Nga Jakopo Barigaci
Një muaj përpara se të mbushë 80 vjeç, Silvio Berluskoni ka bërë një seri lëvizjesh të papritura, duke lënë të kuptohet se një forcë unike në politikën italiane, për më shumë se dy dekada, po bëhet gati të largohet nga skena.
Tre herë kryeministri dhe manjati i medias, sapo e ka rimarrë veten nga një atak në zemër në qershor, por doktorët i bënë thirrje që të relaksohet. Po të mos ishte për shëndetin e tij, ky mund të kish qenë fare mirë një shans për t’u rikthyer, po të kesh parasysh modelin e populizmit të tij, në një epokë të Donald Trumpit dhe Boris Johnsonit.
Por nuk ka rikthim. Ai po bëhet gati të largohet. Berlusconi ka caktuar atë që me shumë gjasa do të jetë pasardhësi i tij në krye të Forza Italia-s, partia e tij, e cila ka patur shumë vështirësi për të qëndruar në fushën e shahut të politikës italiane. Ai ka shitur ekipin e dashur të futbollit, Milanin, sukseset e të cilit i dhanë shtysë ngjitjes së Kavalierit në pushtet. Ai ka filluar gjithashtu të shesë në pjesë të perandorisë së tij mediatike, një tjetër mjet që e përdorte me shumë efikasitet për të mbështetur ambiciet politike.
Ndërkohë që ende po lufton në një front – duke apeluar një ligj që e ndalon të zërë një vend në Parlamentin Italian, për shkak të dënimit në vitin 2003 për mashtrim fiskal – është e qartë se Berluskoni nuk do të jetë kurrë më, forca politike që ishte gjatë epokës së tij të artë.
“Ai ka nisur të tërhiqet, duke shitur disa prej aktiviteteve të tij në media, si dhe duke u përpjekur, në të njëjtën kohë, që të gjejë një mënyrë për të mbrojtur të ardhmen e biznesit të tij, duke gjetur një pasardhës politik, i cili mund t’i garantojë një marrëdhënie të mirë me qeverinë”, thotë Stefano Quintarelli, ligjvënës nga një parti e moderuar e krijuar nga Mario Monti, komisionerieuropian që pasoi Berlusconin kur ky dha dorëheqjen në v itin 2011, në mesin e krizës së borxheve.
Berlusconi – i famshëm për humorin e tij të “pacipë”, gafat, skandalet seksuale dhe aftësinë për t’u shpëtuar prokurorëve për pothuaj dy dekada – nuk e ka thënë publikisht se do të largohet nga politika një herë e mirë. Por thjeshtë fakti që është duke u tërhequr si udhëheqës i partisë, po r ndryshon panoramën, teksa Italia përballet sërish me pikëpyetje të mëdha mbi stabilitetin ekonomik dhe lidershipin politik.
Forza Italia ka humbur terren në Parlament vitet e fundit, ndërkohë që Lega Nord ka qenë e suksesshme në tërheqjen e politikanëve të djathtë, me qëndrimin e saj kundër imigrantëve, dhe euroskepticizmin. Në një mjedis transformizmi, me shumë deputetë që ndryshojnë partitë, Forza Italia është goditur veçanërisht keq – më shumë se 100 e kanë lënë, dhe kanë shkuar në parti të tjera. Po kështu, ka patur edhe rënie në sondazhe. Në zgjedhjet kombëtare të vitit 2013, partia e tij humbi më shumë se 6 milionë vota në krahasim me zgjedhjet e 2008, kur doli e para.
Një pjesë e arsyes është asociimi i Forza Italias me Silvio Berluskonin – dhe të kaluarën.
“Italianët nuk janë të përgatitur që t’i besojnë sërish atij”, thotë Roberto D’Alimonte, që merret me sondazhe. “Ai ka ende 10-15% mbështetje, por nuk ka më shanse që të jetë një udhëheqës”. (www.bota.al)
Teori konspirative
Problemet e shëndetit të Berluskonit kanë qenë faktori kryesor që e kanë shtyrë të mendojë tërheqjen. Pas atakut në zemër në muajin qershor, mjeku i bëri thirrje ish kryeministrit që të largohet nga pozicioni i udhëheqësit të partisë.
Por ka edhe faktorë të tjerë në lojë. Njëri është performanca e keqe ekonomike e vendit, që në 20 vitet e fundit – një periudhë në të cilën Berluskoni ka qenë tre herë kryeministër, duke premtuar ulje të taksave të cilat kurrë nuk u kryen – praktikisht nuk ka parë rritje ekonomike.
“Berluskoni nuk i ka uluar asnjëherë taksat dhe ky ka qenë gabimi i tij më i madh, ai kishte një shumicë të fortë në Parlament dhe mund të kishte reduktuar presionin fiskal, që e mbyt vendin”, thotë Giulio Sapelli, profesor i historisë ekonomike në Universitetin e Milanos. “Monti u zgjodh Kryeministër, për shkak të situatës së tmerrshme ekonomike që la pas Berluskoni”.
Caktimi i Montit për të zëvendësuar Berluskonin në vitin 2011, erdhi në kulmin e krizës europiane të borxheve, mes shqetësimeve se Italia – ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës – po shkonte drejt të njëjtës rrugë të rrezikshme, si Greqia.
