Covid19 AnalizaMAIN

A janë shoqëritë individualiste më të dobëta në reagimin ndaj pandemive?

Nga Tomasz Mickiewicz, Jun Du & Oleksandr Shepotylo

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, deklaroi kohët e fundit se shifrat e rasteve të reja me koronavirus janë më të larta në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Gjermani apo Itali, pasi britanikët e duan më shumë lirinë, dhe e kanë më të vështirë të respektojnë masat kufizuese.

Nuk është e habitshme, që kjo pikëpamje ka shkaktuar shumë debate dhe kritika. Disa kanë argumentuar se Gjermania dhe Italia e duan lirinë po aq sa Britania e Madhe. Të tjerët sugjerojnë se ndryshimi ka të bëjë me cilësinë e sistemeve të testimit dhe gjurmimit që aplikojnë këto vende.

Nuk ka asnjë provë të fortë se Boris Xhonson e kishte gabim, por përtej Atlantikut, ekonomisti amerikan Pol Krugman ka sugjeruar diçka të ngjashme. Reagimi i dobët i SHBA-së ndaj pandemisë, thotë ai, është përgjegjësi e politikanëve dhe politikave, që kanë dështuar t’i bindin njerëzit të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme në këtë situatë.

Sipas tij dashuria e lirisë, është justifikimi për “kultin amerikan të egoizmit”. Ndërsa ne nuk mund të përcaktojmë dot 100 për qind arsyet që qëndrojnë pas shifrave të larta me Covid-19 në Britani dhe Amerikë, është interesante të shohësh kryeministrin britanik dhe një laureat të Çmimit Nobel, që japin argumente të ngjashme. Po sa të besueshme janë pretendimet e tyre?

Fuqia e individualizmit

“Dashuria ndaj lirisë” është e vështirë të matet, por ajo lidhet me konceptin e individualizmit. Ky tipar kulturor e thekson lirinë personale dhe kremton suksesin individual. E kundërta e tij është kolektivizmi, që e thekson ngulitjen e individëve tek një grupim shoqëror, dhe e vë theksin tek nevoja për t’u mbështetur dhe mësuar nga mjedisi shoqëror.

Veprat më e rëndësishme mbi individualizmin, është shkruar nga psikologu social holandez Gert Hofshtede. Ai zhvilloi një kornizë për të krahasuar kultura të ndryshme përgjatë 6 dimensioneve. Këto të fundit janë:sa individualiste ose kolektive është një shoqëri, sa altruiste është ajo, cilat janë qëndrimet e saj ndaj pushtetit dhe ndryshimit, si përballet me pasigurinë dhe sa mashkullore apo femërore janë vlerat e saj.

Brenda këtij kuadri, individualizmi përkundrejt kolektivizmit, ka rezultuar të jetë kontrasti më i fuqishëm dhe i vazhdueshëm midis kulturave të ndryshme. Sidoqoftë, sipas shkallës së Hofshtede, Gjermania dhe Italia e sotme janë që të dyja shoqëri individualiste, edhe nëse Britania e Madhe dhe SHBA kryesojnë këtë listë. Ndaj pikëpamja e Xhonson mbi Italinë dhe Gjermaninë duket se ka ngecur në vitet 1930.

Rrënjët e këtyre vlerave kulturore, mund të lidhen me modelet historike të intensitetit të sëmundjes në të gjitha shoqëritë. Në zonat ku kërcënimi i sëmundjeve infektive ishte më i madh, si në ato tropikale, shoqëritë u zhvilluan të ishin më kolektive për t’iu kundërvënë atyre kërcënimeve.

Nivelet e ulëta të ndërveprimit me të huajt, të cilat karakterizojnë shoqëritë kolektiviste, shërbyen si një mbrojtje e rëndësishme kundër infeksionit. Përkundrazi, shoqëritë individualiste kishin rrjete sociale më të larmishme, dhe më pak mbështetje në modelet e qëndrueshme të ndërveprimit shoqëror, duke e bërë më të mundshme transmetimin e sëmundjes.

