Mathias Rust
Chloe Hadjimatheou, BBC
Më 1987-n, një adoleshent nga Gjermania Perëndimore tronditi botën duke udhëtuar përmes mbrojtjeve kundërajrore të Bashkimit Sovjetik dhe duke e ulur aeroplanin e tij Cessna në Sheshin e Kuq, në Moskë. Ai u burgos për më shumë se një vit, por 25 vjet më vonë nuk është penduar për çfarë bëri.
Pikërisht 25 vjet më parë, Ministria e Jashtme e Bashkimit Sovjetik njoftoi se ka refuzuar një lutje nga një adoleshent gjerman për faljen e dënimit të tij me burg.
Mathias Rust, vetëm 19 vjeç, arriti të fluturojë krejt i vetëm për më shumë se 750 kilometra përmes çdo sistemi mbrojtës të Bashkimit Sovjetik me një aeroplan me një motor të cilin e uli në dyert e Kremlinit.
Ideja i kishte lindur atij një vit më parë, ndërsa shikonte televizor në shtëpinë e prindërve ku jetonte në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore. Një samit mes presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Rekjavik, pati përfunduar pa sukses. Adoleshenti i pasionuar pas politikës dëshironte të bënte diçka të mirë.
“Mendoja se çdo qenie njerëzore në këtë planet është i përgjegjshëm për të arritur progresin dhe unë po kërkoja për një mundësi për të bërë pjesën time”, thotë ai.
Rust sakaq kishte një licencë piloti dhe 50 orë udhëtimi në ajër kur i ra në mend të përdorte aftësinë e tij në këtë fushë.
“Fillova të mendoj se mund të përdorja aeroplanin për të krijuar një urë imagjinare mes Perëndimit dhe Lindjes për të treguar se shumë njerëz në Europë dëshironin përmirësimin e marrëdhënieve mes dy botëve tona”, thotë ai.
Shumë adoleshentë idealistë kishin fantazi të ngjashme për të sjellë paqen botërore përmes kryerjes së akteve të guximshme. Dallimi ishte që Rust eci përpara me planin e tij.
Më 13 maj 1987, ai u tha prindërve se po shkonte në një turne në Europën Veriore me aeroplanin e tij Cessna, në mënyrë që të realizonte orët e nevojshme të udhëtimit për të siguruar licencën si pilot profesionist.
Ndalimi i tij i parë u krye në një ishull në Skoci, pastaj në ishujt Faroe. Ai kaloi një natë në secilin destinacion. Më pas shkoi në Rekjavik të Islandës e vijoi në Bergen në Norvegji. Më 25 maj mbërriti në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki.
Ai kaloi shumë ditë atje duke u përpjekur të vendosë nëse realisht e kishte kurajën për të vijuar me planin e tij. Kishte shumë arsye të ndihej nervoz.
Bashkimi Sovjetik kishte sistemin më të madh të mbrojtjes ajrore në botë. Pesë vjet më herët, një aeroplan civil nga Koreja e Jugut u qëllua dhe u rrëzua pasi kishte qëndruar mbi hapësirën ajrore sovjetike, duke shkaktuar vdekjen e 269 vetëve.
“Natyrisht që kisha frikë se do të vdisja”, rikujton Rust. “Po llogarisja se nëse ishte me të vërtetë e përgjegjshme dhe e arsyeshme të merrej përsipër një rrezik i tillë. Në fund dola në përfundimin se duhej të rrezikoja.”
Mëngjesin e 28 majit, ai u tha kontrolluesve të trafikut ajror në Helsinki se po nisej për në Stokholm të Suedisë. Edhe në këtë pikë nuk ishte tërësisht i sigurt se do t’i shkonte në fund planit.
“E mora vendimin final gjysmë ore pas nisjes. Thjesht ndryshova drejtim në 170 gradë dhe u nisa për në Moskë”, thotë ai.
Në Helsinki, operatorët e kontrollit ajror filluan të shqetësohen. Rust kishte marrë drejtimin e gabuar dhe pas pak u zhduk nga radarët e tyre para se të arrinin të lidheshin me radio.
Një kërkim me përmasa të mëdha u krye nga roja bregdetare finlandeze dhe kur një sasi nafte u dallua në sipërfaqen e detit, zhytësit u thirrën për të kërkuar për mbetjet e avionit.