Berluskoni dhe aleatët e tij e kanë parë gjithmonë rrëzimin e qeverisë së Kavalierit, si pjesë të një komploti europian, ku ishte përfshirë kancelarja gjermane, Merkel, e cila s’ka qenë asnjëherë fanse e sjelljeve të tij. Dyshime të tilla u forcuan edhe prej botimit të një libri nga ish Sekretari i Thesarit i SHBA, Timothy Geithner, në të cilin ai lë të kuptohet se qeverisë së SHBA i ishte kërkuar të ndihmonte për ta detyruar Berluskonin që të dorëhiqej, ndërkohë që kriza përshkallëzohej në vitin 2011. Por Monti ka mohuar gjithmonë komplotet, duke thënë se vetë partia e Berluskonit votoi për qeverinë e tij të re.
Ironia është se tani Europës i duhet Berluskoni, që t’ia dalë mbanë në përpjekjet për forcimin e Forza Italias, anëtarët e të cilës në Parlamentin Europian i përkasin të njëjtit bllok të qendrës së djathtë, ku bëjnë pjesë edhe konservatorët e Merkelit. Nëse ai dështon, të moderuarit italianë mund të joshen gjithnjë e më shumë prej euroskeptikëve.
Nuk ka “prekje të Midasit”
Për të nisur një epokë të re për partinë e tij, Berluskoni ka caktuar një ish drejtues qyteti dhe drejtor kompanie telekomunikacioni, Stefano Parisi, i cili si kandidat i qendrës së djathtë në Milano, në zgjedhjet lokale të qershorit, iu afrua shumë fitores.
Një politikan i moderuar me rrënjë politike në të majtën, por pa eksperiencë në nivel kombëtar, Parisi është në shumë drejtime e kundërta e Berluskonit: është një teknokrat zëbutë. Nuk do të jetë e qartë, deri sa të shpalosë planet për ribërjen e partisë këtë muaj, nëse Parisi ka shanse të dalë me sukses, përmes një strategjie të ndaljes së hemorragjisë së votave të të moderuarve, në drejtim të Lega Nord.
“Do të doja që ai të kishte sukses, sepse do të doja të kishim një qendër të djathtë moderne dhe jo ekstremiste”, thotë Alessia Mosca, një deputete e Partisë Demokratike të Kryeministrit Matteo Renzi.
Udhëheqësi i lega Nord, Matteo Salvini, nuk mendon se Parisi ka shpresa për sukses. “Eshtë e paqartë se çfarë do të bëjë”, thotë Salvini për POLITICO. “Nuk mendoj se do të shkojë shumë larg. (www.bota.al)
Por Antonio Tajani, zëvendës president i Parlamentit Europian dhe një ndjekës i kahershëm i Berluskonit, thotë se tani detyra për Forza Italian është e qartë. “Berluskoni kërkon dikë që të zgjerojë bazën politike të partisë”, thotë Tajani. “Unë e njoh mirë. Ai nuk është nga ata që tërhiqen”.
…
Pavarësisht se si i shohin lëvizjet e Berluskonit politikanët italianë, shumë pak kanë dyshime se koha e tij ka kaluar tashmë. të shumtë janë ata që mendojnë se po përpiqet t’i japë partisë kohën e nevojshme që të përgatitet për zgjedhjet e 2018-ës.
Shitja e Milanit në gusht është një tjetër shenjë e rolit të tij politik në rënie. Me katër kampionatet italianë dhe tre kupat e kampioneve që fitoi në 8 vitet përpara se Berluskoni të hynte në politikë, skuadra ishte jetike për t’i dhënë atij pamjen e një njeriu me “prekjen e Midasit”. Madje edhe emrin e partisë e zgjodhi nga një këngë e tifozëve në shkallët e stadiumeve. “Eshtë fundi i një epokë”, shkruan sociologu Ilvo Diamanti në “La Repubblica”.
Jo tamam si Trumpi
Ndryshimi po vjen edhe në perandorinë mediatike të Berluskonit – ajo “mbretëri” ku ai ka ende pushtet politik. Ai ka nisur tashmë të shesë një pjesë të perandorisë televizive tek manjati francez, Vincent Bollore, i cili është aksioneri kryesor i Vivendi.
Berluskoni po përpiqet që të tërhiqet, pikërisht kur marka e tij kontroverse e populizmit antipolitik, po bëhet normalja e re në shumë vende.
Ish kryeministrit italian i njihet merita – ose faji – se është një prej themeluesve dhe praktikuesve më të suksesshëm të asaj që sociologu britanik, Colin Crouch e quan politika “post-demokratike”.
Italia e Berluskonit, thotë David Van Reybrouck, autori belg i librit “Kundër Zgjedhjeve”, ishte definicioni i një”shteti postdemokratik”.
Berluskoni ishte gjithashtu një prej të parave figura politike që vepronte si yll rroku, që lejohej të thoshte gjëra dhe të sillej në mënyra që janë normalisht të ndaluara për politikanët e zgjedhur. A model është çuar në ekstrem nga Donald Trumpi tashmë.
Por pavarësisht ngjashmërive në dukje – paratë, skandalet seksuale, stilin e flokëve dhe gafat – Berluskoni refuzon çdo krahasim me Trumpin, sipas njërit prej aleatëve të tij më të ngushtë. Ndryshe nga manjati i pasurive të paluajtshme dhe kandidati për president i SHBA, ai e konsideron veten një njeri “të bërë vetë”. / Me shkurtime nga Politico – www.bota.al