Bota

Agonia e negociatave diplomatike mbi Sirinë

syria

Nga Zachary Laub

Ndërsa lufta në Siri po hyn gradualisht në vitin e gjashtë, fuqitë e mëdha në të dyja anët e konfliktit, kanë mbështetur përpjekjet e OKB-së për të ndërmjetësuar midis qeverisë dhe opozitës. Por bisedimet e planifikuara fillimisht për në 25 janar në Gjenevë, janë të rrezikuara nga mosmarrëveshjet se kush do ta përfaqësojë opozitën.

Analisti i njohur Filip Gordon, thotë se pengesa më themelore për të negociuar një zgjidhje, është mosmarrëveshja mbi të ardhmen e presidentit sirian Bashar Al-Asad. Në një intervistë për “Council Of Foreign Affairs”, ai thotë se diplomatët amerikanë po synojnë të gjejnë një rrugë të mesme, midis ekstremeve të ndryshimit të menjëhershëm të regjimit dhe mosndryshimit të tij. Zoti Gordon ka qenë më parë ekspert mbi politikën ndaj Sirisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Çfarë i vështirëson negociatat për dhënien fund të konfliktit në Siri. Dhe çfarë shpreson të arrijë OKB-ja?

OKB-ja mund të shtyjë mbajtjen e bisedimeve të bisedimeve të paqes mbi Sirinë, për shkak të mungesës së marrëveshjes se kush duhet të përfaqësojë opozitën. Këto bisedime u thirrën për nga Grupi Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë, një grupim prej 17 vendesh dhe organizatash ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Iranin, Rusinë dhe të tjerët.

Qëllimi i tyre është të ulin në një tryezë regjimin dhe opozitën, për të negociuar një armëpushim dhe tranzicionin politik në Siri. Por, për aq kohë nuk ka një marrëveshje se cilët duhet ta përfaqësojnë opozitën, një takim i tillë është i pamundur të ndodhë. Një opsion alternativ mund të jenë bisedimet mes përkrahësve të palëve në terren, në të cilat regjimi dhe opozita mund të jenë të pranishëm, por nuk e takojnë direkt njëri-tjetrin.

Cilat janë dinamikat dhe ndërlikimet në zgjedhjen, se cilët do të përfaqësojnë një opozitë shumë të gjerë dhe të përçarë?

Ka ende një konglomerat grupesh konkurruese opozitare brenda Sirisë, të cilat sponsorizohen nga aktorë të ndryshëm të jashtëm, dhe që kanë axhendat e tyre. Dhjetorin e shkuar pati një konferencë mes krerëve opozitarë, të organizuar nga Arabia Saudite, e cila është duke u përpjekur të marrë rolin udhëheqës në këtë çështje.

Sauditët arritën të bëjnë bashkë një gamë të gjerë të aktorësh të ndryshëm, duke përfshirë edhe disa prej atyre që kanë shumë mbështetje të jashtme, por që kanë ende një rrugë të gjatë nga të qenit në gjendje të flasin me një zë. Al-Nusra e lidhur me Al-Kaedën dhe kurdët e Njësitë së Mbrojtjes së Popullit (YPG) janë të përjashtuar, ndërsa një grup tjetër kryesor, salafistët e Ahrar Al-Sham, mori pjesë por refuzoi të firmosë deklaratën përfundimtare.

Të gjithë aktorët e jashtëm kanë grupet e tyre të preferuara opozitare, si dhe grupet që ata nuk janë të gatshëm të tolerojnë. Ata në rajon, që janë më të vendosur për ta rrëzuar Asadin, janë të hapur për përfshirjen e grupeve ekstremiste opozitare si Ahrar Sham, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe disa evropianë besojnë se kjo organizatë është shumë e afërt me Al-Nusran.

Turqia është mbështetëse e përfaqësimit të turkmenëve në bisedime, dhe e shqetësuar rreth grupeve kurde. Sauditët dhe turqit nuk duan të lejojnë elementë të opozitës, që janë më në favor të regjimit aktual sirian për të luajtur një rol të madh, ndërsa Rusia dhe Irani nuk do të insistojnë që regjimi të marrë pjesë në bisedime, nëse nuk janë të pranishme shumica e grupimeve opozitare. Dallimi thelbësor ndërmjet fuqive të jashtme, është se Rusia dhe Irani janë të vendosur për të ruajtur regjimin e Asadit, ndërsa Arabia Saudite, Turqia, Katari për ta hequr qafe këtë të fundit sa më shpejt të jetë e mundur.

