nga Ian Buruma
Një bust i bronztë i Uinston Çërçillit, i shfaqur në Shtëpinë e Bardhë qysh prej viteve gjashtëdhjetë, ka qenë objekt i vazhdueshëm lajmesh të rreme, nga ana e krahut të djathtë në Uashington. Thuhet se, kur Presidenti Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë, ai e ktheu bustin në Ambasadën britanike, gjë që supozohet se ishte një shfaqje e urrejtjes së tij për Britaninë. Në fakt, Obama nuk e bëri një gjë të tillë. Busti ndodhet ende në Rezidencën e Shtëpisë së Bardhë, aty ku ka qenë gjithmonë, përveçse për një kohë të shkurtër në kohën e presidencës së Bushit, kur po riparohej.
Por Obama mund të kish bërë mirë po ta hiqte bustin. Kulti i Çërçillit, në tërësinë e tij, nuk ka qenë dhe aq dobiprurës për Shtetet e Bashkuara. Shumë presidentë amerikanë, e shohin veten si trashëgimtarë të vërtetë të Çërçillit. Bushi kishte një kopje të bustit të Çërçillit, që ia kish dhënë Toni Bleiri, në Zyrën Ovale. Atij i pëlqente të shfaqej si “president lufte”, një “vendim-marrës” dhe një “udhëheqës i madh”, si Çërçilli. Ai kishte një shije për veshje betejash. Dhe e futi vendin e tij në një luftë shumë të marrë.
Miku britanik i Donald Trumpit, Nigel Farage, ish udhëheqës i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, sugjeroi që Trumpi duhet ta rikthejë bustin e bronztë në Zyrën Ovale. Trumpi mendoi se kjo ishte një ide e shkëlqyer.
Trumpi është figura më pak e përshtatshme që të shfaqet si i ngjashëm me Çërçillin. Për aq sa ai ka një pozicion koherent për gjërat, Trumpi është armiqësor ndaj gjithçkaje në të cilën besonte Çërçilli. Qëndrimi i tij “Amerika e para”, e shkëputur pra nga aleatët perëndimorë, është ekzaktësisht lloji i sjelljes, kundër të cilës Çërçilli dhe Ruzëvelti luftuan, për t’i bërë ballë Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit.
Në muajt e verës përpara sulmit japonez në Pearl Harbor, 75 vjet më parë, Çërçilli dhe Ruzëvelti u takuan në Gjirin e Placentias, në Njufaundlend, për të parashtruar idealet e tyre të një bote të pasluftës. Karta e Atlantikut që rezultoi nga ai takim, përfshinte gjithçka ndaj të cilave Trumpi duket se është kundër: barriera më të ulëta tregtare, bashkëpunim ekonomik dhe përparimin e shtetit social.
Kur Hitleri u mund, Çërçilli ishte gjithmonë një mbështetës i bashkimit të Europës, edhe pse ai mbeti jo shumë i qartë mbi rolin e Britanisë në unionin e ardhshëm. Fushata e Farage për Brexit, shpesh herë duke risjellë retorikën e Çërçillit në kohën e luftës, mbi “orën më të mirë të Britanisë në mbrojtjen e lirisë kundër tiranisë”, synonte rrëzimin e po atij projekti, të cilin Çërçilli e mbështeste aq fort.
“Marrëdhënia speciale” mes SHBA dhe Britanisë, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ishte asnjëherë aq e rëndësishme sa Çërçilli dhe të tjerët do të donin të besonin. SHBA, si fuqia dominuese e pasluftës, ndoqi interesat e saj, u pëlqente apo jo britanikëve. Dhe krenaria e britanikëve, për të qëndruar të vetëm kundër Gjermanisë naziste, si dhe ideja vetëzmadhuese e të qënit partner special i Amerikës, e ka penguar Mbretërinë e Bashkuar që të luajë me forcë të plotë kartën e të qënit një fuqi madhore brenda BE-së.
