MagazineMAIN

A na bën më pak të moralshëm konkurrenca?

Nga Ozan Isler

“The Conversation”

Shumica e ndërveprimeve tona ekonomike, madje edhe sociale janë konkurruese. Ne i përdorim tregjet për të gjetur punë, por edhe të dhëna. Çfarë do të thotë kjo për moralin tonë? A na e jep kapitalizmi Ëndrrën Amerikane apo Psikopatin Amerikan? A na mban të ndershëm përvoja e konkurrencës apo na shtyn drejt mashtrimit?

Me këto pyetje të thella janë marrë disa prej ekonomistëve të mëdhenj klasikë, të cilët e shihnin kapitalizmin si të mbushur me ndikime morale të mira dhe të këqija. Adam Smith u përqendrua kryesisht tek e mira, ndërsa Karl Marksi ishte më pak optimist.

Për ta testuar në mënyrë bindëse këtë pyetje në laborator, koordinatorët e projektit tonë ftuan dhjetëra shkencëtarë të sjelljes për të kontribuar me planet e tyre eksperimentale, duke vëzhguar në total më shumë se 18.000 njerëz. Rezultatet tona, të publikuara në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, tregojnë se ndërveprimet konkurruese priren ta bëjnë sjelljen e njerëzve më pak të moralshme, dhe ofrojnë disa të dhëna intriguese mbi arsyen pse ndodh kështu.

Ne nuk jemi të parët që kemi një qasje shkencore ndaj lidhjes midis konkurrencës dhe moralit. Megjithatë, testet individuale kanë dhënë rezultate të përziera, ndoshta për shkak të dallimeve tek përkufizimet dhe masat e moralit.

Disa nga rezultatet e hershme ishin provokuese, si për shembull zbulimi se njerëzit në konkurrencë midis tyre, kishin më pak gjasa të parandalonin ngordhjen e një miu. Megjithatë, këto rezultate ishin të vështira për t’u përsëritur ose interpretuar.

Një nga mënyrat për të llogaritur dallimet në hartimin e studimeve individuale, është të kryhet një “meta-analizë”, ku të vlerësohen dhe kombinohen rezultatet e shumë studimeve të ndryshme. Megjithatë, meta-analiza ka shpesh problemet e veta, pasi raportimi selektiv dhe paragjykimi i publikimit mund të ndikojnë se cilat studime janë të disponueshme për t’u përfshirë në analizë.

Për të pasur realisht disa rezultate të besueshme, ne shkuam një hap më tej dhe kryem një “meta-analizë prospektive”. Pjesa “prospektive” do të thotë që të gjitha studimet që do të përfshihen në analizë janë regjistruar përpara se të kryheshin. Kjo gjë parandalon zgjedhjen e rezultateve ose paragjykimet lidhur me llojin e rezultateve të publikuara.

Projekti ynë përfshinte 45 eksperimente të ndryshme të kryera nga ekipe në mbarë botën. Çdo ekip projektoi në mënyrë të pavarur një eksperiment për të testuar efektet e konkurrencës në moral. Më pas rezultatet e këtyre studimeve, të cilat përfshinin vëzhgime të më shumë se 18.123 pjesëmarrësve individualë, u grumbulluan dhe u analizuan.

Meta-analiza zbuloi se konkurrenca ka një efekt të përgjithshëm negativ në moral, por efekti është shumë i vogël. Efekti matet me një numër të quajtur Numri i Kohenit. Një vlerë prej 0.2 konsiderohet një efekt i vogël, dhe vlera që gjetëm ishte vetëm 0.1.

Siç edhe pritej, ne vumë re gjithashtu edhe një ndryshim thelbësor tek efektet e matura nga eksperimente të ndryshme. Disa ishin pozitive, disa negative, dhe madhësitë e efekteve ndryshonin. Pra, pavarësisht nga avantazhet e meta-analizës tonë të re të ardhshme, nuk ka ende prova të forta për një lidhje direkte të efektit të përgjithshëm të konkurrencës tek morali.

Ndoshta pyetja është shumë e përgjithshme. Djalli mund të fshihet tek detajet. Ekipi im (1 nga 45 grupet e përfshirë në meta-analizë), përdori një lojë me hamendje numrash midis dy njerëzve si një shembull të konkurrencës. Kjo u pasua nga një lojë individuale ndershmërie, e cila ishte njësia jonë matëse për efektet mbi moralin.

Ky eksperiment individual, pati një efekt të përgjithshëm negativ të vogël mbi konkurrencën (d = -0.1) njëlloj si meta-analiza, por ai nuk arriti të ketë ndonjë domethënien statistikore më vete. Nga ana tjetër, analiza eksploruese e rezultateve tona zbuloi një përparim të mundshëm.

Ne zbuluam se ishin vetëm humbësit e lojës me supozim numrash, ata që u bënë më të pandershëm, me një efekt më të madh (d = –0.34).

Nga ana tjetër, fituesit e fazës së konkurrimit, nuk shfaqën asnjë ndryshim në sjelljen e tyre në raport me ndershmërinë. Këto rezultate sugjerojnë një arsye pse konkurrenca nuk ndikon shumë tek morali. Ndoshta ai që korrupton është disavantazhi në një garë, dhe jo konkurrenca në vetvete. / The Conversation – Bota.al

Back to top button