Më e rëndësishmja, këto tipare kulturore kanë ende ndikime në botën reale. Ato nuk diktojnë vetëm normat shoqërore, por edhe sjelljen ekonomike.  Studimet tregojnë se pasja e një kulture më individualiste çon në më shumë risi dhe rritje ekonomike, pasi shoqëri të tilla u japin status më të lartë shoqëror inovatorëve.

Por ka edhe të meta. Ndërsa shoqëritë individualiste, mund të kenë përparësi në nxitjen e inovacionit radikal, Hofshtede argumenton se ato janë në disavantazh kur bëhet fjalë për veprimin dhe koordinimin e shpejtë kolektiv. Kjo pasi njerëzit atje inkurajohen të kenë pikëpamje të ndryshme, të thonë atë që mendojnë, të bëjnë pyetje dhe të ngrenë debate. Ndërtimi i konsensusit të nevojshëm që të funksionojnë politika të caktuara, mund të zgjasë më shumë.

A ka ndikuar kultura shoqërore në përballjen me Covid-19?

Covid-19 ka depërtuar thuajse në çdo vend të botës, dhe megjithatë ka sjellë rezultate shumë të ndryshme. Deri më tani, epidemiologët kanë ofruar shpjegime të shumta për këtë pabarazi, përfshirë ndryshimet në demografi, urbanizimin, cilësinë e sistemeve shëndetësore, mjedisin natyror dhe shpejtësinë e reagimit nga ana e qeverive.

Sidoqoftë, ne argumentojmë se edhe kultura ka jo pak rëndësi. Meqë konsensusi arrihet më lehtë në shoqëritë kolektiviste, kushtet e tyre janë më të mira për marrjen e veprimeve të shpejta dhe efektive për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Këto vende zotërojnë gjithashtu mekanizma të fortë shoqërorë të bazuar tek turpi, dhe nuk duan që të “humbin fytyrën”, gjë që mund të çojë në pajtueshmëri me masat e kontrollit, duke i bërë më efektive veprimet e qeverisë.

Rrjetet sociale në shoqëritë kolektiviste, priren gjithashtu të jenë më të lokalizuara dhe të orientuara drejt kontakteve të ngushta të njerëzve (zakonisht familja e tyre e gjerë). Kjo krijon “flluska sociale” natyrore, e redukton përzierjen dhe diversitetin shoqëror, dhe për këtë arsye e ngadalëson përhapjen e virusit.

Në nivelin individual, vlerat kulturore mund të ndikojnë në vendimet personale për gjëra të tilla themelore si mbajtja e maskës apo distancimi social. Ka tashmë studime që tregojnë se në SHBA, në zonat me një histori të vendbanimeve kufitare dhe një kulture më individualiste, njerëzit kanë më pak të ngjarë të mbajnë maska ​​në fytyrë dhe distancë sociale.

Duke qenë se të dhënat mbi individualizmin janë në dispozicion të publikut, nuk është e vështirë të fillosh të vlerësosh se si ato lidhen me Covid-19. Duke parë të dhënat që në fillim të pandemisë – kur ndryshimet midis vendeve individualiste dhe atyre kolektiviste ka të ngjarë të ishin më të theksuara, dhe pasur parasysh shpejtësitë potencialisht të ndryshme të përgjigjeve të tyre, ekziston një korrelacion i papërpunuar midis vdekjeve të lidhura me Covid-in për frymë, dhe rezultatet e individualizmit të vendeve.

Ky korrelacion mbetet kur krahasojmë rezultatet e individualizmit me vdekjet e vendeve për numër rastesh, për të kontrolluar sasi të ndryshme të testimit. Për shembull, Britania individuale mund të krahasohet me Japoninë kolektiviste.

Të dyja kombet janë demokratike dhe kanë ekonomi shumë të zhvilluara, por Japonia ka një popullsi më të moshuar se Britania e Madhe. Ndaj ne ndoshta do të prisnim që pasojat e Covid-19 në Japoni të ishin më të rënda. Por rezulton të jetë e kundërta. Por tani për tani, kjo tregon se hipoteza e individualizmit vlen të hetohet më tej. / “The Conversation” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close