Letersi

“Acari” poezia e trishtë e Aleksandër Pushkin mbi dhimbjet e një skllavi nën acarin e dimrit…

Atje ku vapa djeg si zjarri
në trojet tharë e bërë prush
I tmerrshëm vigjëlon acari
Në shkretëtirën e pafund.

Natyrë e stepave pa jetë
E polli në një ditë inati
Me vdekje dhe farmak të shkretë
Kurorën, rrënjët ia spërkati.

Kur dielli djeg përmbi djerinë
Nga korrja rrjedh farmaku i shkrirë
Pastaj rrëshira nis e ngrin
Kur mbrëmja vjen me ftohtësirë.

Atje as zogu s’fluturon
As tigri s’shkon, tufan i zi
Te pemë e vdekjes seç gjëmon
Dhe ikën larg me mort në gji.

Kur retë udha ndodh t’i shpjerë
Përmbi kurorën e dremitur
Nga degët helmi nis të bjerë
Si shi mbi rërën e zhuritur…

Njeriu urdhëroi njerinë
Të vinte tek acari plak
Kur rrezet e agimit ndrinë
Ai u kthye me farmak.

Rrëshirë pru prej koreve
Dhe një degëz të ronitur
Dhe djersë e ftohtë si rrëke
I rridhte ballit të venitur

I pruri dhe u lig, u shtri
Pa hyrë në kasolle dot
Dhe vdiq i gjori skllav fatzi
Atje nën këmbët e të zot

Rrëshirën mori princi e shkoi
Në helm e ngjeu çdo shigjetë
Dhe fqinjëve vdekjen ç’u dërgoi
Përtej kufirëve të vet.

Leave a Reply

Back to top button