AnalizaMAIN

A mund ta ndalë Makroni valën e islam izmit radikal në Francë?

Nga Ajan Hirsi Ali

Pak më shumë se një javë më parë, Emanuel Makron, deklaroi se do që t’i japë fund “separatizmit islamik” në Francë, pasi një pakicë prej 6 milion myslimanësh në këtë vend, rrezikon të formojë një “kundër-shoqëri”.

Të premten ne pamë edhe një shembull tjetër të kësaj, kur një mësuesi të historisë iu pre koka në rrugë, gjatë kohës që po kthehej në shtëpinë e tij në periferinë e Parisit. Samuel Pati kishte diskutuar mbi lirinë e fjalës në klasë, dhe u kishte treguar nxënësve karikaturat e profetit Muhamed, të botuara 15 vite më parë nga revista satirike “Charlie Hebdo”.

Disa prindër kishin protestuar, duke shkaktuar një zhurmë të madhe mbi këtë çështje, dhe në fund në vrasjen e tij. Makron tha se Pati u vra “pasi ai mësoi lirinë e shprehjes, lirinë për të besuar ose jo”. Presidenti po pozicionohet tani si mbrojtës i vlerave franceze, i vendosur për të tharë “kënetën” islamike.

Që Makron mbajti një fjalim anti-islamik, kjo ishte në vetvete një shenjë se sa shpejt po zhvendoset debati në Francë. Pesë vjet më parë, kur televizioni amerikan “Fox News” iu referua “zonave të ndaluara” në Paris, kryebashkiaku i qytetit kërcënoi ta padiste në gjykatë. Tani kemi një centrist si Makron që paralajmëron se ”synimi përfundimtar” i “ideologjisë” së islamizmit është “vënia nën kontroll të plotë” e shoqërisë franceze.

Kushdo që shprehej në këtë formë vetëm disa vjet më parë, do të ishte etiketuar nga e majta si ekstremist. Makron po premton të miratojë një ligj mbi “separatizmin islamik”, duke e kufizuar shkollimin në shtëpi të myslimanëve, dhe duke kërkuar që grupet islamike që marrin fonde nga shtetit francez, të nënshkruajnë paraprakisht një “statut shekullar” të organizimit të tyre të brendshëm.

Por nëse ai është serioz me këtë nismë, pse të ndalet këtu? Për shembull, një javë para fjalës së tij, jashtë zyrave të revistës Charlie Hebdo, pati një plagosje me thikë, një akt të cilin Ministri i brendshëm i Francës, e përshkroi si një “akt të terrorizmit islamik”, dhe si një “sulm të ri, të përgjakshëm kundër vendit tonë”.

Do të ishte shumë inkurajuse që ne të vendosnim një monument në kujtim të njerëzve që u vranë nga islamikët radikalë, ndërsa luftonin për lirinë e fjalës:ndoshta një statujë të stafit të “Charlie Hebdo, apo mikut tim të ndjerë Teo van Gog. Dhe në përurimin e përmendores, Makron mund të hedhë poshtë konceptin e rremë – sot gjithnjë e më i përhapur – sipas të cilit mbikëqyrja më e hollësishme e islamizmit dhe islamikëve është një akt “islamofob”. Mbrojtja e të drejtave universale të njeriut është një akt dhembshurie, dhe jo një “fobi”. Dështimi për ta bërë këtë pikë, vetëm sa u lë hapësirë fanatikëve të vërtetë të ekstremit të djathtë. Në fjalimin e tij, Makron tha gjithashtu se “sfida është të luftohet kundër atyre që dalin nga binarët në emër të fesë…duke mbrojtur ata që besojnë në Islam, dhe që janë qytetarë të përgjegjshëm të republikës”.

Nëse ai e mendon vërtet këtë që thotë, ndoshta mund t’u ofrojë siguri dhe mbështetje atyre myslimanëve francezë që flasin me guxim kundër Islamit radikal? Gjithashtu, mund të mbështesë edhe ata myslimanë francezë që kërkojnë modifikimin e Sheriatit, që ta kontekstualizojnë Sunetin (praktikat tradicionale myslimane), dhe të vendosin një kufi domethënës midis fesë dhe shtetit, duke sfiduar kësisoj pastërtinë doktrinore.

Në përpjekjen për të luftuar ekstremistët, është me rëndësi jetike të dallojmë myslimanët që kërkojnë një ndryshim të vërtetë, nga islamikët me një gjuhë të drunjtë. Një numër i madh myslimanësh francezë po u kundërvihen islamikëve radikalë, dhe Makron mund të bëjë shumë më tepër për t’i mbështetur ata.

Beteja e ideve kundër islamizmit radikal do të jetë domosdoshmërisht e gjatë, dhe nëse shpreson që të ketë sukses, Makron duhet të sigurohet që shoqëria civile franceze dhe organizatat joqeveritare bamirëse të jenë plotësisht të angazhuara në këtë përpjekje.

Ai duhet të shpërndajë organizatat islamike subversive, që hedhin bazat ideologjike të dhunës, ndërsa duhet t’u bëjë thirrje homologëve të tij evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.

Është e çuditshme se sa shumë prej tyre, preferojnë edhe tani që ta shmangin këtë temë.

Ndërkohë Makron mund të forcojë ligjet e emigracionit, për të siguruar që vlerat qytetare franceze të merren parasysh nën procedurat e pranimit të emigrantëve dhe refugjatëve në këtë vend.

Ata që mirëpriten në Francë duhet t’u kërkohet të përqafojnë konceptin francez të kohezionit social, gjë që do të thotë se ata nuk mund të përqafojnë separatizmin apo islamizmin radikal, apo të jenë pjesë e organizatave që e bëjnë këtë.

Edhe ligjet në fuqi duhet të përdoren më shumë. Jo shumë kohë më parë, një gruaje algjeriane e cila refuzoi t`u shtrëngojë dorën zyrtarëve meshkuj në ceremoninë e marrjes së shtetësisë franceze, iu refuzua kjo e fundit. Në këtë mënyrë, islamikëve radikalë mund t’u tregohet se Franca nuk është shtëpia e tyre natyrale.

Ligji francez, e lejon qeverinë të refuzojë kërkesat për shtetësinë për shkak të “mungesës së asimilimit, përveç gjuhës”. Pra, në frymën e këtij ligji, Makron duhet të fillojë të riatdhesojë azilkërkuesit që kryejnë akte dhune apo e nxisin atë, sidomos ndaj grave.

Në politikën e jashtme, ai mund të trajtojë ekstremizmin ideologjik që përhapet nga qeveritë e Katarit dhe Turqisë – ndër të tjera – përmes mbështetjes së tyre ndaj islamikëve radikalë. Ai mund të ketë një qëndrim shumë më të fortë kundër regjimit iranian për aktivitetet e tij armiqësore në tokën evropiane, shtypjen e popullit të vet, dhe për përpjekjet e tij për të eksportuar islamizmin revolucionar në të gjithë Lindjen e Mesme.

Ai mund të ndërpresë ndihmat financiare nga fuqitë e huaja për organizatat islamike radikale brenda Francës. Makron ka të drejtë:Separatizmi islamik kërcënon ta shndërrojë vërtet Francën në dy kombe. Por nëse problemi synohet realisht të adresohet, popullit francez duhet t’i tregohet se Presidenti ka guxim jo vetëm për të dëbuar islamin radikal, por edhe për të marrë hapa të vërtetë praktikë për ta mposhtur atë.

Shënim: Ayaan Hirsi Ali, bashkëpunëtore në “Hoover Institution”, ish-deputete në parlamentin holandez në vitet 2003-2006 / “The Spectator” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close