Në rast se refugjatët trajtohen më shumë si një problem humanitar afatshkurtër, sesa si një sfidë e integrimit afatgjatë, atëherë rreziku më i madh është se myslimanët e radikalizuar evropianë, do ta shndërrojnë me kalimin e kohës në të dhunshëm komunitetin e refugjatëve sirianë
Nga Daniel L. Byman
“Brookings Institute”
Sirianë dhe irakianë janë duke iu larguar prej disa vjetësh luftrave civile të vendeve të tyre, por kriza e refugjatëve rrëmbeu titujt ndërkombëtarë muajin e kaluar, kur doli me forcë në skenën evropiane. Mbi 500 mijë azilkërkues sirianë, dhe mijëra irakianë kanë shkuar në Evropë që nga shtatori 2015, dhe ky numër pritet të rritet në mënyrë dramatike.
Disa qeveri evropiane reaguan ashpër, duke ndaluar hyrjen e refugjatëve dhe kufizuar kalimin e tyre tranzit, ndërsa të tjerët, veçanërisht Gjermania, po i mirëpresin krahëhapur – të paktën tani për tani. Debati mbi refugjatët, si në Evropë ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, shpesh fokusohet tek çështja e terrorizmit:me Shtetin Islamik që përdhunon gra dhe prêt periodikisht koka në Irak dhe Siri, ekziston frika se duke pranuar refugjatët nga kjo pjesë e botës, do t’i hapet dera më shumë akteve terroriste dhe të dhunës në Evropë.
Zërat konservatorë në Evropë, kanë deklaruar se kontinenti është duke u përmbytur nga “gjysmë milionë” luftëtarë të ISIS-it, ndërsa organizatat humanitare hedhin poshtë mundësinë e një epidemie të terrorizmit. Të dyja palët e kanë gabim. Shqetësimet rreth terrorizmit dhe refugjatëve janë legjitime, por frika që ato shprehin është zakonisht e tepruar, ndërsa shqetësimet e ngritura shpesh janë të gabuara.
Terrorizmi dhe refugjatët, ndajnë një histori të gjatë dhe të dhimbshme. Grupet të rëndësishme terroriste si Fatahu, Hamasi, dhe Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, u rritën nga kriza refugjatëve palestinezë të vitit 1948. U deshën vite, madje dekada, por përfundimisht refugjatët e frustruar dhe të politizuar, të cilët kishin pak mundësi për t’u integruar tek shoqëritë e tyre pritëse, iu bashkuan grupeve militante që premtonin çlirimin kombëtar.
Komuniteti i refugjatëve afganë në Pakistan, prodhoi talebanët. Refugjatët somalezë ndihmuan grupin terrorist Al-Shabab. Lista vazhdon. Për shkak se refugjatët janë nga Siria dhe Iraku, ku e ka bazën Shteti Islamik, është e lehtë për të ndjellur frikën se grupi xhihadist mund të ketë futur agjentë në mesin e refugjatëve, të cilët do të infiltrohen në shoqëritë pritëse dhe pastaj ngrenë kurthet e tyre.
Por ISIS-i nuk funksionon në këtë mënyrë. Në revistën e tij online “Dabiq” dhe organet e tjera propagandistike, ai bën apel për bashkimin e myslimanëve, në një kohë që shpërndan retorikën helmuese për myslimanët që ndodhen tashmë në vendin e mosbesimtarëve për të “sulmuar, vrarë, dhe terrorizuar kryqtarët në rrugët dhe shtëpitë e tyre”.
Megjithatë, Shteti Islamik argumenton, se shumë “myslimanë të mirë” duhet të udhëtojnë për në Irak dhe Siri, për të luftuar në emër të ISIS-it kundër armiqve të tij lokale, dhe jo anasjelltas. (Në të kundërt, Inspire, revista online në gjuhën angleze e Al-Kaidës në Gadishullin Arabik, paralajmëron fillimin e sulmeve terroriste në vendet ku ata jetojnë).
