Kinema & TV

Agjentë të Mossadit, spiunë dhe kërcënime: Kështu Weinstein i bënte të heshtnin viktimat

Dy agjenci ndërkombëtare hetimi, agjente të Mossadit, që bënin gjoja sikur ishin aktiviste të të drejtave të grave, para dhe kërcënime. Është rrjeti që Harvey Weinstein ka ndërtuar rreth vetes në këto vite, duke u përpjekur të heshtë këdo që ishte gati ta akuzonte për ngacmime seksuale.

E ka rrëfyer Ronan Farrow, gazetar dhe biri i Mia Farrow dhe Woody Allen, i cili kishte premtuar zbulime të reja rreth producentit, që përfundoi në qendër të skandalit. Zbulime që kanë ardhur. Dhe hapin Kutinë e Pandorës në atë rrjet mbrojtës që Weinstein, falë burimeve të jashtëzakonshme ekonomike, krijoi rreth tij, për të mos lejuar që të dilnin në dritë ngacmimet dhe abuzimet, për të cilat ishte krenar.

Dy agjencitë e hetimit

Farrow flet për një sistem të vërtetë për të heshtur viktimat, që ishin të gatshme të akuzonin producentin amerikan: Weinstein, shkroi ai, kishte gazetarë të paguar, ish spiunë, agjente të Mossadit, të cilat përdornin identitete të rreme për të patur kontakt me gratë që donin të akuzonin atë për ngacmime. Gjithça fillon në vjeshtën e vitit 2016, kur prodhuesi vendos të “mbyllë gojën” e grave që duan të raportojnë publikisht dhunën dhe ngacmimet. Për këtë ai punëson dy agjenci hetuese shumë të famshme, gjigandët Kroll dhe Black Cube, të drejtuar nga ish oficerë të Mossadit dhe agjentë izraelitë të inteligjencës.

Takimi me Rose McGowan

Dy hetues privatë të Black Cube, me identitet të rremë, takojnë atë që do të bëhet akuzuesja e parë e Weinstein, Rose McGowan. Njëra prej tyre, një grua shtiret si avokate në fushën e të drejtave të grave. Për muaj të tërë regjistron biseda me aktoren, në të paktën katër takime mes të dyjave. Është e njëjta detektive, me një tjetër identitet të rremë, që flet me gazetarët duke u shtirur si viktimë e Weinstein. Në raste të tjera ka pasur gazetarë, në listën e pagave të producentit, të cilët i pyesnin viktimat me qëllim që të kuptonin se cilat ishin akuzat e përgatitura kundër tij.

Agjentja me identitet të rremë

Qëllimi ishte për të parandaluar atë që më vonë botoi “New York Times”, e para që shkroi për abuzimet. Në disa raste, me gratë e përfshira merreshin direkt avokatët e Weinstein, duke përfshirë David Boies, i cili përfaqësoi Al Gore në vitin 2000, në garën e tij për presidencën amerikane.

Ishte pikërisht Boies thotë Farrow, që firmosi kontratën me Black Cube. Në vitin 2017, në muajin maj, një grua me emrin Diana Filip kontakton me McGowan dhe e bind atë se ajo është duke filluar një iniciativë, për të luftuar diskriminimin kundër grave në vendin e punës. Të dyja takohen shumë herë, madje duke folur për Weinsteinin. Gruaja, në fakt një punonjëse e Black Cube, bëhet shumë këmbëngulëse, kontakton edhe Farrown, për të ditur se çfarë akuzash mund të ngrihen kundër producentit. “Diana Filip” doli të jetë një emër i rremë, përdorur nga një ish-agjente e Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Një gazetar tjetër njoftoi se e kishte takuar atë.

Dosja për viktimat

Në një vit pune, hetuesit dhe agjentët e posaçëm të paguar nga Weinstein kishin përpiluar informacion mbi dhjetëra njerëz: profilet personale, jetën private, detajet e marrëdhënieve seksuale të tyre. Material që duhej të shërbente për të diskredituar ose heshtur viktimat e Weinstein dhe ata që ishin në dijeni të mënyrës së tij të operimit. Black Cube, nga ana e saj, nuk ka komentuar punën për producentin, duke thënë se “është në politikën e korporatës, që të respektojë privatësinë e klientëve dhe kurrë të mos konfirmojnë ose mohojnë ndonjë spekulim”. / Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button