Shtetet e Bashkuara, janë përpjekur për të parë nëse ka ndonjë rrugë të mesme, për shembull duke vendosur një afat konkret për largimin e Asadit, ose reduktimin e kompetencave të presidentit dhe fuqizimin e një qeverie kalimtare, deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Deri më tani, ka qenë e pamundur të kapërcehet hendeku mbi çështjen më përçarëse nga të gjithë, që është e ardhmja e Asadit.

Çfarë llogaritjesh qëndrojnë prapa mbështetjës së Iranit dhe Rusisë për regjimin? Cilat do të jenë kërkesat e tyre minimalisht të pranueshme në një zgjidhje?

Rusia dhe Irani janë fort të angazhuar për ruajtjen e regjimit, për arsye të ndryshme. Rusia para së gjithash, e urren në përgjithësi ndryshimin e regjimeve. Moska e kundërshton me forcë idenë, që kur njerëzit janë të pakënaqur me diktatorin e tyre lokal, ata mund të rrëmbejnë armët dhe pastaj vendet perëndimore t’u vijnë në ndihmë për të përmbysur regjimin.

Ata e kanë kundërshtuan këtë në Gjeorgji, Ukrainë, Libi, dhe Azinë Qëndrore, dhe janë të vendosur të mos e lejojnë që kjo të ndodhë në Siri. Rusët janë të frikësuar se nëse regjimi i Asadit do të bjerë, ai do të zëvendësohet jo nga moderuarit, por nga një kaos i ngjashëm me Afganistanin apo Somalinë e sotme, apo që grupet ekstremiste islamike do të vijnë në pushtet, çka prej rusëve perceptohet si një kërcënim i madh.

Rusët gjithashtu duan të ruajnë bazën e tyre të vetme detare në Mesdhe në Tartus, dhe për të treguar rëndësinë e tyre si një fuqi gjeopolitike, veçanërisht në një kohë kur ekonomia e tyre po vuan për shkak të sanksioneve perëndimore mbi Ukrainën dhe çmimit në rënie të naftës. Nga ana tjetër, Irani ka një interes strategjik në Siri, kryesisht për shkak se kjo e fundit siguron një urë tokësore kalimi për përkrahësit e saj në Liban.

Prandaj ka ofruar shuma të mëdha parash për të mbështetur regjimin si dhe angazhuar Hezbollahun në mbështetje të Asadit. As rusët dhe as iranianët, nuk janë në vetvete shumë të dhënë pas Asadit. Nëse gjendet një mënyrë për të hequr qafe presidentin sirian dhe ata përreth tij, por duke ruajtur institucionet e regjimit në vend, rusët dhe iranianët mund të japin miratimin e tyre. Por ata refuzojnë ta rrëzojnë presidentin sirian, pasi kanë dyshime nëse ka ndonjë alternativë që mund të ruajë regjimin dhe interesat e tyre. Ata gjithashtu dyshojnë se edhe nëse kjo do të ndodhte, opozita do të ndalonte luftën e saj.

Irani ka paralajmëruar fillimin e zbatimit të marrëveshjes për programin e tij bërthamor më shpejt se sa pritej. A mund të presim që roli i Teheranit në raport me krizën siriane të ndryshojë?

Ka pak shenja se Irani është i gatshëm të ndryshojë mbështetjen e tij thelbësore për Asadin. Çfarëdolloj perspektive për bashkëpunim, që mund të vijë zbatimi i marrëveshjes bërthamore, ka të ngjarë të balancohet nga rritja e tensioneve mes Iranit dhe Arabisë Saudite, mbi ekzekutimin kohët e fundit të një një kleriku të shquar shiit.