Udhëheqësit amerikanë ndonjëherë i thurin lavde marrëdhënies speciale, për t’u bërë qejfin kryeministrave britanikë që vizitojnë Uashingtonin, apo për të afruar Mbretërinë e Bashkuar në aventurat e dyshimta ushtarake. Flitet që në epokën e Trumpit dhe Brexit-it, marrëdhënia do të rigjallërohet. Ndërkohë që Obama paralajmëroi se dalja e Britanisë nga BE do ta shpinte atë nga fundi i radhës së marrëveshjeve tregtare speciale, Kryetari i Kongresit Paul D. Ryan kohët e fundit deklaroi se SHBA duhet të përfundojë me shpejtësi një marrëveshje të re me Britaninë, për të treguar “solidaritet” me një “aleat të domosdoshëm”.
Një ndjeshmëri e veçantë amerikane për Britaninë e larguar nga BE – Trump çuditërisht e quajti veten “Mr. Brexit “- në të vërtetë tregon solidaritetin e të dy vendeve, për të vazhduar të ecin përpara me format e tyre të nacionalizmit ekonomik. Përsëri, kjo është ekzaktësisht rruga që Çërçilli dhe Ruzëvelti kërkuan të shmangnin; në fund të fundit, nacionalizmi ekonomik ishte një nga arsyet pse evropianët pothuajse ia dolën që të shkatërronin kontinentin e tyre.
Sigurisht, dashuria e Trumpit për Brexit mund të jetë vetëm një çështje fjalësh, ashtu si shumë gjëra të tjera të Trumpit. Është e vështirë të imagjinohet SHBA të rrezikojë interesat e veta ekonomike, për të favorizuar Britaninë, në kurriz të gjërave shumë më të mëdha që janë në lojë, në pjesën tjetër të Evropës.
Por fjalët kanë rëndësi, si e dinte mirë edhe Çërçilli. Përsëri, retorika e Trumpit dhe mbështetësve të tij, si dhe e mbështetësve të Brexit, nuk mund të ishte më larg nga fryma e Kartës së Atlantikut. Fjalimet për bankierë të ligj ndërkombëtarë dhe të tjerë “qytetarë të askundit” (fraza të Kryeministres britanike, Theresa May-it) mbajnë aromën e propagandës antisemite që vërtitej përreth Evropës në vitet 1930. Dhe përgjigja e Çërçillit për flirtimet e Trumpit dhe të djathtëve ekstremë evropianë, me Rusinë e Vladimir Putinit mund të imagjinohet lehtë.
Asnjë nga këto nuk do të thotë se Çërçilli kishte gjithmonë të drejtë, lëre më të jetë një figurë për t’u matur. Ai ishte njeriu i duhur në vitin 1940 për të ngritur moralin britanik, kur morali ishte pak a shumë e vetmja gjë që britanikëve u kish mbetur. Por ai nuk është një model i mirë për politikanët në kohëra më pak të rrezikshme. Pikëpamjet e tij të sundimit kolonial ishin tashmë të vjetëruara para luftës, dhe u bënë një anakronizëm racist pas saj. Idetë e tij romantike në lidhje me superioritetin moral të popujve anglisht-folës ishin të dala mode që gjatë jetës së tij, dhe janë sot një absurditet arrogant.
Por Çërçilli nuk ishte as i vogël e as provincial. Vizioni i tij, të paktën për aq sa i takon botës perëndimore, mund të ketë qenë romantik, por ai kishte një fisnikëri të caktuar. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për banorin e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë. Ideja e Trumpit, këshilluar nga Farage, që të përdorë kokën e bronztë të Çërçillit si një totem, do ta kishte tmerruar plakun Çërçill.
www.bota.al ka të drejtën ekskluzive të përkthimit dhe botimit të këtij komenti në gjuhën shqipe. Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Abusing Churchill