Shteti Islamik mund të bëjë thirrje për sulme në Perëndim, por ai i ka përqëndruar fondet, luftëtarët dhe kamikazët për të mposhtur armiqtë e tij në Lindjen e Mesme. Vetë refugjatët, që i ikin luftës dhe ekstremizmit, nuk janë mbështetës të fuqishëm të grupeve më të dhunshme:po të ishte kështu, ata ata do të kishin qëndruar në Irak apo Siri.
Por, Evropa tashmë e ka tanimë një problem me terrorizmin, dhe rreziku më i madh është se myslimanët e radikalizuar evropianë, do ta shndërrojnë me kalimin e kohës në të dhunshëm komunitetin e refugjatëve sirianë. Mijëra evropianë kanë shkuar për të luftuar me ISIS-in në Irak dhe Siri, dhe Al-Kaida ka kohë që ka një prani të madhe të celulave të saj në Evropë.
Këta vullnetarë mbështeten nga predikues radikalë, të cilët dënojnë idealet evropiane dhe mbështesin idenë që myslimanët të rrëmbejnë armët. Përveç kësaj, shumë myslimanë evropianë janë alienuar nga qeveritë dhe shoqëritë e tyre, duke besuar se si myslimanë ata kurrë nuk do t’i përkasin realisht asaj shoqërie.
Në rast se refugjatët trajtohen më shumë si një problem humanitar afatshkurtër, sesa si një sfidë e integrimit afatgjatë, atëherë ka të ngjarë ta shohim këtë problem të përkeqësohet. Radikalët do të jenë në mesin e atyre që japin mbështetje fetare, arsimore, dhe sociale për refugjatët – duke krijuar probleme aty ku nuk kanë ekzistuar.
Në fakt, refugjatët kanë nevojë për një paketë gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, që përfshin të drejtat politike, mbështetje arsimore, ndihmë ekonomike, si dhe ndihma të menjëhershme humanitare, veçanërisht nëse pranohen në një numër të madh. Nëse s’mund të integrohen tek komunitetet lokale, atëherë ata rrezikojnë të nxisin tensionet ndërmjet komuniteteve myslimane dhe jomyslimane edhe në Evropë.
Pavarësisht mirënjohjes së tyre aktuale për mikëpritjen në Evropë, me kalimin e kohës refugjatëve mund të mos u njihet shpejt e drejta e votës dhe të margjinalizohen. Ne e kemi parë këtë film edhe më parë parë, ku zemërimi dhe pakënaqësia acarohet, duke krijuar “komunitete të dyshimta” që nuk bashkëpunojnë për zbatimin e ligjit dhe me agjencitë e sigurisë, dhe që lejojnë terroristët të rekrutojnë dhe operojnë me ndërhyrjet më të vogla.
Rreziqet aktuale të sigurisë tashmë janë të pakta, por ato të mundshme janë të konsiderueshme, në rast se kriza e refugjatëve menaxhohet keq. Policimi, ofrimi i shërbimeve, dhe qeverisja lokale në përgjithësi duhet të sigurohet për një përiudhë afat të gjatë.
Gjëja më e keqe që mund të bëjnë vendet evropiane, do të ishte të fitonin simpatinë e qindra mijëra refugjatëve dhe që pastaj e humbin interesin apo bëhen armiqësorë, duke i lënë pa mbështetje dhe i përgojuar politikisht, dhe krijuar kësisoj një profeci vetë-përmbushëse.
- Shënim: Daniel Byman është drejtor i kërkimeve dhe studiues në Qendrën për Politikat e Lindjes së Mesme në Brookings. Libri i tij më i fundit është “Al Kaeda, Shteti Islamik, dhe Lëvizja xhihadiste Globale:Gjithkush që duhet të dini”.
“Brookings Institute” – Bota.al