Kjo ishte pjesërisht, një mënyrë e Arabisë Saudite për të dërguar mesazhin, se vetëm për shkak se ajo është tanimë e gatshme për t’u ulur në të njëjtën tryezë me Iranin mbi Sirinë, nuk po kërkon ndërkolhë të bëjë kompromis me Tereranin. Riad ndërkaq mund t’i ketë fryrë qëllimisht flakëve të sektarizmit, për të vërtetuar rolin e tij si mbrojtës i myslimanëve sunitë, dhe nxitur ekstremistët në zgjedhjet e ardhshme në Iran, me qëllim pengimin e perspektivës së afrimit të mëtejshëm mes Teheranit dhe Uashingtonit. Për sa kohë ka një mungesë të tillë themelore marrëveshjeje mes Arabisë Saudite dhe Iranit, është e vështirë të shihet se si mund të arrihet në një një marrëveshje diplomatike mbi Sirinë.

Cilat janë llogaritjet që bën administrata Obama? Duket se Uashingtoni është kryesisht i shqetësuar në ruajtjen e një koalicioni të gjerë në luftën kundër Shtetin Islamik…

Shtetet e Bashkuara, besojnë se ISIS-it nuk mund të përballet në mënyrë efektive, nëse nuk ka një tranzicion politik në Siri, për shkak se janë bombardimet e përditshme të Asadit mbi opozitën, vrasja e një pjesë të vetë popullit të tij, ato që kanë radikalizuar kaq shumë myslimanë jo vetëm në Siri, por edhe përtej, duke bërë që disa prej tyre të bashkohen me Shtetin Islamik.

Shtetet e Bashkuara, janë duke u përpjekur të bëjnë dy gjëra në të njëjtën kohë:luftimin e ISIS-it, në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes sulmeve ushtarake dhe forcave speciale, por edhe përgatitjen e negociatave për një tranzicion politik, që përfshin largimin e Asadit nga pushteti. Uashingtonit i është dashur më shumë se 4 për të siguruar një mbështetje sa më të madhe për opozitën, duke punuar me shtetet fqinje dhe të tjerët, për të ushtruar presionin mbi regjimin dhe negociuar një zgjidhje politike.

Por për shkak se regjimi është mbështetur kaq fort nga Rusia dhe Irani, mbështetja amerikane nuk ka qenë e mjaftueshme për ta jetësuar këtë tranzicion. Pra, qëllimi i diplomacisë amerikane është tanimë ulja e të gjitha palëve në tryezë, dhe përpjekja për të gjetur një rrugë në mes të ekstremeve të ndryshimit të menjëhershëm të regjimit dhe mosndryshimit të tij, si dhe përfshirë në marrëveshje një armëpushim dhe një proces të tranzicionit politik. Mbetet e paqartë nëse këto synime do të arrihen.

Si do të ndikojë dinamika e fushëbetejës tek perspektivat e një zgjidhjeje diplomatike?

Unë do të përshkruaja gjendjen në terren si një qorrsokak dinamik. Harta e betejës është vazhdimisht në ndryshim, por ka pak gjasa që njëra apo tjetra palë të arrijë një fitore ushtarake përfundimtare. Regjimi s’mund të arrijë fitoren, pasi shumica e vendit është kundër tij, e mbështetur nga një numër i madh shtetesh fqinje, dhe nuk ka asnjë mundësi për këtë regjim të udhëhequr nga komuniteti i vogël alevit për të rivendosur kontrollin e tij mbi të gjithë vendin dhe veçanërisht në zonat me shumicë sunite apo kurde.

Në të njëjtën kohë, ka pak perspektiva që opozita të mundë regjimin ushtarakisht, sepse Asadi ruan mbështetjen jo vetëm e pakicave, si alevitët dhe të krishterët, por edhe një numër sunitësh, të cilët kanë frikë se çfarë do të ndodhte në rastin e shembjes së rregjimit, dhe për shkak se ka mbështetjen shumë të fortë të Iranit dhe Rusisë, duke përfshirë praninë tashmë të drejtpërdrejtë ushtarake të Moskës. Kjo është arsyeja pse një zgjidhje diplomatike dhe disa forma të shpërshkallëzimit janë aq thelbësore. Pa to, duket se lufta do të vazhdojë të vrasë shumë e më shumë njerëz, krijojë shumë refugjatë, radikalizojë myslimanët, dhe kontribuojë në rritjen e ISIS-it.

“Council Of Foreign Affairs”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button