Ndërsa ata po kërkonin për të, Rust po shtrëngonte timonin e avionit ndërsa kaloi në hapësirën ajrore sovjetike mbi Estoni. Brenda pak minutash kapet nga një radar sovjetik dhe më pak se një orë më vonë, një avion ushtarak MiG i afrohet.
“Ai kaloi në anën time të majtë aq pranë, sa arrita të shoh dy pilotë të ulur në pozicionet e komandimit dhe natyrisht pashë edhe yllin e kuq në krahun e aeroplanit.”
Rust u tmerrua, por në vend që ta sulmonin, avioni kaloi dhe u zhduk në re. Kombinimi i fatit të pabesueshëm dhe gabimeve njerëzore i dha mundësi avionit të Rust të pranohej gabimisht si një avion joarmik.
Një ditë më parë kishte pasur një rrëzim avioni në zonë dhe po kryhej ndërkohë një operacion shpëtimi. Avioni që i kaloi pranë ishte duke stërvitur një pilot të ri dhe të gjitha këto sollën konfuzion në qendrat e kontrollit ajror.
Në një farë mënyre, Rust ia doli të fluturojë për qindra kilometra nëpër hapësirën ajrore sovjetike deri në kryeqytet, pa pasur kontakte të reja me forcat mbrojtëse të Bashkimit Sovjetik. “As nuk mund ta besoja se mbijetova”, kujton ai.
“Unë kisha llogaritur në atë kohë se shanset e mbijetesës qenë 50 me 50 dhe pasi mbërrita në destinacion, e dija se isha tek ana me fat.”
Por lehtësimi i tij kur pa kullat dhe kupolat e Moskës u zhduk menjëherë kur kuptoi se ulja do të ishte shumë e vështirë. Ai dëshironte ta ulte avionin në Sheshin e Kuq, në mënyrë që të bënte një deklaratë të madhe, por vendi i uljes ishte përplot me njerëz.
Në terren, qytetarët sovjetikë ndaluan dhe panë lart të habitur, ndërsa avioni i vogël i bardhë bënte xhiro vetëm dhjetë metra mbi tokë. Më në fund Rust dalloi një urë me katër korsi pranë katedrales së Shën Basilit dhe bëri një xhiro të fundit para se të ulej aty.
Më vonë, kur u mor në pyetje nga policia e Moskës, ai mësoi se ura ishte zakonisht e mbuluar me kabllo të mëdhenj, të cilët do ta kishin bërë uljen të pamundur. Fati desh që kabllot të ishin hequr pikërisht atë mëngjes për mirëmbajtje.
“Policia supozoi se kisha bashkëpunëtorë në Moskë dhe se gjithçka ishte e koordinuar në mënyrë që unë të isha në gjendje të ulesha”, tha Rust.
Rreth orës 19:00, ndërsa dielli po perëndonte, Rust e uli avionin e tij në shesh dhe doli nga ai për të përshëndetur turmat që u mblodhën përreth tij.
Ata deshën të dinin se nga ishte ky djalosh i huaj dhe se si kishte ardhur deri aty.
“Jam këtu me një mision paqeje nga Gjermania”, u tha Rust atyre.
Kur ata i shtrënguan dorën, të lumtur se po takonin një aleat, ai u shpjegoi se në fakt kishte ardhur nga “Gjermania tjetër”, ajo Perëndimore, jo Gjermania Lindore komuniste siç e kishin imagjinuar ata.
Dr. Robin Stott, një mjek britanik që rastisi në Moskë si pjesë e një grupi presioni kundër armëve bërthamore, po kalonte kohën jashtë një konference kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë për të parë qytetin, kur Rust e uli avionin pikërisht para syve të tij.
“Ishte një gjë e jashtëzakonshme. Askush nuk kishte ndonjë ide se çfarë po ndodhte”, kujton ai. “Të gjithë përreth tij qenë të habitur; edhe shërbimet e sigurisë vijuan të thoshin se çfarë djali guximtar ishte.”
Por sapo policia e mori veten nga habitja dhe zbuloi se një avion i paautorizuar ishte ulur në dyert e Kremlinit, Rust u arrestua. Ai kaloi shtatë orë duke u përpjekur të bindte autoritetet se kishte vepruar vetëm dhe se nuk ishte pjesë e ndonjë komploti dashakeq të organizuar nga qeveritë e huaja.
