dollarit amerikan. Tek e fundit, udhëheqësit e Rusisë e dinë se kanë një buton bërthamor, dhe nëse ky vend nuk mund ose nuk do të zgjidhë problemet e saj në ndonjë mënyrë tjetër, ajo gjithmonë mund të zgjedhë të dalë nga loja, duke shkaktuar një Armagedon global.

Shënim: Ivan Sukhov është një gazetar që ka mbuluar konfliktet në Rusi hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik për 15 vitet e fundit.

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button