Në Kremlin pati tronditje dhe shumë fytyra të skuqura kur përmasat reale të aksidentit poshtërues u bënë të ditura. Por ka shumë gjasa që Presidenti Gorbaçov kuptoi se ai mund ta përdorte këtë mundësi për të zbatuar planin e tij për të hequr qafe zyrtarët ushtarakë që besonte se po e pengonin në axhendën e reformave.
Brenda pak ditëve, ministri i Mbrojtjes u detyrua të dalë në pension, ndërsa kreu i mbrojtjes ajrore u pushua nga puna. Përgjatë muajve të ardhshëm, më shumë se 150 vetë humbën vendet e punës.
Rust u akuzua dhe pranoi fajësinë për dhunimin e rregullave të fluturimeve ndërkombëtare, kapërcim ilegal të kufirit sovjetik dhe “huliganizëm dashakeq”. Gjykatësi e dënoi me katër vjet burg në një kamp pune për atë që e cilësoi si një “akt aventurizmi”.
Pavarësisht se u lejua të kalojë dënimin e tij në burgun Lefortovo në Moskë, Rust e mori dënimin shumë keq.
“Ishte veçanërisht e rëndë për mua, kur vetëm 19 vjeç u mbylla për 23 orë në ditë në një dhomë. Kisha shumë vështirësi në ngrënie dhe humba shumë peshë”, thotë ai.
Pastaj, më 1988-n, pas nënshkrimit të traktatit të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë nga Reagan dhe Gorbaçov, Rust u lirua si një gjest i vullnetit të mirë. Ai kishte kaluar 14 muaj në burg.
Fluturimi i Rust u pa aq i pabesueshëm nga banorët e Moskës, sa hyri nëpër kulturën popullore. Për një copë herë, Sheshi i Kuq u thirr me shaka si Sherementievo 3, pasi aeroportet e Moskës kishin emrin Sherementievo 1 dhe 2.
Brenda një viti pas kthimit në Hamburg, Rust theri një koleg në një spital ku po punonte dhe hyri sërish në burg. Sot ai e nxjerr jetesën duke punuar si analist financiar dhe instruktor joge.
Ai thotë se nuk është penduar për çfarë ndodhi dhe beson se i dha një dorë Gorbaçovit të përparojë me reformat e tij.
“Jam shumë i bindur se i mundësova atij të vijojë Perestrojkën dhe Glasnostin shumë më shpejt nga sa do të mund ta bënte pa mua.”
Udhëtimi
1. Niset nga Helsinki në drejtim të Stokholmit dhe fik transponderin
2. Ndryshon drejtim pranë qytetit finlandez të Numelas.
3. Kalon pas një pike radari për të shmangur avionët ushtarakë.
4. Kalon liqenin Seliger, një qendër turistike verore.
5. Kapet nga radari në Torzhok.
6. Kalon përmes “unazës së çelikut”, një sistem mbrojtës kundër avionëve i vendosur për të ruajtur Moskën në rast lufte botërore dhe drejtohet nga katedralja e Shën Basilit, duke u ulur pranë Sheshit të Kuq.
Avioni Cessna 172 Skyhawk
Është një avion i prodhimit masiv shumë popullor dhe i lehtë. Rust e mori atë avion nga një klub fluturimi për tri javë.
Me katër vende uljeje dhe i pajisur me serbator karburanti ekstra, autonomia iu rrit nga 324 kilometra në 1389 kilometra.
Pajisjet shtesë përbëheshin nga hartat, një çantë gjumi, një sasi vaji për motorin, një jelek shpëtimi nga mbytja, si dhe një kaskë motori.
Varianti i fundit kushton 307 mijë dollarë.
Udhëheqësit sovjetikë, të tronditur
Rust e kapërceu sistemin e mbrojtjes ajrore të Bashkimit Sovjetik, që kishte 2250 avionë dhe 10 mijë raketa tokë-ajër.
Udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbaçov, mban një takim urgjent të Byrosë Politike, kritikon zyrtarët e mbrojtjes ajrore për mungesë vëmendjeje dhe vendosmërie.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Sokolov, detyrohet të dalë në pension, shefi i mbrojtjes ajrore, Alexander Koldunov, shkarkohet.
Rreth 150 oficerë lëvizen nga poste drejtuese.
Deklarata
“Jam me një mision paqeje nga Gjermania”
Mathias Rust
Sheshi i Kuq, Maj 1987 /Shqip